E Diel, 1 Nëntor 2026

Të kënaqur me organizimin e gjysmëmaratonës

Nga Kaltrin Morina më 14 maj 2011 në ora 11:32

Federata e Atletikes e Kosovës (FAK), të premten ka mbajtur një konferencë për media, për të bërë një rrumbullakim të gjysmëmaratonës ndërkombëtare ‘Prishtina 2011’, e cila është mbajtur të dielën e kaluar në kryeqytet. Kreu i kësaj federate, Halil Sylejmani është shprehur i kënaqur me rrjedhën e kësaj gare.

“Mendojmë se ishte njëri ndër organizimet më të mira të deritanishme dhe treguam se ne dimë të bëjmë organizime të nivelit ndërkombëtar, si në çdo organizim tjetër edhe këtu ka mund të ketë ndonjë lëshim të mundshëm që vitin e ardhshëm shpresojmë t’i përmirësojmë që të bëhet organizim edhe me i mirë”, ka thënë Sylejmani.
Ai ka thënë se gjithçka ka shkuar ashtu siç ishte paraparë në agjendën e kësaj gjysmëmaratone. Por Sylejmani nuk është i kënaqur me të gjitha, pasi kishte pritur që të ketë më shumë garues, e sidomos të atletëve profesionist nga Kenia që kësaj radhe munguan.

“Pjesëmarrja e garuesve ishte rreth 400 në të gjitha kategoritë, kemi pritur që të jetë një interesim më i madh i garuesve të huaj. Në këtë ka ndikuar një garë që është mbajtur ne Maqedoni po atë ditë”, ka përfunduar Sylejmani. Fitues i kësaj gjysmëmaratone doli Meriton Hasanaj, derisa në konkurrencën e femrave vendin e parë e zuri Lucia Kimani nga Bosnja.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›