Yaya mërzitet për Kolon

Ndeshja finale e FA Cup të shtunën do të sjellë mërzi për Yaya Touren, sepse vëllai i tij, Kolo nuk do të jetë me të në fushë. Njëri prej motivimeve kryesore të Yayas për largim nga Barcelona dhe transferim në Manchester City, gjatë verës së vitit të kaluar, ishte mundësia për të fituar tituj me vëllanë e tij të madh.
Kjo është diçka për të cilën ata kishin biseduar si fëmijë duke u rritur në Bregun e Fildishtë dhe duke marrë parasysh skuadrën që ka në dispozicion City, falë shpenzimeve marramendëse të pronarit Sheikh Mansour, erdhi lajmi i mirë për ta që ëndrra e fëmijërisë më në fund mund të realizohet pas plasimit në finale të FA Cup, ku do të takohen me Stoke Cityn.
Por, karriera e Kolos është aktualisht e pezulluar. I suspenduar në pritje të seancës dëgjimore pas testit pozitiv për doping, ai do të përcjellë ekipin nga tribunat, derisa Manchester City synon të përfundojë pritjen 35-vjeçare për titull, duke mposhtur Stoke Cityn në Wembley.
Yaya është i vetëdijshëm se do të jetë vështirë. Por, ai thekson se e vetmja mënyrë për t’ia kompensuar mungesën e vëllait të tij në fushë do të jetë medalja e fituesit.
“Do të ndihem i mërzitur. Para se të transferohem në Manchester City, i kam thënë vëllait tim se dua të vij në Angli të luaj me të, dhe të fitojmë diçka së bashku. Kjo nuk do të ndodhë nesër (sot), që nënkupton se do të jetë një moment i vështirë për të, por edhe për mua. Ne kemi biseduar rreth mënyrës më të mirë për tejkalimin e problemit dhe vendosëm se ajo është fitimi i kupës. Ai më përkrah meje dhe nëse fitojmë, ky sukses do të jetë edhe për të”, tha Toure gjatë një konference për shtyp të premten.
Vëllezërit Toure do të bisedojnë para ndeshjes, siç kishin bërë para përballjes gjysmëfinale kundër Manchester Unitedit, muajin e kaluar, kur Yaya shënoi golin e fitores për Cityn. Ai ia dedikoi atë gol Kolos, duke përforcuar edhe më tepër lidhjen mes tyre.
“Vëllai im është shumë i rëndësishëm për mua. Ne bëjmë shumë shaka mes vete dhe bisedojmë gjatë gjithë kohës. Familja jonë është shumë krenare me ne të dy. Ai është sportist tipik dhe dëshiron të jetë në fushë me bashkëlojtarët e tij. Por, jeta është e tillë, ne të gjithë mund të bëjmë gabime. Ai është shumë i fuqishëm dhe e di se mund të tejkalojë gjithë këtë”, përfundoi Yaya.