E Diel, 1 Nëntor 2026

"I lodhur nga jeta monotone", vret 7 persona, plagos 10 të tjerë

Një person me një thikë në dorë u ka marrë jetën shtatë personave dhe ka plagosur 10 të tjerë në qendër të Tokios. Incidenti ka ndodhur në lagjen Akihabara, një zonë tregtare kjo, shumë e frekuentuar nga të rinjtë dhe turistët. Një i dyshuar 25-vjeçar, Tomohiro Kato, është arrestuar nga policia. Zëdhënësi i forcave të rendit, Jiro Akaogi, tha për gazetarët: "I dyshuari thotë se kishte ardhur në Akihabara për të vrarë njerëz. Ai tha se ishte i lodhur nga jeta". Mes të vdekurve ishin gjashtë burra të moshës nga 19 deri në 74 vjeç dhe një grua 21-vjeçare. Sipas mediave japoneze, i dyshuari kishte ngarë një furgon në mes të zonës së populluar, në orët e para të pasdites e më pas kishte zbritur që andej dhe kishte filluar të therte këdo që i dilte përpara. Dëshmitarët në vendngjarje rrëfejnë skenat e tmerrit dhe mënyrën se si 25-vjeçari kishte kryer masakrën. "Shikoja trupa të shtrirë në tokë dhe gjak ngado. Disa njerëz të plagosur ishin të vetëdijshëm, disa të tjerë jo. Thjesht ishin shtrirë në rrugë. Kishte njerëz ngado dhe shumë prej tyre rrinin e shikonin të shokuar", thotë një qytetar britanik. Një tjetër dëshmitar okular rrëfen: "Ai doli nga një furgon, u hodh mbi një njeri që e kishte goditur më parë me makinë dhe i nguli thikën disa herë. Vazhdoi të ecte drejt stacionit të Akihabaras dhe qëllonte të gjithë njerëzit që i dilnin përpara". Kjo lagje tregtare mban mbi të gjitha dyqane elektronike dhe frekuentohet shumë nga të rinjtë. Ajo gjithashtu mban edhe një ndër të parat dyqane që shesin robotë personalë. Zona është e mbipopulluar veçanërisht në fundjava. Por, kohët e fundit, në këtë zonë është regjistruar një rritje e kriminalitetit dhe veçanërisht rastet e therjeve me thika. Në janar, një 16-vjeçar i armatosur me dy thika kuzhine kishte plagosur disa njerëz në një rrugë të mbushur me dyqane në Tokio. Sulmi në Akihabara vjen në përvjetorin e një tjetër akti rrëqethës, kur një burrë me sëmundje mendore hyri në një shkollë elementare në qytetin e Osakas dhe plagosi shumë fëmijë, në vitin 2001. Bilanci i kësaj çmendurie ishte tetë fëmijë të vdekur dhe 15 nxënës dhe mësues të plagosur. Ky është edhe incidenti më i rëndë i regjistruar ndonjëherë në Japoni. Ndërkohë, duke u kthyer te masakra e djeshme, raportet e para tregonin se 25-vjeçari i arrestuar në lidhje me masakrën e fundit kishte qenë një gangster, por lajmet më pas u rrëzuan. Vetë ai kishte rrëfyer para policisë se e kishte kryer masakrën sepse ishte i lodhur dhe i mërzitur me jetën e tij të përditshme.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›