Shkodër - Hani i Hotit, pronarët marrin tapitë
Pas shumë ecejakesh dhe problemesh që çuan deri në pezullimin e punimeve të superstradës Shkodër-Hani i Hotit, ka nisur pajisja me certifikatat e pronësisë e banorëve të zonës ku kalon rruga. Konkretisht janë rreth 250 persona që ndodhen nën juridiksionin e Rrethit Shkodër deri në kufi me Malësinë e Madhe, të cilët kanë nisur të pajisen me certifikata nga zyra e Hipotekës në Shkodër. Banorët e këtyre zonave të gjendur mes problematikave të shumta që kanë shoqëruar ligjin mbi tokën kanë mbetur pa tapi. Kjo ka krijuar konflikte dhe tensione, pasi në momentin që kanë nisur të bëhen vlerësimet e dëmshpërblimeve, banorët e këtyre zonave nuk kanë figuruar në asnjë zyrë pronarë të tokave. Ndërkaq, një problem tjetër për banorët ka qenë edhe çmimi i vlerësimit të tokës, ku në mbrojtje të banorëve dolën edhe drejtuesit vendorë që e quajtën të padrejtë vlerësimin e tokës “sa një metër plastmas”. Por, pas shumë diskutimesh duket se problemet janë në rrugën e zgjidhjes, megjithatë shumë çështje pronësie kanë mbetur në fazë shqyrtimi në gjykatë. Ky segment rrugor ishte premtuar të ndërtohej që në vitin 2001, por zvarritjet në procesin e shpronësimit kanë vonuar punimet.
#