Lazaratasit, sulm me armë zjarri Policisë
GJIROKASTER- Lazaratasit sulmojnë me armë zjarri postbllokun policor në lagjen e poshtme të fshatit. Ngjarja ndodhi rreth orës 01:00 të së mërkurës, kur katër banorë qëlluan me armë automatike efektivat e Policisë, të cilët janë instaluar në zonën e Kordhocës prej më shumë se dy muajsh. Sulmi mendohet se ka ardhur nga një zonë e ndërmjetme mes Gjirokastrës e Lazaratit, aty ku në shumicën e rasteve forcat policore kapin mëditësit që shkojnë fshehurazi në fshatin rebel, për të kultivuar hashashin. Të shtënat me armë zgjatën rreth pesë minuta, duke vënë në alarm policinë, por edhe banorët e Gjirokastrës. Në momentin e sulmit, në postbllok gjendeshin pesë efektiva të armatosur dhe të maskuar. Sapo janë dëgjuar të shtënat e para, ata kanë marrë pozicion mbrojtjeje duke iu kundërpërgjigjur sulmit me zjarr. Ekspertë të Policisë Kriminale bënë të ditur se plumbat e përdorur nga agresorët lazaratas kanë qenë gjurmëlënës.
Ato kanë bërë rikoshetë, në kodrat që ndajnë lagjen “Zinxhira” në Gjirokastër dhe fshatin Lazarat. Kanë qenë shkrehjet e armëve automatike, ato që shkaktuan zjarr në kodrat aty pranë. Fatmirësisht, nga të shtënat nuk pati të plagosur. Mësohet se autorësia e katër lazaratasve dihet, por emrat e tyre nuk jepen për arsye hetimi. Ata janë elementë të lidhur me trafikun e marijuanës në Lazarat, ndërkohë që ndërhyrja për t’i kapur është anuluar në momentin final, për të evituar një konfrontim të mundshëm me zjarr mes tyre dhe policisë. Ky është rasti i parë për këtë vit që forcat e policisë, të instaluara në postbllokun hyrës për në Lazarat, sulmohen me armë zjarri nga banorët e fshatit. Sulmi më armë automatike u shoqërua me një zjarr të madh që përpiu kodrat përballë Lazaratit, ku si pasojë e plumbave, barishtet u gjendën nën flakë dhe më pas për shkak të erës së fortë është përhapur me shpejtësi duke djegur plotësisht 3 ha me pisha katërvjeçare, si dhe një sipërfaqe të madhe kullote. Zjarri ka vijuar përgjatë gjithë ditës së djeshme, pasi zjarrfikëset e kanë të pamundur të ndërhyjnë për shkak të terrenit. p.n