E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fiton Qato, rikonfirmohet kampion bote

Boksieri i mirënjohur shqiptar Kreshnik Qato fiton duelin e shumëpritur me boksierin argjentinas Esteban Ponce dhe konfirmohet në këtë mënyrë kampion bote në boks në versionin WBF. Kampioni i botës Kreshnik Qato ka fituar me pikë ndaj Ponces pas 12 raundesh, të zhvilluara në arenën e ringut të ngritur në pallatin e sportit "Asllan Rusi". Qato, promotor i të cilit është zoti Ylli Ndroqi, ka zhvilluar një ndeshje të madhe para sportdashësve të tij, duke u rikonfirmuar edhe njëherë se e meriton plotësisht atë gjerdan, të cilin e ka mbrojtur për të katërtën herë. Në pallatin e sportit "Asllan Rusi" është krijuar një atmosferë inkandeshente, ku mijëra mbështetës të Qatos kanë mbushur shkallët e këtij pallati sporti. Ndeshjen e Qatos, mes tifozëve të shumtë, ishin edhe shumë personalitete dhe të ftuar VIP. Të pranishëm ishin edhe zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm Ilir Meta, ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve Ferdinand Xhaferri, ish-Presidenti i Republikës Alfred Moisiu, etj. Ndeshja e zhvilluar në "Asllan Rusi", ka qenë e përmasave ndërkombëtare, jo vetëm nga dueli i zjarrtë dhe me rivalitet, por edhe nga atmosfera e krijuar, e cila sigurisht që është bërë e mundur si rrjedhim i një pune dhe investimi të madh nga zoti Ylli Ndroqi, i cili veçse është promotor i kampionit Kreshnik Qato, por është edhe president i Federatës Shqiptare të Boksit Profesionist, si dhe president nderi i WBF. Ndeshja është transmetuar LIVE nga Radiotelevezioni Ora News dhe televizioni kombëtar Klan.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›