Fitorja 8-0 shton vetëbesimin e Barcelonës

Sulmuesi i Barcelonës, David Villa ishte i lumtur, pas fitores së thellë, 8-0 ndaj Osasunës, në ndeshjen e tyre të La Ligës të shtunën. Villa realizoi dy herë në Nou Camp, ndërsa Lionel Messi shënoi het-trik.
Reprezentuesi spanjoll thotë se fitorja bindëse i ka ndihmuar ekipit të shtojë vetëbesimin pas dy barazimeve të kaluara me Real Sociedadin, në La Liga dhe Milanin në Ligën e Kampionëve.
“Fitorja 8-0 na dhuron vetëbesim të madh, ndërsa të shënojë dy gola më jep kënaqësi të madhe”, tha Villa për AS. “Ne e shfrytëzuam këtë ndeshje për të shtuar vetëbesimin. Pas dy barazimeve të njëpasnjëshme, u desh të luajmë mirë. Por, mendoj se luajtëm mirë kundër Osasunës dhe u përmirësuam pas atyre dy barazimeve”, shtoi ai.
Villa në ndeshjen e ardhshme do të takohet me ish-skuadrën e tij, Valencia, kur Barcelona udhëton në Mestalla fundjavën e ardhshme.
“Vitin e kaluar, nuk ishte mirë, sepse kisha një seancë dëgjimore në gjyq në atë ditë, por shpresoj të jetë më mirë kësaj here dhe të marrim tri pikë”, u shpreh Villa, i cili lavdëroi përforcimin e ri, Cesc Fabregas për energjinë që ka sjellë në klub pas ardhjes së tij gjatë verës nga Arsenali.
“Cesc është rritur këtu, Barcelona është në gjakun e tij dhe ai është duke dhënë kontribut të madh”, përfundoi Villa.