Presidenti çek: Do të vendosim linjë ajrore direkte Tiranë-Pragë
DURRES - Durrësi do të jetë stacion i preferuar për turistët çekë. Këtë mesazh ka dhënë presidenti i Çekisë Vaslav Klaus, gjatë takimit me krerët më të lartë të qytetit bregdetar si prefekti Klodian Pajuni, kreu i Këshillit të Qarkut Seit Kërtusha dhe kryebashkiaku Vangjush Dako. Presidenti Klaus shfaqi një interesim maksimal për qytetin e Durrësit dhe atë çka ofron ky qytet përsa i përket veçanërisht sektorit të turizmit. Vaslav Klaus nga ana e tij u shpreh tepër i kënaqur për pritjen që iu rezervua në Durrës. Ai tha se “bregdeti i mrekullueshëm i Durrësit duhet të jetë një objektiv për t’u vizituar nga turistët çekë dhe për këtë po punohet që vëmendja e turistëve çekë të përqendrohet në bregdetin shqiptar e veçanërisht atë të Durrësit”. Po kështu presidenti çek Klaus u shpreh se po punohet për vendosjen e fluturimeve direkte me avion nga Çekia në Tiranë dhe anasjellas me qëllim nxitjen e ardhjes së turistëve çekë në vendin tonë. Presidenti Klaus deklaroi se: “Edhe investitorët çekë kanë shprehur interesimin e tyre për të investuar në Durrës në sektorin e turizmit, por sipas tij resurset turistike të Durrësit duhet të vazhdojnë të njihen në një shkallë më të gjerë në vendet e huaja”. Pas takimit Dako i dhuroi presidentit çek një punim artistik artizanal të veçantë ku ishin të gdhendura monumentet kryesore arkeologjike të Durrësit, ndërsa presidenti Klaus i dhuroi kryebashkiakut librin e tij të përkthyer edhe në shqip me titull “Planeti blu në vargonj të gjelbër-Cila rrezikohet: Klima apo liria?”. Ky libër është shkruar nga presidenti Klaus në vitin 2007 dhe është përkthyer e botuar në Shqipëri në vitin 2009. o.u