E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri irakian, Nouri al-Maliki, në vizitë dyditore

Kryeministri irakian, Nouri al-Maliki, i ka thënë Iranit se nuk do të lejojë që vendi i tij të përdoret si bazë për të sulmuar Republikën Islamike fqinje. Deklarata u bë në prag të bisedimeve mes Al-Malikit dhe Presidentit iranian, Mahmoud Ahmadinexhad. Kryeministri irakian, që ndodhet në Teheran për një vizitë dyditore, u takua me Presidentin Mahmoud Ahmadinexhad dhe me ministrin e Jashtëm iranian. Zyrtarët e Teheranit premtuan ta ndihmojnë Irakun në fushën e sigurisë. Por ata më herët kanë shprehur shqetësim dhe kanë kritikuar ashpër një propozim marrëveshjeje mes SHBA-së dhe Irakut. Marrëveshja mund t‘i japë SHBA të drejtën e përhershme për të mbajtur trupa në Irak. Ministri i Jashtëm irakian, Hoshiar Zebari, tha se asgjë në planin mes Uashingtonit dhe Bagdadit nuk e kërcënonte sigurinë kombëtare të Iranit. Por ai paralajmëroi se pa një marrëveshje të tillë, në Irak do të krijohej një vakum serioz në fushën e sigurisë. Irani nga ana e tij e cilëson këtë propozim si kërcënim për sigurinë e vendit. Zyrtarët irakianë kanë thënë se Maliki do të prezantojë nga ana e tij prova se Irani është duke mbështetur militantët shiitë në Irak, të cilët po luftojnë me trupat e qeverisë, amerikanët dhe aleatët e tyre.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›