Taksat dhe defiçiti buxhetor i ekonomisë amerikane

Shpresat për një veprim të guximshëm nga Kongresi Amerikan për të ngadalësuar rritjen e borxhit kombëtar që ka arritur në 15 trilionë dollarë, duket se morën fund, pasi komisioni i posaçëm dështoi të arrinte një marrëveshje për pakësimin e deficitit me 1,2 trilionë. Kongresi nuk u tregua i aftë për të trajtuar me guxim problemet fiskale të Shteteve të Bashkuara, dhe tani në bazë të ligjeve në fuqi, në se ato nuk ndryshohen, deficiti do të ulet 7 trilionë dollarë në 10 vjetët e ardhshëm.
Për ata që mezi prisnin të arrihej një pakësim dramatik i deficitit federal, do të kishte qenë jashtëzakonisht e lehtë që Kongresi ta kishte bërë një gjë të tillë. Pa bërë absolutisht asgjë: në se Kongresi do të shkonte për pushime për dy vjetët e ardhshëm, të ardhurat federale do të rriteshin automatikisht dhe shpenzimet do të shkurtoheshin. Një sërë klauzolave të përkohshme për uljen e taksave do t’u skadonte afati, taksa të reja do të shtoheshin dhe një sërë shkurtimesh buxhetore që prekin programe të brendshme dhe të mbrojejs do të hynin në fuqi.
Kostoja e interesave të huave që merr qeveria po ashtu do të binte. Të gjitha këto masa janë tashmë të parashikuara në ligj. Në se këto ligje nuk ndryshohen, Zyra Buxhetore e Kongresit vlerëson se deficiti vjetor do të ulej nga 1,3 trilionë dollarë që është këtë vit, në 500 miliardë gjatë dekadës së ardhshme -një përmirësim prej 60 për qindësh. Disa ligjvënës në Kongres i kanë parasysh këto shifra. Ligjvenësi demokrat i shteti të Oregonit, Peter DeFazio, thekson njërin nga këta komponentë: shkurtimin e taksave të miratuara kur president ishte Xhorxh Bush. Ligji i shkurtimeve skadon vitin e ardhshëm.
“Në se Kongresi vazhdon të mos bëjë asgjë, atëhere të gjitha shkurtimet e taksave, të miratuara gjatë administratës së presidentit Bush do të eliminohen, kjo do të shtojë të ardhurat buxhetore me 4 trilionë dollarë. Kjo do të zgjidhte 40 për qind të deficitit në 10 vjetët e ardhshëm. Në se ligjvënësit shqetësohen me të vërtetë për pakësimin e borxhit, opsioni “mos bë asgjë” është opsioni më i mirë.”
Vëzhgues të pavarur të buxhetit thonë se matematika është e saktë: të mos zbatosh vendimet e mëparshme për shkurtimin e taksave, do të shtonte të ardhurat buxhetore.
“Në se Kongresi do të pushonte për disa vjet, borxhi nuk do të ishte aq keq. Por nuk është realiste që kjo të ndodhte” ka theksuar përfaqësuesi i komisionit jo-partiak për një buxhet të përgjegjshëm Jason Pekej.
Republikanët thonë se vendosja e taksave më të larta do të ishte një goditje e madhe për ekonominë amerikane në vështirësi, duke shkaktuar ngadalësimin e saj më të madh dhe kjo do të pakësonte të ardhurat buxhetore.
“Sidomos në kushtet e rënies ekonomike, si jemi tani, rritja e taksave nuk është ide e mirë” është shprehur sentaori i Arizonës Jon Kyl.
Edhe presidenti Obama ka thënë se taksat duhet të rriten vetëm për amerikanët më të pasur dhe vetëm pas rimëkëmbjes së plotë ekonomike.