E Diel, 1 Nëntor 2026

G20, në fokus spekulatorët e çmimeve të ushqimeve

Presidenti francez, Nikolas Sarkozy i ka vënë vetes si detyrë luftën kundër spekulatorëve në mbarë botën. Spekulatorët janë, sipas presidentit francez, ata të cilët nga lakmia e tyre për përfitim mund të shkaktojnë revolta. “Çmimet e ushqimeve vazhdojnë të ngrihen në mbarë botën”, - tha dje nëpërmjet një artikulli agjencia gjermane e lajmeve ‘Dojçe Vele’. Pavarësisht se çfarë janë, gruri, mishi, sheqeri ose qumështi: të gjitha këto produkte ushqimore kushtonin në pranverën e vitit 2011 në tregjet botërore të paktën dy herë më shumë se para dhjetë vitesh. Arsyetimet e zakonshme se fajtor për ngritjen e çmimeve janë konsumi në rritje në vendet në ekspansion dhe rendimentet e dobëta, nuk mjaftojnë tani për askënd. Ekspertët e Institutit Ndërkombëtar për hulumtime të politikave agrare dhe ushqimit (IFPRI) me seli në Uashington, janë të bindur se rreth një e treta e ngritjeve të fundit të çmimeve për produktet bujqësore janë vepër e spekulatorëve. Ata angazhohen për çmime më të larta në bursë për orizin, misrin ose sojën. Kjo temë ndodhet lart në krye të agjendës së Grupit të 20 fuqive më të mëdha ekonomike në botë. Kjo për faktin se sipas vlerësimeve të Organizatës Botërore të Ushqimit (FAO), çmimet e larta të ushqimit, kanë çuar në nivel rekord prej një miliard numrin e njerëzve të uritur në botë. “Megjithatë, dëshmia se spekulimet dhe uria kanë të bëjnë me njëra-tjetrën është e vështirë”, - thotë Stephan Rudoplh, Sekretar për zhvillimin rural në Ministrinë gjermane të Bujqësisë. "Ne supozojmë se spekulimet e tepruara në bursat e parakontratave për shkëmbimin e mallrave shkaktojnë pasiguri, gjë që nuk është e mirë, sepse në fakt këto tregje kanë për detyrë mbrojtjen e çmimeve", shtoi ai.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›