E Diel, 1 Nëntor 2026

Tërmeti i fuqishëm në Kili vret 180 vetë, ende ankth



Kili është goditur dje nga një tërmet i fuqishëm me epiqendër në det me magnitudë 8.8 ballë, duke ndezur alarmin për një cunami në dhjetëra vende të paqësorit. Sipas CNN, fuqia e këtij tërmeti ishte një mijë herë më e madhe se ai i Havait. Kryeqyteti i Kilit ka mbetur pa energji elektrike, për shkak të tronditjes së fortë që pësoi. Numri i të vdekurve (deri tani zyrtarisht 180) pritet të rritet akoma më shumë nga tërmeti shkatërrues që e goditi vendin në orët e para të mëngjesit të së shtunës. Ministri i Brendshëm, Edmundo Perez Yoma tha për gazetarët në një konferencë për shtyp në mesditë, se tërmeti ishte me magnitudë 8,8 me epiqendër 60 kilometra në det të hapur nga qyteti port i Concepcionit. Transmetimet televizive tregonin shembjet e mbikalimeve të autostradave dhe ndërtesave në kryeqytetin Santiago dhe në Concepcion. Tërmeti i fuqishëm u pasua me 30 tronditje të tjera më të lehta, disa prej të cilave me magnitudë 6,0 Rihter apo më të lartë. Ndërkohë rreth 50 vende të Paqësorit janë përgatitur për goditjen e një cunami. Tërmeti në Kili, që zgjati të paktën 30 sekonda, goditi rreth orës 3:30 sipas kohës lokale. Banorët e Santiagos dolën me pizhame në rrugë. Aeroporti ndërkombëtar në këtë qytet do të mbetet i mbyllur për tre ditë. Pasdite, një dallgë cunami e lartë mbi dy metra u përplas në brigjet kiliane. Një impiant kimik në Colina, në veri të Santiagos, ka pësuar dëme të rënda për shkak të tërmetit dhe tani ekziston frika se një re toksike mund të dalë nga fabrika në çdo moment. “Ka pasur një zjarr të madh në fabrikë. Po jetojmë orë tmerri. Të gjithë personat që jetojnë pranë fabrikës janë evakuuar”, tha drejtori i impiantit kimik, Igor Garafulic. Presidentja Michelle Bachelet, e shpalli zonën qendrore të vendit zonë katastrofe dhe u ka apeluar kijanëve që të ruajnë gjakftohtësinë. Ky është tërmeti më i fuqishëm që ka goditur vendin në gjysmë shekulli. Një tërmet i shkallës 6.3 Rihter ka goditur edhe Argjentinën, sipas regjistrimit të Institutit gjeofizik amerikan (Usgs). Epiqendra është llogaritur në rreth 45 km nga qyteti Salta (në veriperëndim), me një thellësi 38,2 km.

Gati evakuimi në Haiti
Havai po përgatitet për të nisur evakuimin përpara cunamit që pritet të pasojë tërmetin e madh shkatërrues në Kili, ka njoftuar dje një zyrtar i mbrojtjes në ishullin amerikan. Sirenat e alarmit pritet të bien në orën gjashtë të mëngjesit. Autoritete të mbrojtjes kanë kërkuar nga banorët në Havai që të largohen nga zonat bregdetare madje të mos kalojnë andej as me makina. Gjeologët janë të sigurt se shumë shpejt në këto brigje do të mbërrijë cunami.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›