Hillari Klinton uron shqiptarët: Meritoni qeveri transparente
Sekretarja e Shtetit, Hilari Klinton ka uruar popullin shqiptar për Ditën e Pavarësisë dhe i ka dërguar një mesazh edhe klasës politike. “Nxisim udhëheqjen shqiptare të punojnë së bashku, që vendi të ecë përpara
Tiranë Sekretarja amerikane e Shtetit, Hilari Klinton, në emër të Presidentit Obama dhe popullit të Shteteve të Bashkuara ka uruar popullin shqiptar me rastin e Ditës së Pavarësisë. Sipas një njoftimi për shtyp, të publikuar dje nga Ambasada Amerikane në Tiranë, në mesazhin e saj, Sekretarja e Shtetit, Klinton vlerëson se dy vendet tona bashkëndajnë një histori të gjatë miqësie dhe bashkëpunimi. “Në emër të Presidentit Obama dhe popullit të Shteteve të Bashkuara, jam shumë e lumtur të uroj popullin e Shqipërisë teksa festoni Ditën e Pavarësisë në këtë 28 Nëntor. Dy vendet tona bashkëndajnë një histori të gjatë miqësie dhe bashkëpunimi. Sot, po e forcojmë këtë partneritet, ndërkohë që punojmë krah për krah në NATO dhe nxisim stabilitetin në rajon dhe kudo në botë”,-thuhet në mesazhin e nisur nga Sekretarja e Shtetit. Edhe pse mesazh urimi, zonja Klinton nuk ka hezituar të bëjë edhe komente për klasën politike shqiptare apo për rrugën që duhet të ndjekë Shqipëria drejt Bashkimit Europian. Duke theksuar se Shtetet e Bashkuara të Amerikës vazhdojnë të mbështesin integrimin e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian, Klinton ka nxitur klasën politike shqiptare të punojë së bashku, që vendi të ecë përpara. “Vazhdojmë të mbështesim integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian dhe nxisim udhëheqjen politike të Shqipërisë që të punojnë së bashku për t’u siguruar që vendi të ecë përpara. Populli shqiptar do një qeveri transparente, udhëheqje që jep llogari dhe institucione të forta demokratike, që do të ndihmojnë për të ndërtuar një të ardhme të begatë dhe të sigurt”, - thuhet në mesazhin e Sekretares amerikane të Shtetit. Më tej, zonja Klinton siguron se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të qëndrojnë vendosmërisht me popullin e Shqipërisë teksa punojmë së bashku për t’i arritur këto synime. “Ndërkohë që festoni këtë ditë të veçantë, duhet të dini që Shtetet e Bashkuara janë një partner dhe një mik. I uroj të gjithë popullit të Shqipërisë më të mirat dhe pres me kënaqësi të thellojmë partneritetin tonë në vitet që do të vijnë”, - përfundon mesazhi i Sekretares së Shtetit, Hilari Klinton. Vetëm dy ditë më parë, presidenti amerikan, Barak Obama i dërgoi një mesazh urimi presidentit Bamir Topi për Ditën e Pavarësisë. Edhe në këtë telegram urimi, presidenti Obama shprehu mbështetjen për integrimin e Shqipërisë në BE, por edhe të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor, për të jetuar në një Europë të plotë, të lirë dhe në paqe.