Mos e fajësoni Gasperinin

Ylli i Interit, Wesley Sneijder i ka dalë në mbrojtje trajnerit Gian Piero Gasperini pas një tjetër paraqitjeje dëshpëruese në barazimin 0-0 me Romën në ndeshjen e vlefshme në Serie A, të shtunën.
Nerazzurrët kanë humbur tri ndeshje zyrtare në Superkupën e Italisë, Serie A dhe Ligën e Kampionëve para barazimit me Romën. Tifozët në Giuseppe Meazza e kanë vërshëllyer Gasperinin, sidomos pas zëvendësimeve të tij, andaj posti i tij është në rrezik.
Por, Sneijder thotë se Gasperini nuk ka faj për formën e dobët aktuale të ekipit. “Nuk duhet të fajësohet trajneri”, tha Sneijder për televizionin holandez, Sport 1.
“Është lehtë të hidhni përgjegjësinë te Gasperini. E vërteta është se ne futbollistët jemi të parët që duhet të ndryshojmë gjërat. I gjithë ekipi duhet të zhvillohet dhe përmirësohet. Është mëkat, pasi ne krijojmë shumë raste dhe jemi shumë pranë golit, por nuk arrijmë të shënojmë. Fatkeqësisht është një prej atyre momenteve kur gjithçka shkon kundër nesh”, përfundoi Sneijder.