E Diel, 1 Nëntor 2026

Fituesve tu jepet mundësia për projekte të reja

Erion Hinaj

Regjisori i ri, Erion Hinaj, para dy viteve u shpall fitues i Festivalit Teatror të të Rinjve me veprën e titulluar “Kamerieri memec”, shkruar nga Harold Pinter. Ai tregon se çfarë ka ndryshuar tek ai pjesëmarrja në këtë konkurs të rinjsh, çfarë mundësish i janë ofruar gjatë këtyre viteve dhe çfarë do të ishte mirë të ndryshohej për t’u dhënë më shumë mundësi artistëve të rinj. “Për çdo të ri të diplomuar në Akademinë e Arteve, ky konkurs teatror për të rinjtë është një mundësi e madhe për të shfaqur veten dhe njohuritë e për të vënë për herë të parë një vepër në skenë para publikut. Mendoj se është një mundësi e mirë për të marrë sinjalet e para. është një përvojë shumë e nevojshme, një hap i parë i rëndësishëm për çdo të diplomuar. Në këtë aspekt festivali e luan mirë rolin e vet. Pastaj politikat që mund të ndiqen në vijim për këta të rinj janë tjetër gjë. Përpjekje po bëhen, por ndihet ende ajo klima jo e qartë e politikave të shtetit që ndikojnë në përgjithësi për t’i dhënë më shumë vëmendje teatrit dhe të rinjve. Për mua kjo eksperiencë ka ndikuar pozitivisht. A po bëhet mjaftueshëm për artistët e rinj? Të paktën po bëhet diçka edhe pse mendoj se ka gjithnjë vend për të bërë më shumë. Mundësitë janë. Po në rastin e këtij konkursi teatror për të rinj, mendoj se mirë do të ishte të zhvillohej në dy faza, të bëhej një festival në dimër e një në pranverë. Kështu do të shpërfaqeshin më shumë artistë të rinj. Do t’u jepej mundësia më shumë syresh të bëheshin pjesë e kësaj veprimtarie. Pastaj mendoj se mirë do të ishte që fituesit të këtij konkursi t’i jepej mundësia që të vinte në skenën e Teatrit Kombëtar, një tjetër projekt. Të sillte në skenë një vepër kësaj here si profesionist, me aktorë profesionistë. Kjo do ishte një ndihmë e madhe për të, në mënyrë që të mos mbetej gjithçka vetëm në kuadrin e një festivali për të rinj. Megjithatë më duhet të them se në realitetin artistik në Tiranë nuk mungon klima teatrore. Ne kemi Teatrin Kombëtar, Teatrin e Metropolit, nuk mungojnë iniciativat private dhe mendoj që në momentin që në këtë konkurs jep diçka, e ke shfaqur mirë veten, atëherë shihesh me sy pozitiv dhe nuk është se të mungojnë mundësitë për të vazhduar. Kjo është gjë e mirë”.

#

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›