E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fitorja, opsioni i vetëm për Hysin

Njëra prej ndeshjeve më interesante të xhiros së 28’të të Superligës do të zhvillohet të shtunën në Kastriot, ku KEK’u do të mundohet t’ia ndalë hovin Hysit. Por, bardhezinjtë në këtë përballje, objektiv të vetëm kanë fitoren, e cila do t’i mbajë në garë për titull. Nga Valon Konushevci valon.konushevci@gazetaexpress.com më 14 maj 2011 në ora 11:29

Në këtë fundjavë do të zhvillohet xhiroja e 28-të e Superligës së Kosovës në futboll, e cila konsiderohet si shumë e rëndësishme për skuadrat që me ngulm po e ndjekin titullin e kampionit dhe për ato që po bëjnë luftë të madhe për mbijetesë.

Njëra prej takimeve më të rëndësishme të kësaj jave do të zhvillohet të shtunën në Kastriot, ku KEK-u do ta sfidojë Hysin, i cili me ngulm po përpiqet t’ia rrëmbej Prishtinës pozitën e parë të tabelës.

Elektricistët po kalojnë nëpër një formë të mirë gjatë stinorit pranveror. Këtë ata synojnë ta konfirmojnë edhe në duel me Hysin, të cilit i duhen shumë tri pikët nga kjo përballje.

“Hysi ka një ekip cilësor, më të mirë sesa që e kemi ne dhe këtë më së miri e konfirmon fakti se ata gjenden në krye të tabelës duke e ndjekur titullin e kampionit. E respektojmë këtë skuadër, por megjithatë ne nuk do të dorëzohemi. Ne do të luajmë sikurse në ndeshjet e tjera dhe do të mundohemi të shënojmë fitore, edhe pse të tria rezultatet janë të mundshme në ndeshje të tilla”, u shpreh futbollisti i KEK-ut, Qëndrim Sejdiu.

Mirëpo, ekipi bardhegjelbër nuk do ta ketë aspak lehtë në këtë takim, pasi bardhezinjtë kërkojnë pikët e plota nga kjo përballje. Kapiteni i Hysit, Mentor Zhdrella thotë se ekipi i tij do të kërkojë vetëm fitore në ballafaqim me KEK-un.

“KEK-u ka një ekip të fortë ndaj të cilit do të luajmë si mysafirë. Megjithatë, sikurse në çdo ndeshje tjetër, edhe kësaj here ne do të luajmë vetëm për fitore, për çka jemi shumë të motivuar. Pra, fitorja është objektivi ynë i vetëm”, tha ai.

Përveçqë synojnë fitore në duel me elektricistët, bardhezinjtë shpresojnë që Ferizaj ta ndalë të dielën Prishtinën, dhe në këtë mënyrë ekipi nga Merdari do të ngjitej në vendin e parë të tabelës.

Po të dielën do të zhvillohen edhe dy takime të tjera interesante mes skuadrave që po luftojnë për mbijetesë. Në Rahovec, Ballkani do të luajë kundër Flamurtarit, derisa në Gjakovë do të sfidohen dy ekipet kuqezi, Vëllaznimi dhe Drenica.

Superliga – xhiroja e 28-të
E shtunë
KEK-u – Hysi
Lira – Trepça ‘89
E diel
Trepça – Besa
Ballkani – Flamurtari
Vëllaznimi – Drenica
Ferizaj – Prishtina
Të gjitha ndeshjet zhvillohen prej orës 16:00

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›