Kompania, me 630 mijë abonentë Eagle Mobile feston përvjetorin e dytë
Kompania celulare “Eagle Mobile”, me 630 mijë anëtarët e kësaj familje të madhe në të gjithë vendin, festoi dje dyvjetorin e hyrjes në tregun shqiptar të telekomunikacionit. Në vetëm 24 muaj kompania më rinore e telefonisë celulare në Shqipëri solli konkurrencën, theu monopolet dhe ofroi shërbimet më bashkëkohore me tarifat më të arsyeshme. “Eagle”, pjesë e grupit “çalik”, investoi më shumë se 50 milionë euro në ngritjen e infrastrukturës teknike, rrjetit të gjerë të dyqaneve, punësimit të ekspertëve më të mirë në fusha të ndryshme dhe krijimin e një marke shqiptare. Të gjithë abonentët e kompanisë sot kanë një dhuratë. Të gjithë abonentët që janë bërë pjesë e “Eagle” pas datës 12 mars 2009 do të dërgojnë SMS falas drejt të gjithë numrave “Eagle”. Por surpriza më e madhe për abonentët “Eagle” dhe gjithë artdashësit shqiptarë është koncerti festiv me rastin e 2-vjetorit. Të gjithë janë të ftuar në Ditën e Verës për t’u argëtuar me këngëtarët më të mirë të “Top Fest 7”, Juliana Pasha etj. Në ceremoninë e zhvilluar, Drejtori i Përgjithshëm Ali Taskin tha se “Number Portability”, pra mbartja e numrit dhe Teknologjia 3G janë projektet më të rëndësishme që duhet të zbatohen nga autoritetet përkatëse. “Ne jemi gati për këtë teknologji dhe mbështesim fuqishëm prezantimin e shërbimeve moderne që sjell kjo teknologji për të gjithë Shqipërinë dhe shqiptarët”, tha Taskin. Kompania ka lançuar edhe shërbimin më të ri të postës elektronike në celular Mail@Mobile. Abonentët do të mund t’i marrin të gjitha e-mail-et e adresave të tyre si Yahoo, Hotmail, Gmail apo çdo adresë tjetër, në një adresë të vetme në celularin e tyre në kohë reale. Për të pasur këtë shërbim, mjafton që përdoruesi të bëjë një regjistrim nëpërmjet faqes së internetit www.myeaglemail.com. Ky shërbim ofrohet për çdo aparat celular dhe ofron mundësinë e lidhjes me faqen sociale Facebook ose ngarkimin e fotove.
#