E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fitnetja Kryeplaka qe theu tabute

Kamerat e emisionit të pasdites në Top Channel vizituan sot fshatin e largët të Dukagjinit, i cili pavarësisht mbizotërimit të kanunit dhe traditave fisnore drejtohet nga një kryeplak femër.

Përgjegjëse për jetën e 400 personave, në një zonë të thyer malore, Fitnete Stafa ka thyer të gjitha tabutë, duke sjellë një frymë të panjohur më parë në këto skaje të vendit tonë.

”Do ta kisha patur të pamundur të bëja këtë punë pa mbështetjen e bashkëshortit tim Hysniut”, thotë Fitnetja. “Jam e deturyar që të flas me këdo dhe të shkoj përditë diku në fshat për hir të punës. Nëse do të kisha patur një burrë tradicional, ai nuk do ta kishte pranuar kurrë këtë punë”.

Jeta e Kryeplakës së komunës Derjan ka qenë gjithmonë e vështirë. “Kur isha fëmijë, detyrohesha të bëja katër orë në këmbë çdo ditë për të ndjekur shkollën e mesme. Kishte nga ata në fshat që i thonin babait tim se bënte gabim që më linte të vazhdoja shkollën”, kujton ajo.

”Prej vitesh ka punuar ditë e natë për komunën. Kjo është arsyeja përse e kanë zgjedhur. Unë e kam mbështetur plotësisht dhe jam shumë i kënaqur për detyrën e gruas sime”, deklaron për mikrofonët tanë Hysni Stafa, pasi pranon që i është dashur të bëjë edhe vetë punë shtëpie apo që të drejtat e të dy sekseve janë të barabarta.

Dëshmitar për ndryshimin e mendësisë në këto zona të thella të Shqipërisë, ku shpesh herë kanuni është më i fortë se ligji, nuk është vetëm Hysniu, por e gjithë zona me zgjedhjen e një gruaje në krye.

Një malësor i vjetër, i cili ka jetuar të gjithë jetën në Dukagjin, deklaroi: “Kanë ikur ato kohë kur shumica ishin analfabetë dhe ruanim ato tradita të vjetëruara. Ne jemi të edukuar, jo njerëz që jetojnë nëpër shpella”.



Foto

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›