E Shtunë, 31 Tetor 2026

Karta e Adriatikut, Haxhinasto niset drejt Shkupit

Ministri i Punëve të Jashtme, z. Edmond Haxhinasto, do të marrë pjesë sot në Takimin e Komisionit të Partneritetit të Kartës së Adriatikut (A5), që zhvillohet në Shkup, në kuadër të kryesisë maqedonase të Kartës së Adriatikut. Në këtë takim pritet të marrin pjesë ministrat e Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Kroacisë, Maqedonisë, Malit të Zi, si dhe Zëvendësministri i Punëve të Jashtme i Bosnjë-Hercegovinës dhe zyrtarë të lartë të SHBA-së. Në takim do të marrë gjithashtu pjesë Ministrja e Punëve të Jashtme (u.d.) e Kosovës. Gjatë takimit vendet anëtare të iniciativës A5-SHBA do të diskutojnë mbi perspektivën e integrimit euroatlantik të Evropës Juglindore pas Samitit të NATO-s në Lisbonë dhe vazhdimin e angazhimit dhe kontributet e vendeve të Kartës së Adriatikut për Sigurinë dhe stabilitetin në Afganistan. Në përfundim të Takimit vendet anëtare të Kartës së Adriatikut do të miratojnë edhe një komunikatë finale. Gjatë vizitës së tij, ministri i Punëve të Jashtme, z. Edmond Haxhinasto, do të zhvillojë takime me homologët e tij dhe me përfaqësuesit e faktorit politik shqiptar në Maqedoni.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›