Fiton Kamza, barazon Lushnja
U luajtën ndeshjet e javës së 25-të të kategorisë së parë, me përjashtim të kryesfidës Partizani-Elbasani, e fiksuar për ditën e martë në stadiumin “Sleman Stermasi”, duke dhuruar disa rezultate surprizë. Ndër të cilat mund të evidentohet fitorja e Kamzës në Bilisht dhe frenimi i Lushnjës me një barazim 0-0 në Gramsh. Nuk di të ndalet Bylisi kryesues, i cili, pavarësisht se ka komoditetin e distancës së ndjeshme me ndjekësit më të afërt, nuk mëshiron dhe toleron asnjë kundërshtar. Sikurse bëri këtë javë me Turbinën e Cërrikut, e cila rrezikon seriozisht për të rënë nga kategoria. Rezultat tjetër zhgënjyes dhe që e fundos edhe më tepër për Memaliajn, që është mundur 1-0 në Burrel, ndërkohë që Luftëtari dhe Besëlidhja janë ndarë në “paqe” mes tyre në Gjirokastër, në një barazim të bardhë 0-0. Fitore me mjaft vlera shprese dhe mbijetese ka arritur Skrapari në fushën e tij, teksa ka mundur 2-1 Pogradecin, duke marrë 3 pikë të arta në përpjekjet për të qëndruar në kategorinë e parë. Në pritje të ndeshjes Partizani-Elbasani, kategoria e parë bëhet më intriguese se kurrë, sidomos sa i takon kreut të renditjes, ku dy vendet e para të shpien direkt në superiore, ndërsa vendi i tretë dhe i katërt i nënshtrohen fazës së “play-out”-it, që do zhvillohet me skuadrën e renditur e 9-ta dhe e 10-ta në superligë.