E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tërmeti ne Greqi, tronditet edhe Shqipëria

Një tërmet i fortë me manjitudë 6.5 ballë i shkallës Rihter ka goditur Greqinë në orën 15:25 (14:25 me orën tonë). Katër persona kanë humbur jetën dhe të paktën 37 janë të plagosurit. Sipas korrespondentëve, mes të plagosurve janë edhe dy vajza shqiptare, 9 dhe 5 vjeçare të cilat kanë mundur të shpëtojnë për mrekulli pasi banesat e tyre janë shembur. Lehtë është lënduar edhe një tjetër shtetase shqiptare, 34 vjeç, ndërsa njoftohet se ambasada shqiptare ka nisur një grup zyrtarësh të saj në zonat e dëmtuara për t‘u ndodhur pranë familjeve shqiptare të cilave tërmeti u ka shkatërruar banesat. Tërmeti është ndjerë në të gjithë gadishullin e Peloponezit dhe në rajone të tjera të Greqisë, deri në Athinë dhe e ka pasur origjinën 205 kilometra në perëndim të kryeqytetit e 54 kilometra larg Patras, një prej qyteteve më të goditura. Tërmeti është dëgjuar edhe në Shqipëri e madje edhe në disa zona në jug të Italisë, ku gjithsesi nuk janë regjistruar dëme materiale apo viktima. Frika ka qenë e dukshme në qytetet dhe fshatrat në perëndim dhe veri të Peloponezit, ku njerëzit kanë dalë nëpër rrugë. Sipas mbrojtjes civile të rajonit Achaie, në veriperëndim të Peloponezit, janë regjistruar dëme edhe në zonën portuale të Patras dhe në disa fshatra të tjerë. "Ishte e tmerrshme. Nuk kemi përjetuar kurrë një eksperiencë të tillë deri më tani. Ka zgjatur shumë dhe kemi dëgjuar qytetin të gjëmojë", ka thënë kryebashkiaku i Pirgosit, Makis Paraskevopoulos. Policia ka thënë ndërkohë se ka marrë lajme për disa të plagosur dhe për disa persona që kanë mundur të dalin nga godinat e shembura. "Pesë godina të vjetra janë shembur në zonë dhe linjat telefonike janë ndërprerë. Njerëzit kanë mbushur rrugët", ka thënë një zyrtar i policisë për agjencinë e lajmeve "Reuters". Sipas mediave greke, disa persona mund të kenë mbetur të bllokuar nën rrënoja, por policia nuk e ka konfirmuar këtë lajm. Autostrada Athinë-Patras është mbyllur pas një dëmtimi të shkaktuar nga tërmeti dhe autoritetet po punojnë për ta ripastruar atë. Kulla kryesore e kontrollit në bazën e aeronautikës ushtarake në qytetin Andravida është dëmtuar gjithashtu dhe janë evakuuar që andej trupat. "Do të ketë patjetër edhe lëkundje të tjera, që janë një fenomen natyral, por njerëzit nuk duhet të kenë frikë dhe duhet të dëgjojnë autoritetet lokale", ka thënë drejtori i institutit gjeodinamik, Gerasimos Papadopoulos. Greqia është një ndër vendet evropiane me aktivitetin më të madh sizmik. Në vitin 1999 në Athinë 143 persona mbetën të vrarë nga një tërmet me manjitudë 5.9 ballë të shkallës Rihter. Pas lëkundjes kryesore janë regjistruar edhe të paktën gjashtë lëkundje me intensitet më të vogël dhe të tjera do të pasojnë, kanë konfirmuar ekspertët e institutit gjeofizik në Athinë. Sipas tyre, zona është shumë sizmike. Tërmeti ka ndodhur pikërisht në zonën përgjatë bregut të Egjeut, pra përgjatë tërë bregdetit të gadishullit të Peloponezit. Sipas ekspertëve, bëhet fjalë për një tërmet sipërfaqësor, me epiqendër jo më thellë se 10 kilometra, por që mund edhe të ndryshojë, sepse ky është një prej parametrave më të vështirë për t‘u përcaktuar në një kohë kaq të shkurtër pas tërmetit. Ky tërmet i fundit i regjistruar në Greqi është gjithsesi një ndër më të fuqishmit që ka goditur vendin në kohët moderne.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›