Fituesi i "Oskarit", aktualisht ndodhet në Zvicër pas hekurave
Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë kërkuar Zvicrës ekstradimin e Roman Polanskit tek autoritetet e Kalifornisë, ku ai mund të kalojë deri në dy vjet burg për akuzën e marrëdhënieve seksuale me një 13-vjeçare. Ministria e Drejtësisë bëri të ditur në një deklaratë se Uashingtoni e ka firmosur kërkesën për ekstradimin e regjisorit të enjten. Polanski aktualisht ndodhet në arrest që nga 26 shtatori. Ai ndodhej në Zvicër për të marrë pjesë në një festival filmi. Autoritetet zvicerane do të organizojnë një mbledhje në të cilën do të vendoset mundësia e dërgimit të Polanskit në Shtetet e Bashkuara. Nëse ekstradimi do të aprovohet, Polanski mund ta apelojë këtë vendim në gjykatën zvicerane të krimeve dhe më pas në Gjykatën e Lartë. Kjo do të thotë se regjisori mund të qëndrojë në burg në Zvicër për disa muaj, edhe pse sipas ekspertëve ai nuk ka shumë shanse që të shmangë kthimin në Shtetet e Bashkuara, pas 31 vitesh ikjeje. Maksimumi i dënimit që mund të marrë Polanski është dy vjet. "Nëse ai do ta konsiderojë veten fajtor për kryerjen e marrëdhënieve seksuale me një të mitur, sipas ligjit që është në fuqi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ai mund të marrë dënimin maksimal për një faj të tillë që nuk i kalon të dy vitet e burgut", bën të ditur një burim pranë gjykatës zvicerane. Po dënimi nuk mund të jetë më i gjatë. Në kërkesën për ekstradim, Shtetet e Bashkuara njoftuan Zvicrën për kohëzgjatjen e dënimit nëse ai do të kthehet në Amerikë. Avokati i Polanskit që është në Paris ka deklaruar se klienti i tij do të luftojë për të rrëzuar mundësinë e ekstradimit. "Polanski do të kundërshtojë kërkesën e ardhur nga Shtetet e Bashkuara dhe do të vazhdojë të kërkojë që të lihet i lirë", ka deklaruar avokati. Që pas arrestimit të regjisorit të famshëm në vendin alpin ku ai ndodhej për të marrë pjesë në një festival, shumë kritikë të arrestimit të tij kanë deklaruar se duket që Zvicra ka qenë shumë më e gatshme se zakonisht për të bashkëpunuar për arrestimin e Polanskit dhe se një nga shkaqet e vërteta që fshihet pas këtij arresti mund të jetë edhe kontradikta që kanë amerikanët me pasanikët e vendit të tyre që i fshehin paratë në bankat zvicerane, duke iu shmangur taksave, apo detyrimeve të tjera. Polanski që ka fituar mes shumë çmimeve të tjera edhe atë "Oskar" për filmin "Pianisti" në vitin 2003, akuzohet për përdhunim të një vajze 13-vjeçare në vitin 1977. Në fillim kundër tij u ngritën 6 akuza, të cilat më vonë ranë për të mbetur vetëm te përdhunimi. Polanski deri më tani ka pranuar vetëm akuzën më të vogël, atë të një marrëdhënieje seksuale me një vajzë minorene. Në këmbim të këtij pranimi, gjykatësit i rrëzuan akuzat e tjera dhe e dënuan Polanskin me burg për 90 ditë gjatë të cilave atij do t‘i bëhet edhe një vlerësim psikologjik. Polanski u la i lirë pas 42 ditëve, por mori vesh se pas lirimit atë do ta dërgonin sërish në qeli për pjesën e mbetur të 90 ditëve. Ai iku nga vendi më 1 shkurt të vitit 1978, ditën që do të merrte edhe vendimin. Regjisori ka lindur në Francë, por ka kaluar një pjesë të fëmijërisë në Poloni. Pasi u arratis nga Shtetet e Bashkuara, Polanski jetoi në Francë, pasi ky vend nuk i ekstradon qytetarët e tij.