E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fitojmë edhe me shtatë futbollistë

Jose Mourinho ka ngacmuar Milanin duke theksuar se ekipi i tij do ta kishte mposhtur rivalin e qytetit edhe me shtatë futbollistë, ndërsa ka sulmuar Italinë për mënyrën se si është duke e menduar futbollin.

Nerazzurrët kanë bërë hap të madh drejt mbrojtjes së titullit në Serie A, pas fitores 2-0 ndaj Milanit, të dielën, edhe pse e përfunduan ndeshjen me nëntë lojtarë në fushë, një lojë kjo e cila u shqua nga disa momente kontraverse.

Wesley Sneijder ishte përjashtuar në minutën e 25-të, para se Lucio të ndëshkohet me kartonin e dytë të verdhë në kohën shtesë. Inter kaloi në epërsi në minutën e 10 me golin nga Diego Milito, ndërsa shënimi i Goran Pandevit nga goditja e lirë në minutën e 65-të e siguroi fitoren, që i dërgoi ata në nëntë pikë mbi Milanin në krye të tabelës në Serie A.

Por, Mourinho ka theksuar se vendimi i gjyqtarit Gianluca Rocchi për përjashtimin e drejtpërdrejtë të Sneijderit është pjesë e një agjende kundër ekipit të tij.

“Ishte ndeshje e çuditshme. Mendoj se të gjithë e kuptuam se nuk ishte rastësi që ai tregoi karton të kuq për Sneijderin. E kam kuptuar se ata nuk do të na lejojnë të sigurojmë këtë titull. Por, ne ishim perfektë. Ne do ta kishim fituar këtë ndeshje edhe me shtatë futbollistë. Ndoshta me gjashtë futbollistë mund të kishim pasur vështirësi, por do të kishim fituar edhe me shtatë”, tha Mourinho.

"Special One", i cili çoi peshë tifozët e Interit në tribuna, tha se kjo ndeshje nuk është nga ato që i ëndërron një trajner.

Gjyqtari Rocchi akordoi një penallti kundër Interit për lojë me dorë nga Lucio, i cili edhe u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë. Por, Milan nuk i solli vetes shpresë për barazim, pasi goditja e Ronaldinhos u prit nga Julio Cesar.

Mourinho beson se Inter mund të fitojë titullin e pestë të njëpasnjëshëm – të dytin nën drejtimin e tij – por po ashtu theksoi problemet në futbollin italian.

“Gjithçka ishte bërë të parandalojnë Interin nga fitorja, por ekipi im është i fortë dhe ne do të fitojmë Scudetton. Do ta lë me kaq. Ky është shteti juaj dhe liga juaj. Unë jam i huaj, i cili punon këtu. Një ditë, unë do të largohem dhe do ta lë këtë problem me ju”, përfundoi ai.

Ndërsa, trajneri i Milanit, Leonardo pranoi se Inter ishte shumë i fortë për Rossonerët, por insistoi se lufta për titull ende s’ka marrë fund.

“Ne e kemi ditur se Inter është i fortë, ndërsa një ndeshje e vetme nuk mund të përcaktojë se ku jemi. Do t’i kërkojmë gjërat pozitive që kemi bërë në periudhën e fundit dhe do të shikojmë përpara se çka mund të bëjmë në vazhdim. Kjo ndeshje na jep disa mësime. Nuk do të na ndalë në rrugën tonë”, tha Leonardo.

Milan ka një ndeshje më pak të zhvilluar, kundër Fiorentinës.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›