E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Fitorja e mazhorancës e padiskutueshme, Edi Rama po përgatit alibinë e humbjes”

Deklarime të përbashkëta të aleatëve të djathtë

TIRANE - Arritje të shkëlqyer e qeverisë “Berisha” dhe e koalicionit të djathtë, e ka cilësuar Partia Aleanca Demokratike pajisjen e qytetarëve shqiptarë me karta identiteti. Këtë deklaratë e bëri ditën e djeshme, nënkryetari i PAD-së, Arben Demeti deklaroi se “procesi i pajisjes së qytetarëve me karta identiteti është madhore dhe e krahasueshme me bërjen e vendit me Kushtetutë dhe një arritje akoma më madhe se rruga e Durrës-Kukës”.
Lidhur me shqetësimin e opozitës për këtë proces, Demeti tha se “shpesh herë ato kanë rënë edhe në nivele qesharake, si në respektime afatesh dhe ndjekje procedurash”. Demeti theksoi se pretendimet e opozitës nuk kanë asnjë rëndësi, pasi sipas tij, ajo që është vërtet e rëndësishme është fakti se ky proces aq modern tashmë është vendosur në baza të konsoliduara.
Nënkryetari i PAD-së vlerësoi më tej se “procesi ka filluar dhe po vazhdon normalisht në një rrugë pa kthim”, duke argumentuar më tej se qëndrimi i opozitës lidhur me procesin e pajisjes së qytetarëve me karta identiteti rrjedh si pasojë e faktit se “PS për 8 vjet në pushtet nuk arriti ta realizojë këtë proces”.
Arsyet pse opozita nuk arriti dot të realizojë një proces të tillë Demeti i argumentoi me “paaftësia, mungesa e vizionit, mediokriteti dhe korrupsioni që i ka kushtuar Shqipërisë një dëm me pasoja të pallogaritshme, në një sabotim monstruoz  të interesave të Shqipërisë”.
Duke e konsideruar këtë si një dështim të opozitës, nënkryetari i PAD-së u bëri thirrje përfaqësuesve të Partisë Socialiste që “të paktën të heshtin nga turpi që nuk e realizuan këtë proces, por që po e kryen qeveria e ‘Berisha’ në mënyrë të shkëlqyer”.
Gjithashtu, lidhur me zgjedhjet kuvendore, Demeti u shpreh i bindur se “fitorja e koalicionit të djathtë në zgjedhjet e 28 qershorit është e padiskutueshme dhe kjo lidhet me arritjet e mëdha që ky koalicion ka arritur në këto katër vjet”.
Demeti ka stigmatizuar liderin e së majtës, duke u shprehur se “Rama po përgatitet që të kontestojë rezultatin e zgjedhjeve, si mënyra më e mirë e tij dhe e grupit të 99-shave për të mos pranuar humbjen e zgjedhjeve parlamentare. Edi Ramës i duhet një alibi për humbjen e  zgjedhjeve të qershorit, duke bërtitur për kartat e identitetit, apo edhe elementë të tjerë që do të dalin gjatë fushatës zgjedhore, apo ditën e zgjedhjeve për të kontestuar rezultatin, madje dhe për ta bojkotuar atë”, tha ai.
Sipas nënkryetarit të PAD-së kjo forcë politike e ka thënë edhe më parë dhe e përsërit edhe në këtë moment se “Berisha e ka në dorë Ramën për tri arsye, për dosje korrupsioni, dosje lustracioni dhe perversiteti”.
Rama, shtoi ai, është i bindur për këta faktorë dhe me lëvizjet e tij vetëm kërkon që të spastrojë Partinë Socialiste nga xhaketat e vjetra.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›