Fitorja ndaj Santanderit Reali i Madridit mund te shkeputet ne 13 pike nga Barcelona

Kryesuesit e kampionatit do të ndeshen sonte në orën 20:00 me Rasingun e Santanderit në “Bernabeu”, një tjetër mundësi për fitore dhe për shumë gola. Madrilenët janë shumë më mirë sesa sezoni i kaluar dhe mund të shkëputen në 13 pikë nga Barça nëse triumfojnë.
Me 75 gola të shënuar dhe 88 për qind të pikëve të fituar, Reali është padyshim skuadra më e mirë në Europë.
Barcelona luan nesër, duke pritur në fushën e saj Valencian e vendit të tretë, në një nga përballjet më interesante të La Ligës. Katalanasit nuk kanë asnjë alternativë përveçse fitores, ndërsa Lionel Mesi mund të luajë ndeshjen e 200-të për Barçën në kampionat, një rekord për katalanasit. Në fazën e parë, në Valencia, ndeshja përfundoi 2-2.
Një luftë e ashpër po zhvillohet për vendin e katërt, vend që të çon në Champions, sezonin e ardhshëm. Levante, Espanjol, Atletiko e Madridit dhe Malaga ndahen vetëm nga një pikë. Më e favorizuar duket Levante që luan në fushën e saj nesër ndaj Vajekanos.