E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fitorja e parë, Kroacia e Gjermania ruajnë "nderin"

Gjermania e ka nisur në mënyrën më të mirë pjesëmarrjen në EURO 2008, duke fituar 2-0 ndaj Polonisë. Skuadra e Lëv ka dominuar, duke gjetur dy herë rrugën e rrjetës me anë të Podolskit, i aktivizuar si mesfushor në këtë sfidë. Gjermanët e kanë nisur ndeshjen në sulm, duke kërkuar një gol të shpejtë, ndërsa polakët e kanë të vështirë që në minutat e para të mbulojnë Klosen, i cili në minutën e 5-të i shmanget mbrojtjes dhe shfaqet para Boruc. Por sulmuesi gabon dhe në vend të gjuajtjes në portë, vendos t‘i pasojë topin Mario Gomeshit, i cili është i pavëmendshëm dhe thjesht ndjek sferën që përfundon jashtë kuadratit, ngjitur me shtyllën, duke humbur një rast të pabesueshëm për të shënuar. Polakët arrijnë të ripozicionohen në mbrojtje dhe provojnë të kundërsulmojnë, por pa krijuar rreziqe në portën e mbrojtur nga Lehman. Por është përsëri Klose që i shpëton mbulimit të kundërshtarëve në minutën e 20-të, duke depërtuar në krahun e djathtë të sulmit. Aksioni i tij ndiqet nga Podolski, i cili nuk e ka të vështirë të devijojë në rrjetën e boshatisur pasimin e shokut të skuadrës. 1-0 dhe Gjermania tashmë duket e qetë drejt një fitoreje në këtë sfidë. Polakët provojnë të rrezikojnë me Zuravskin, por gjuajtja e tij përfundon jashtë kuadratit të portës së Lehman. Situata zhvendoset menjëherë në portën tjetër, ku Fritz pason në qendër, por fillimisht Klose e më pas Mario Gomesh nuk arrijnë ta devijojnë topin në rrjetë, duke humbur mundësinë për të dyfishuar rezultatin.

Benhaker provon të ndryshojë diçka, duke larguar kapitenin Zuravski për të aktivizuar Gerreiron. Sulmuesi i sapofutur në lojë i jap më shumë ritëm manovrës ofensive të Polonisë, falë kombinimeve me Smolarek. Në minutën e 70-të është Balak që kundërpërgjigjet me një gjuajtje në hyrje të zonës, por Boruc devijon topin mbi traversë, me një grushtim spektakolar. Megjithatë, vetëm dy minuta më vonë është përsëri Podolski që gjen rrugën e rrjetës me një predhë të pakapshme për gardianin e portës polake. Ashtu si në golin e parë, sulmuesi i Bajernit nuk feston, në shenjë respekti ndaj origjinës së tij polake. Polakët provojnë të shënojnë golin e nderit, por, pavarësisht tentativave të tyre, rezultati nuk ndryshon dhe takimi mbyllet 2-0 në favor të Gjermanisë, e cila merr menjëherë kryesimin e grupit B, në pritje të takimit direkt me Kroacinë pas katër ditësh.

Grupi B

Gjermani 3 1 1 0 0 2-0

Kroaci 3 1 1 0 0 1-0

Austri 0 1 0 0 1 0-1

Poloni 0 1 0 0 1 0-2

Ndeshjet

8 qershor

Austri-Kroaci 0-1

Gjermani-Poloni 2-0

12 qershor

Kroaci-Gjermani 18:00

Austri-Poloni 20:45

16 qershor

Poloni-Kroaci 20:45

Austri-Gjermani 20:45

Ballkanasit kanë zhgënjyer, por kanë marrë tri pikët përballë Austrisë vendase

Kroacisë i mjafton një penallti

Kombëtarja kroate i ka ruajtur të gjitha parashikimet, duke fituar në ndeshjen e saj të parë përballë Austrisë, ndonëse e ka pasur shumë të vështirë të marrë tri pikët përballë vendit organizator. Skuadra e drejtuar nga Slaven Biliç ka bërë vetëm një gjuajtje në kuadrat gjatë të gjithë ndeshjes, por ajo ka qenë vendimtare, pasi Modriç ka shënuar golin e fitores 1-0, me një penallti në fillimin e ndeshjes.

Pritej një lojë sulmuese e kroatëve, por kjo ka qenë vetëm në minutat e para. Oliç depërton në zonë në minutën e 3-të dhe Pogatetz ndërhyn në mënyrë të gabuar, duke shkaktuar 11-metërsh. Nga pika e bardhë gjuan Modriç, i cili është i saktë duke mposhtur pa problem portierin Maço. Ky fillim i gabuar bën që austriakët të gabojnë disa herë radhazi, por për fatin e mirë të tyre, Oliç nuk arrin të konkretizojë rastet e krijuara. Me kalimin e minutave, skuadra e Hikersberger provon të shfaqet më e rrezikshme para portës kundërshtare dhe është mbrojtësi Prodl, i cili dy herë radhazi provon të kalojë Pletikosën me gjuajtjet me kokë pas goditjeve standarde, por pa sukses. Në minutën e 39-të është Harnik, i cili krijon panik në krahun e majtë të mbrojtjes, por pasimi i tij në qendër ndalet në kohë nga Simuniç, që shpëton portën. Më pas është edhe Standfest që provon të shënojë, por gjuajtja e tij me kokë nuk e gjen kuadratin.

Pjesa e dytë flet krejtësisht për Austrinë, e cila kërkon me ngulm të barazojë rezultatin, duke provuar në të gjitha mënyrat të gjejë rrugën e rrjetës. Kjo e detyron trajnerin Biliç të ndryshojë skemën, duke hedhur në fushë lojtarë me tipare mbrojtëse, për të krijuar një gardh para zonës së tij. Si rrjedhojë, Austria zhvillon një volum të madh loje, por pa konkretizuar rastet e krijuara para portës kundërshtare. Harnik dhe Korkmaz provojnë në të gjitha mënyrat të depërtojnë në zonë, por në rastet kur arrijnë të gjuajnë në portë, Pletikosa shfaqet në lartësinë e duhur për të bllokuar gjuajtjet e tyre. Në minutën e 93-të, Kineast ka mundësinë për të shënuar golin e barazimit, por gjuajtja e tij me kokë përfundon jashtë ngjitur me shtyllën pingule. Si rrjedhojë, ndeshja mbyllet me fitoren minimale 1-0 të Kroacisë, e cila zhgënjeu me lojën e saj, por që gjithsesi arriti objektivin e saj për të marrë tri pikët ndaj skuadrës që cilësohej më e dobëta në grup. Ndërkohë, Austria ka treguar se mund të luftojë si e barabartë ndaj kundërshtarëve më të fortë dhe shpreson që të dhurojë një surprizë në dy takimet e ardhshme të grupit të saj.

Itali-Holandë, "finalja" e parë

Dy gjigantët evropianë përballen sot në "grupin e ferrit"

Italia dhe Holanda do të jenë sot përballë në ndeshjen e parë mes "finaleve" që dhuron Grupi C, ku shorti ka vënë përballë disa prej ekipeve më të forta evropiane. Të dyja ekipet vijnë në këtë sfidë me objektivin e qartë të fitores, ndonëse historia favorizon dukshëm skuadrën e drejtuar nga Donadoni. Në fakt, Italia dominon në statistikat e përballjeve direkte, ku në 15 sfida kanë fituar 7, barazuar 6 dhe humbur vetëm dy. E vetmja përballje e regjistruar në fazën finale të një Kampionati Evropian është ajo historike e 8 viteve më parë, kur Italia mundi falë 11 metërshave Holandën në gjysmëfinalet e turneut. Ndërkohë, fitorja e fundit e Holandës në përballjet direkte është ajo e 21 qershorit të vitit 1978, kur në gjysmëfinalet e Botërorit mundi Italinë me rezultatin 2-1.

Italianët duket se kanë lënë pas problemet me dëmtimet dhe Donadoni po mendon që ta fillojë këtë sfidë me skemën e preferuar 4-3-3. Në mbrojtje janë konfirmuar Panuçi, Barzalji, Materaci dhe Zambrota, të cilët do të kenë detyrën e vështirë të ruajnë Van Nistelroin në këtë ndeshje. Treshja e mesfushës mbetet enigmë për të gjithë, pasi, përveç Pirlos që është i paprekshëm, për dy pozicionet e tjera janë në garë Gatuzo, Ambrozini, Perrota, De Rosi dhe Akuilani. Për sa i përket sulmit, duket e konfirmuar treshja me Tonin në qendër dhe Di Natalen e Kamoranezin që e mbështesin nga krahët. Trajneri Donadoni nuk ka dashur "të fshihet", duke zhvilluar edhe seancën e fundit stërvitore në praninë e mediave dhe tifozëve, të cilët kanë ndjekur të shumtë në numër edhe minindeshjen stërvitore të zhvilluar nga italianët.

Nga ana tjetër, Holanda shpreson që në këtë ndeshje të ketë në formë sa më të mirë sulmuesin Van Nistelroi, pas problemeve me dëmtimet që kanë pasur Roben, Shnajder, Melkiot dhe Van Persi. Sulmuesi i Realit të Madridit duket se ka zgjidhur një pjesë të problemeve me trajnerin Van Basten dhe do të përpiqet të bëjë maksimumin në këtë Evropian, i cili do të jetë i fundit në karrierën e tij. "Konflikti ynë është lënë pas, ndonëse marrëdhëniet që kemi janë vetëm profesionale. Ne të dy ndajmë të njëjtin objektiv: të bëjmë maksimumin për të fituar EURO 2008", tregoi ai. Van Nistelroi duket se do të synojë të përsërisë suksesin e 20 viteve më parë, kur Holanda fitoi Evropianin falë magjive të trajnerit aktual, Marko Van Basten. "Kemi pasur probleme me vazhdimësinë, por gjatë ndeshjeve të fundit kemi treguar se jemi shumë të rrezikshëm në repartin e avancuar. Më kujtohet Evropiani i vitit 1988, ndonëse isha vetëm 12 vjeç, pasi babai më mori në stadium të shihja ndeshjen kundër Irlandës. Më kujtohet edhe finalja ndaj Bashkimit Sovjetik, pasi kishte eufori në të gjithë Holandën. Kanë kaluar 20 vjet dhe kjo është një kohë e gjatë. Tifozët tanë e meritojnë një sukses", deklaroi sulmuesi, që ka shënuar 31 gola në 66 ndeshje me fanellën e "tulipanëve".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›