E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vritet reporteri afgan i BBC-së

Një gazetar afgan, i cili punonte për radion BBC, u vra në provincën jugore Helmand, deklaruan dje zyrtarët afganë. Abdol Samad Rohani, i cili punonte për radion BBC, kishte mbuluar një ditë më parë një ceremoni të djegies së drogës në aeroportin e Lashkar Gahit, qyteti kryesor i provincës Helmand dhe pas dreke ishte larguar nga shtëpia pa thënë se ku po shkonte, deklaruan gazetarët lokalë. Trupi i tij u gjet dje. Zyrtarët lokalë theksuan se ai ishte marrë peng dhe ishte vrarë. BBC në një deklaratë për shtyp ka vlerësuar Rohanin duke thënë se "kurajoja dhe dedikimi i tij kanë qenë pjesë thelbësore e raportimeve të BBC-së nga Afganistani vitet e fundit". Helmandi është një prej provincave më të dhunshme në Afganistan dhe që prodhon pothuajse gjysmën e sasisë së opiumit në botë, që rafinohet më pas për t‘u bërë heroinë. Forcat e sigurisë afgane të mbështetura nga trupat britanike kontrollojnë disa qytete përgjatë lumit Helmand, por rebelët talebanë janë ende aktivë nëpër zonë. Një zëdhënës i talebanëve mohoi ndonjë përfshirje të tyre në këtë vrasje. Ky është rasti i dytë që një gazetar i BBC-së humb jetën vetëm gjatë kësaj fundjave. Persona të armatosur në Kismajo, në Somalinë jugore, vranë të shtunën Nasteh Dahir, që punonte për BBC-në dhe agjencinë e lajmeve "Associated Press".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›