E Shtunë, 31 Tetor 2026

E majta fiton zgjedhjet në Sllovaki

Partia Social-demokrate në opozitë fitoi zgjedhjet e përgjithshme në Sllovaki, duke fituar 84 nga 150 vendet në Parlament.

Sondazhet e mëparshme kishin paralajmëruar se të djathtët në pushtet nuk do të ishin më në gjendje të ruanin shumicën. Kryeministri i ri, Robert Fico, ka premtuar që të vazhdojë me politikën e reduktimit të deficitit buxhetor si dhe synon të aplikojë një sistem tatimi të ndryshëm për çdo klasë, me të pasurit që do të paguajnë më shumë përqindje të të ardhurave të tyre, se sa të varfrit.

Qeveria në largim e qendrës së djathtë e kryeministres Iveta Radicova u përfshi në disa skandale financiare, që e dëmtuan rëndë reputacionin e saj. Zgjedhjet e Sllovakisë ishin të parakohshme, vetëm dy vjet pas zgjedhjeve të shkuara, për shkak të shembjes së koalicionit qeverisës, pas daljes së një partie nga ky koalicion.

Me fletëvotimet e numëruara të 5.811 qendrave të votimit, nga 5.956 sosh, Zyra e Statistikave ka bërë të ditur se partia e ish-kryeministrit Robert Fico ka fituar 44.8 për qind të votave.

Rezultatet i lejojnë Ficos të qeverisë i vetëm.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›