E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fitore e merituar, por edhe me dritëhije

Skuadër solide, që nuk la hapësira, por krijoi pak. Futja e gjigantëve në sulm i dha fund supremacisë ajrore qipriote

 

Dritan Ikonomi

Ndërrimet e Xhani de Biazit në pjesën e dytë sollën fitoren e Shqipërisë kundër Qipros, teksa tre lojtarët e futur nga stoli gatuan dy golat e fitores, por nga ana tjetër edhe korrigjuan, ndoshta me vonesë, një mënyrë loje që nuk po jepte fryt. Jahmir Hyka dha një krosim të shkëlqyer për Edgar Çanin, i cili shënoi edhe falë daljes së gabuar të portierit qipriot, ndërsa Erjon Bogdani shënoi një supergol që do të mbahet mend gjatë. Aktivizimi i dy sulmuesve shtatlartë i dha fund epërsisë së qipriotëve në lojën ajrore.

Fitorja dhe tri pikët janë gjëja më e rëndësishme, por shpeshherë shërbejnë edhe si strehë për mbulimin e gabimeve. De Biazi ndërtoi një skuadër solide nga mesi e poshtë, me mbrojtjen e mesfushën që nuk i lanë asnjë shans të vetëm sulmit zviceran. Katërshja e mbrojtjes ishte në ditë të mirë, Cana e Mavraj u shquan për pozicionimin e duhur dhe për ndërhyrje të sakta, duke mbuluar mirë lëvizjet e njëri-tjetrit. Në krahë, Dallku e Lila nuk lejuan që qipriotët të rrezikonin me krosime, ndërkohë që para tyre mesfusha krijoi një ekran të vërtetë mbrojtës. Bulku e Kukeli, edhe pse luanin për herë të parë bashkë, u alternuan shpesh me njëri-tjetrin, horizontalisht e vertikalisht, në varësi të situatave. Të njëjtën gjë bënë nga krahët Vila e Meha, të cilët i ndërruan pozicionet dy herë brenda pesë minutave të para, duke krijuar edhe çoroditje në mesfushën e Qipros.

Kërkesa primare e De Biazit, ajo për të mos i lejuar hapësira Qipros, u përmbush në mënyrën më të mirë, por kuqezinjtë nga ana e tyre vuajtën për krijimin e rasteve. Meha dha disa pasime të sakta, ndërkohë që mundësitë më të mira erdhën pas dy shpërthimeve të Bulkut nga thellësia në të majtë të sulmit. Meha e Vila vrapuan mjaft në të dy krahët dhe nuk lejuan qipriotët të organizoheshin, por me kalimin e minutave edhe sulmi i Shqipërisë e humbi furnizimin me topa. Sadiku e Salihi u tërhoqën shpesh prapa, çka bëri që të humbnin kohë dhe rrezikshmërinë. Në pjesën e dytë, De Biazi nxori më përpara Kukelin, por skuadra synoi ta kërkonte golin me pasime të gjata e topa të lartë në zonë, ku mbrojtësit qipriotë ishin absolutë. Italiani mendoi ta ndreqte, duke aktivizuar Hykën, me një mesfushë të dendur me pesë lojtarë, por në mënyrë paradoksale fantazisti i Lucernës ishte tepër i izoluar. Sa herë që kapte topin, rrethohej nga një morsë e fortë qipriotësh agresivë, të cilët nuk i lejonin asnjë hapësirë për të pasuar. Kjo mënyrë loje zgjati pak, sepse De Biazi, si një italian dinak, kuptoi që kështu nuk do të rrezikonte për të humbur, por as nuk do të kishte shanse për të fituar. Në lojë Bogdani e Çani, Hyka zhvendoset nga e majta, ku ka mundësi ti shfrytëzojë më mirë shanset, ndërkohë që prania e dy gjigantëve në sulm i merr frymën mbrojtjes kundërshtare, e cila tani nuk bën më presing lart në fushë. Goli i dytë ishte një çlirim, jo vetëm se riktheu epërsinë, por edhe sepse më në fund u pa që dikush e uli në gjunjë atë mbrojtje deri në atë moment asfiksuese. Portieri gaboi, por Çani e luajti perfekt pjesën e tij, me fluturimin atje lart dhe gjuajtjen e saktë. Mbeteshin edhe gjashtë minuta të gjata, por ankthin e fshiu Bogdani, me predhën e tij. Një fitore ndoshta pa shkëlqim, por tërësisht e merituar. Starti është gjithmonë i vështirë dhe Shqipëria nuk e ka të lehtë në rolin e favoritit. Të martën, këtë status e ka Zvicra, ndërsa kuqezinjtë do të jenë në rolin e të voglit me zemër të madhe.

De Biazi, në gjurmët e pasardhësve

Italiani e nis me rezultat pozitiv, duke mos prishur traditën e viteve të fundit

Trajneri italian i Shqipërisë pati një debutim të vështirë në stolin kuqezi, krahasuar me paraardhësit e huaj. Jo se Qiproja ishte kundërshtari më i keq, por pikërisht për të kundërtën. Të gjithë kishin marrë pikë, me skuadra më të mira se Qipro, madje edhe jashtë Shqipërisë. Për këtë arsye, fitorja ishte deri-diku detyrim. Italiani nuk zhgënjeu, në fundin e lojës korrigjoi gjithçka dhe me lëvizjet e tij skuadra mori tri pikët. Një fitore para së gjithash e De Biazit.

Media e huaj

La Gazzetta dello Sport (Itali)

Merr formë në gjashtë minutat e fundit fitorja në shtëpi e Shqipërisë së Xhani de Biazit. Trajneri italian gjen nga stoli golat që zhbllokuan barazimin 1-1 që sundonte nga fundi i pjesës së parë, kur qiprioti Laban, në minutën e pestë shtesë, zhvlerësoi epërsinë e shqiptarit Sadiku. 2-1 firmoset nga Edgar Çani, tri minuta pas hyrjes në fushë, në minutën e 39-të të pjesës së dytë. Goli i sigurisë vjen nga i përjetshmi Erjon Bogdani, sulmuesi 35-vjeçar i Sienës, i futur në minutën e 71-të, shënuar tri minuta para fundit. Laciali luajti për 90 minuta me Shqipërinë.

Blick (Zvicër)

Demonstrim force nga Shqipëria, e cila mundi 3-1 Qipron në Tiranë. Fitorja erdhi në minutat e fundit të lojës. Edgar Çani në të 84-tën dhe Erjon Bogdani në minutën e 87-të i dhanë fundit ankthit të vendasve. Shqipëria kishte shënuar më parë me sulmuesin e Luganos, Armando Sadiku. Shqipëria kryeson Grupin E, para Zvicrës. Të dyja skuadrat ndeshjen të martën në Lucernë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›