Spanja vazhdon dominimin

Një Spanjë e shkëlqyeshme e udhëhequr nga Juan Carlos Navarro i cili realizoi 27 pikë dhe Pau Gasol e Jose Calderon që kontribuuan me nga 17 pikë secili, mposhti në finale Francën me rezultat 98-85 dhe mbrojti titullin e kampionit të Evropës në EuroBasket 2011.
Pas dominimit dy vite më parë në Katowice kundër Serbisë, Sergio Scariolo dhe basketbollistët e tij rrëmbyen kreun e podiumit dhe medaljen e artë duke i mohuar Francës titullin e parë historik.
Spanja u udhëhoq nga Navarro i cili edhe u shpall basketbollisti më i mirë i EuroBasket 2011 dhe u bë skuadra e parë që fitoi tituj të njëpasnjëshëm nga ish-Jugosllavia më 1995 dhe 1997. Plejmejkeri Tony Parket ishte realizatori më i mirë i Francës me 26 pikë. Të dyja ekipet finaliste kanë siguruar pjesëmarrjen në Lojërat Olimpike, Londra 2012.
Rusia fitoi medaljen e bronztë
Rusia ia mohoi Maqedonisë medaljen e parë historike në një tjetër përballje të jashtëzakonshme mes tyre që do të mbetet në kujtesë për një kohë të gjatë.
Rusia e mposhti Maqedoninë me rezultat 72:68 në ndeshjen e vlefshme për pozitën e tretë dhe medaljen e bronztë në EuroBasket 2011. Pas triumfit të mëhershëm ndaj maqedonasve në ndeshjen e rrethit të dytë të garës falë shënimit të sekondat e fundit nga Sergey Monya, kësaj radhe nuk ishte Rusia, por Maqedonia ajo që kishte rastin të siguron fitoren në çastet e fundit.
Ata humbën një mundësi të artë në sekondat e fundit të përballjes por Damjan Stojanovski nuk i rezistoi barrës së presionit dhe gaboi. Ata u dënuan nga Aleksey Shved i cili ruajti përqendrimin nga gjuajtjet e lira dhe siguroi fitoren për Rusinë dhe medaljen e bronztë. BoMcCalebb ishte realizatori më i mirë te Maqedonia me 22 pikë ndërsa Rusia u udhëhoq nga Andrei Kirilenko me 18 pikë.
Finalja:
Spanja – Franca98:85
Ndeshja për medaljen e bronztë:
Rusia – Maqedonia72:68