Shqipëria, në të ftohtin suedez për të thyer tabunë e golit jashtë fushe
Shqipëria zbarkoi në Suedi dhe menjëherë është përballur me kushtet e vështira atmosferike të shtetit nordik. Reshje të dendura dëbore dhe temperatura shumë të ulëta, të cilat e vështirësojnë edhe më shumë paraqitjen e kuqezinjve në stadiumin "Rasunda" të Solnas, bashki në metropolin e Stokholmit. Objektivi është marrja e një rezultati pozitiv, por edhe të thyhet tabuja e ndeshjeve jashtë fushe në eliminatoret e Botërorit 2010. Deri më tani, Kombëtarja nuk ka shënuar asnjë gol larg "Qemal Stafës". Ky është edhe një test për Josip Kuzhenë: statistikat tregojnë se në pesë ndeshjet që ai ka drejtuar skuadrën, kuqezinjtë kanë arritur të shënojnë gjithmonë. Skema që trajneri pritet të paraqesë është 4-2-3-1, një modul loje me të cilin kroati ka arritur rezultate mjaft të kënaqshme. Me këtë rreshtim duket se 56-vjeçari arrin të marrë maksimumin nga skuadra, madje dy paraqitjet e fundit (miqësorja e fituar 6:1 me Qipron dhe barazimi 1:1 me Danimarkën) i kanë entuziazmuar të gjithë. Porta do t‘i besohet sërish Samir Ujkanit, ndërsa Dallkut, Curri dhe Canës në mbrojtje do t‘i shtohet edhe i rikthyeri Altin Haxhi. Pas punës së diferencuar në miqësoren me Grojther Furth, gjirokastriti 34-vjeçar është në gjendje optimale për të luajtur përballë Suedisë. Klodian Duro do të vazhdojë të luajë në rolin e ri përpara mbrojtjes, përkrah Ervin Bulkut. Ashtu si në sfidën me Danimarkën, elbasanasi ka vetëm detyra difensive dhe do të jetë ndërtuesi i parë i aksioneve të kuqezinjve. Një tjetër siguri në vendosjen e re taktike është aktivizimi i Hamdi Salihit, në rolin si sulmues i fshehur nga krahu i djathtë. Skela vazhdon të jetë "truri" i skuadrës në qendër, ndërsa në krahun e majtë ka balotazh ndërmjet Jahmir Hykës dhe Gilman Likës. Erjon Bogdani do të jetë sulmues i mirëfilltë, por ashtu si është parë edhe në ndeshjet e mëparshme, kjo skemë premton një Shqipëri ofensive.
e. kodheli
e. kodheli