E Diel, 1 Nëntor 2026

Anxhelina Zholi: “Kurrë nuk kam qenë kaq e lumtur”



Në javët e fundit, është folur shumë se gjërat mes aktores Anxhelina Zholi dhe partnerit të saj Bred Pit, nuk po shkonin aspak mirë. Sipas thashethemeve, bukuroshja po përjetonte një moment stresi dhe nuk flinte në të njëjtën dhomë me Pit, ish-bashkëshortin e Xhenifer Aniston. Por çdo gjë ka qenë një gënjeshtër, përfshirë edhe ultimatumin e Bred që i kishte bërë Anxhelinës për t’u martuar me të, ose në të kundërt lidhja mes tyre do të merrte fund. Nga ana e saj, aktorja gjithmonë është shprehur optimiste për jetën, edhe në momentin kur priste dy binjakët. Për të konfirmuar se mes çiftit nuk ka asnjë konflikt, vijnë të tjera deklarata që duket se përgënjeshtrojnë zërat e këtyre ditëve. E intervituar nga revista angleze ”Closer”, Zholi u shpreh se ndihet më e lumtur se kurrë, më shumë sesa mund të kishte dashur prej kohësh. Me kalimin e viteve, ajo po kalon dhimbjen që ka provuar kur ishte më e re. Mendoj se po bëhem gjithmonë e më shumë si nëna ime (Marshelin Bertrand e cila është zhdukur në vitin 2007), sa më shumë rritem, aq më shumë i ngjaj. Jam edhe më e ëmbël qëkur jam bërë nënë vetë”,- është shprehur Zholi. Ylli i Hollivudit, përgënjeshtroi stresin prej një shtëpiakeje dhe impenjimeve me karrierën: “Jam shumë e organizuar. Nuk jam e stresuar dhe ndjek ritmin. Me këtë rast kam ndihmuar edhe Bredin të përshtatej me një familje të madhe. Problemi më i madh është mungesa e gjumit”. Lidhur me thashethemet se një ditë do të braktisë karrierën kinematografike, Anxhelina ka pohuar: “Nuk jam shumë ambicioze, ndryshe nga ajo që mund të mendojnë të gjithë. Familja është prioriteti im. Kur më ofrohet një film gjithmonë pyes: A është i përshtatshëm për familjen time? Në një moment dua të çlodhem dhe të merrem seriozisht me punët humanitare”.

8 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›