E Shtunë, 31 Tetor 2026

Imami: Brenda 2010-s do të demontohen municionet e tepërta

Në 6-mujorin e parë të këtij viti, procesi u krye në 5 linja industriale dhe 6 poligone

Asgjësimi i 80 mijë tonë municioneve të rrezikshme e jashtë standardeve mbetet një detyrim që duhet përmbushur nga Forcat e Armatosura deri në vitin 2013. Një standard ky që rrjedh pas anëtarësimit të Shqipërisë në NATO e që shihet si prioritet i Ministrisë së Mbrojtjes në fushën e sigurisë. Për këtë arsye ky dikaster tashmë ka gati draftin që synon ngritjen e katër poligoneve të reja për demontimin e municioneve me plasje dhe dy poligoneve për asgjësim baruti me djegie. Një projektligj ky, që ka marrë paraprakisht pëlqimin e palëve në Komisionin e Sigurisë e që pritet të votëbesohet në Parlament me nisjen e sesionit të vjeshtës. Ndonëse shifrat e publikuara nga Dikasteri i Mbrojtjes, flasin për një ecuri pozitive të procesit gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2010, ku aktualisht demontimi kryhet në 5 linja industriale dhe 6 poligone, imediate është parë nga Forcat e Armatosura dhe shtimi me gjashtë poligone të reja. Por një kusht i domosdoshëm për funksionimin e tyre është zbatimi i standardeve. Ai për ruajtjen e distancës nga vendi ku ato do të ngrihen, si dhe zbatimi i sigurisë për sasinë e municioneve që do të asgjësohen. Të dhënat e Ministrisë së Mbrojtjes flasin në 6-mujorin e parë të 2010 për asgjësimin e 8160 tonë armatimeve, nga 6540 tonë të një viti më parë. Për këtë arsye prioriteti i Dikasterit të Mbrojtjes për asgjësimin e 70 tonë municioneve në ditë, ka shtruar përpara Forcave të Armatosura ngritjen e poligoneve shtesë. Shqipëria trashëgoi nga sistemi komunist 90 mijë tonë municione të tepërta, të cilat kanë qenë një kërcënim serioz për sigurinë e vendit dhe jetën e qytetarëve. Jo të pakta kanë qenë rastet, kur si pasojë e vjetërsisë së tyre, janë shkaktuar dhe plasje, me pasojë jetën e banorëve ku këto municione ndodhën. Deri brenda vitit 2013, asgjësimi i tyre mbetet prioritet i Forcave tona të Armatosura.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›