"Fitore me Shqipërinë, shpresa te Malta"
Zlatan Ibrahimoviç kërkon fitore në sfidën kundër Shqipërisë, në mënyrë që Suedia të shpresojë se Malta do të bëjë mrekullinë përballë Portugalisë. Triumfi me kuqezinjtë e drejtuar nga Kuzhe do të bëjë që nordikët të kenë shanse mikroskopike për të arritur në zonën "play-off". Por, skenarët nuk janë shumë shpresëdhënës. Së pari Suedia duhet të fitojë dhe Portugalia të barazojë, ndërsa mundësia tjetër është që Shqipëria të barazojë në Solna, ndërsa Malta të fitojë me diferencë prej tri golash me luzitanët. "Kemi ende një shans. Edhe pse ai është minimal, nuk duhet ta shpërdorojmë. Për më tepër, kjo mund të jetë ndeshja e fundit që trajneri Lagerbak drejton Suedinë dhe dëshirojmë që ta mbyllim bashkëpunimin me të me një rezultat pozitiv. Jemi të përqendruar vetëm te sfida jonë kundër Shqipërisë, të cilën duhet patjetër ta fitojmë", deklaroi Ibrahimoviç. Gjatë konferencës për shtyp përpara ndeshjes, ylli i Barcelonës e cilësoi "tronditëse" humbjen e fundjavës me Danimarkën, por shpreson në një hap fals të Portugalisë. Ai shtoi: "Në këto momente duhet të kemi besim. Kur luajtëm në Maltë, nuk e kishim aspak të lehtë, madje ata na ‘ndihmuan‘ me autogolin që shënuan. Është e vërtetë që ky ekip nuk ka realizuar shumë gola, por tani duhet vetëm të shpresojmë që nuk do të pësojnë gol dhe t‘i rrëmbejnë barazimin Portugalisë". Përpara ndeshjes me përfaqësuesen tonë, foli edhe trajneri Lars Lagerbak: "Do të ishte e pafalshme nëse ne nuk arrijmë të fitojmë me Shqipërinë dhe Portugalia barazon me Maltën".
e. kodheli
e. kodheli