Tritoli në lokal, pista kryesore, konkurrenca
Pista kryesore e vendosjes së katër kilogramëve eksploziv në një lokal në Lezhë është ajo e konkurrencës, ndërsa janë shoqëruar për në komisariat pesë persona nga policia. Hetuesit kanë marrë në pyetje edhe pronarin e lokalit dhe punonjës, si dhe persona të tjerë, të cilët mendohet se kanë lidhje me këtë ngjarje.
Në paraditen e ditës së djeshme, në një lokal afër rrugës Shëngjin-Lezhë u gjetën nga pronari rreth 4 kg tritol, të cilët nuk shpërthyen, pasi autorët e saj nuk ishin treguar të saktë në veprimet e tyre. Ka qenë pronari i lokalit ai që gjeti eksplozivin dhe ka lajmëruar më pas agjentët specialë, të cilët së bashku me ekspertët e eksplozivit bën të mundur çmontimin e lëndës plasëse. Sasia e eksplozivit ishte llogaritur që të shpërthente me celular, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur, pasi edhe ekspertët kanë arritur që ta çmontojnë atë. Për arsye sigurie u bllokua për rreth 45 minuta edhe aksi rrugor Shëngjin-Lezhë, derisa u arrit që të kthehej normaliteti dhe të hiqej nga lokali lënda plasëse.
Lënda plasëse u gjet në një çantë brenda lokalit. Sipas të dhënave të para nga vendi i ngjarjes, ka qenë pronari i lokalit që ka parë çantën e vendosur aty. Duke kujtuar se mund të ishte çanta e ndonjërit prej punonjësve, ai i është afruar dhe e ka hapur, por ka mbetur i befasuar teksa ka parë lëndën plasëse brenda saj. Menjëherë ai ka lajmëruar policinë i shqetësuar. Për të bërë të mundur çaktivizimin e lëndës së madhe shpërthyese është dashur ndërhyrja e ekspertëve të eksplozivit të forcave speciale.
Pas kësaj, ai ka njoftuar i alarmuar policinë lokale që ka mbërritur me urgjencë në vendin e ngjarjes. Nga këqyrja e çantës ka rezultuar se përpos lëndës plasëse brenda saj ka qenë edhe një aparat celular. Ekspertët janë treguar të shpejtë, duke izoluar zonën dhe më pas duke arritur që të bëjnë joaktive sasinë e eksplozivit, duke bërë të mundur që sasia prej katër kg tritol të mos shpërthente. Për të bërë të mundur që të sigurohej zona dhe mos të kishte probleme të tjera, është bllokuar aksi në të dy kalimet në rrugën Lezhë-Shëngjin. Pas 45 minutash, gjendja iu rikthe normalitetit, ndërsa u ngrit një grup pune për të hetuar shkaqet e kësaj ngjarjeje.