E Diel, 1 Nëntor 2026

Fjala e Kryeministri Berisha në takimin me qytetarët e Gramshit

Në kuadër të turit "Shqipëria në NATO", Kryeministri Berisha zhvilloi një takim me banorët e qytetit të Gramshit.

Gjatë këtij takimi Kryeministri Berisha u shpreh: 

Ju falënderoj nga zemra për pritjen e zjarrtë dhe vëllazërore që më rezervuat.

Shpreh kënaqësinë sepse unë vij tek ju me një premtim historik, “Shqipëria në NATO”. Ky është realizimi i projekti ëndërr e të shqiptarëve për të jetuar të sigurtë për të patur të ardhmen e tyre të garantuar në liri. Pas shekujsh udhëtimesh në vështirësi të madhe, pushtime, shtypje, varfërie dhe skamje  ky është rikthimi i kombit tonë në familjen që i përket, familjen e kombeve më të lira dhe më të fuqishme të planetit. Më 3 prill ndahet historia e kombit tonë nga histori vuajtjesh e pasigurie në histori lirie dhe siguri të plotë, histori të ardhmeje. Kam pranë dy vogëlushë, me flamujt e NATO-s dhe shqiptarë, flamuj të BE-së dhe amerikanë. Shqipëria në NATO do të thotë që Shqipëria të mos jetojë më kurrë diktatura, si ajo që përjetoi, të mos përjetojë kurrë pushtime të egra. Kjo do të thotë që qytetarët të jenë të lirë, që fëmijët tanë ta bëjnë Shqipërinë një nga vendet më të zhvilluara.
Anëtarësimi i Shqipërisë në NATO vjen si rezultat i përpjekjeve të jashtëzakonshme që shqiptarët bënë në 16 vjet pluralizëm në marrëdhëniet e shkëlqyera me NATO-n dhe në ndërtimin e institucioneve demokratike dhe ekonomisë së tregut.   

Shqipëria në NATO nuk erdhi kurrë si një dhuratë apo si rezultat i interesave gjeostrategjike. Shqipëria në NATO erdhi sepse qeveria u faktoi të 26 vendeve anëtare se ky vend, se ky popull dhe kjo qeveri janë të vendosur të ndërtojnë dhe konsolidojnë në Gramsh,  Elbasan dhe kudo në Shqipëri vlerat e lirisë, vlerat mbi të cilat ngrihen shoqëritë e lira, vlerat e prosperitetit.

Tre vjet më parë Shqipëria përjetonte momente shumë të vështira, përjetonte një gjendje në vend numëro. Vërtetë situata mund të përshkruhej me vargjet e Vaso Pashës “një fjalë të mirë askush s`ta flet”, jo se kishin gjë me ne, por sepse ne paraqiteshim të përçudnuar para tyre. NATO nuk mund të pranonte një vend, qytetet e të cilit dominoheshin nga bandat e krimit.

Nuk mund të pranonte NATO-ja një vend, trarët e doganave të të cilit ngriheshin nga Nehat Kullat, Aldo Baret dhe Lul Berishat. NATO nuk mund ta donte dot një vend të tillë. Nëse nuk siguron qytetarët e tu, nëse nuk i bën të sigurta rrugët, rrugicat e qyteteve e fshatrave tuaja për fëmijët, për të moshuarit, për gratë për të gjithë atëherë ti nuk mund të kontribuosh në sigurinë e të tjerëve. Ndaj dhe ne shpallëm zero tolerancë ndaj krimit të organizuar. Në një vit e gjysëm shpartalluam, ndaluam dhe vendosëm para ligjit,  prapa hekurave mbi 900 anëtarë të 206 bandave që u shndërruan në tmerr jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për Europën. Në çdo takim ndërkombëtar i garantoja bashkëbiseduesit  e mi se shoqëria shqiptare nuk pajtohet kurrë me kriminalitetin dhe se krimi nuk është pjesë e moralit tonë.
Ne kemi patur rend e rregull edhe kur nuk kishim shtet. Por, krimi i organizuar e kishte nxirë aq shumë faqen e vendin tonë saqë shpesh më shtronin pyetjen se a janë të pakthyeshme këto arritje. U desh punë e madhe që të bindim 26 vendet anëtare që arritjet janë të pakthyeshme. Ne jemi të vendosur të zbatojmë të gjitha standardet e vendeve të aleancës dhe kjo bëri që një muaj më parë në Lubjanë 27 ministrat e jashtëm të BE-së të firmosin deklaratën, në të cilën shkruhej se reformat në Shqipëri janë frymëzuese për vendet e rajonit. Nga një Shqipëri me emër të nxirë po e nxjerrim në një Shqipëri me emër të ndriçuar.
Sot ne jemi më të vendosur se kurrë të bëjmë edhe më shumë për sigurinë tuaj. Ne i qëndrojmë luftës me zero tolerancë ndaj krimit. NATO është pasaportë e shkëlqyer për shqiptarët, një votëbesim i madh i 26 qeverive për Shqipërinë dhe shqiptarët.
Sot ne jemi më të nderuar dhe të sigurtë se kurrë në shekuj. Do të kemi të ardhmen më të shkëlqyer që kemi patur ndonjëherë. Tre vjet më parë vendi ishte i zhytur në një korrupsion marramendës, një mur i tmerrshëm korrupsioni  e ndante vendin nga Europa. Askush nuk donte të ndihmonte Shqipërinë me gjithë forcën sepse paratë e taksapaguesve shqiptarë përfundon në xhepat dhe kontot e qeveritarëve dhe zyrtarëve.
Ndaj dhe ne shpallëm luftën e vendosur kundër korrupsionit. Unë ju ftoj që gjithë qytetarët e Gramshit, gjithë qytetarët shqiptarë të vazhdojmë betejën me vendosmërinë më të madhe që të konsolidojmë arritjet që janë frymëzuese për vendet e rajonit dhe më gjerë. Ne po shembim murin e korrupsionit dhe po vendosim flamurin tonë pranë aleancës më të shkëlqyer vendeve më të fuqishme të të gjithë botës.
 
Ata që përpiqem që t`u errësojnë ju këto të vërteta, ata janë armiq të betuar të lirive tuaja. Ata që përpiqen t`u errësojnë ju këto të vërtetë janë segmentet e fundit të mafies që do të marrin përgjigjen e merituar. Ata që përpiqen t`u errësojnë ju këto të vërteta duan me çdo kusht t`ju mbajnë ju, Shqipërinë dhe shqiptarët në një shoqëri të përlyer dhe  pa të
ardhme, por Shqipëria dhe shqiptarët nuk janë kurrë të tillë ajo është shoqëri e BE-së dhe shoqëri e botës së kulturuar.

Këto ditë Organizata e Kombeve të Bashkuara publikoi një raport në të cilën faktoi atë që ju kemi thënë në mënyrë të përsëritur se krimi në Shqipëri është qartësisht më i ulët se sa në vendet e BE-së është qartësisht nën mesataren e këtyre vendeve. Sirenat e mafies që po u ngushtohen çdo ditë e më shumë hapësirat, po thonë të kundërtën, por janë po këta të cilët në momentin kur Presidenti Bush dhe 26 vendet anëtare të NATO-s votonin për Shqipërinë, ata shpifnin dhe disinformonin se Shqipëria nuk do të pranohet në NATO. Hapni sytë ndaj këtyre segmenteve sepse çdo hap drejt NATO-s dhe BE-së u ngushton gjithnjë e më shumë hapësirat segmenteve të mafies.
 
Tre vjet më parë ne i shpallëm luftë të vendosur korrupsionit. Më lejoni t`u referohem fakteve. Administrata ime është jashtë konfliktit të interesit
Nga ministra me monopole në tregun e ushqimeve, në tregun e naftës në tregun e ndërtimeve, Agron Duka, Anastas Angjeli, Spartak Poçi dhe të tjerë. Le të dalë tani një qytetar i Gramshit dhe i gjithë Shqipërisë, i majtë i djathtë apo pa parti dhe le të thotë se cili ministër ka monopol. Kjo do të thotë se qeveritarët, zyrtarët të mos mund të përdorin më pushtetin e tyre dhe të kompanive të tyre për të vjedhur paratë tuaja. Ju premtova qeveri të vogël dhe në dietë e mbajta fjalën. Sot administrata shqiptare nga segmenti më i thjeshtë deri tek Kryeministri shpenzon 110 milionë, 31 % më pak se administrata e mëparshme. 110 milionë eurot tuaja më parë i hante korrupsioni shndërroheshin në telefonata në vetura luksoze në pritje dhe përcjellje në hotele me pesë yje, shndërroheshin në shpërblime abuzive.
 
Ju premtova qeveri në dietë dhe e mbajta fjalën, ju premtova qeveri të vogël. Administrata ka 31 % punonjës më pak se në vitin 2005. Nëse do të bëja politikë votash duhet t`i shtoja 31 % më shumë, por nuk bëj vota me taksat tuaja. Edhe unë jam i interesuar për vota por jam i bindur se votat mblidhen duke bërë më të mirën për të gjithë qytetarët. Administrata ishte e zhytur në korrupsion. Bordet ishin mekanizmat më përbindësh të korrupsionit. Shqipëria ishte vendi i mijëra bordeve për çdo gjë. Natyrisht borde duhen se jo çdo ndërmarrje duhet të jetë shtetërore ato duhet të jenë publike dhe private, duhet të kenë pavarësi nga qeveria dhe bordet janë një garanci për këtë.  Por me bordet në Shqipëri ndodhte ajo që nuk ndodhte në asnjë vend të botës . Anëtarët mblidheshin dhe caktonin pagën e drejtorit dhe natyrisht shpërblimin për veten jo më pak se 1 milionë e gjysëm dhe në këtë mënyrë avullonin qindra milionë lekë, që
përfundonin në xhepat e tyre. Zyrtarët e qeverisë së mëparshme kanë qenë nga 15-21 borde dhe një zyrtar vetëm shpenzime në borde pa llogaritur rrogën e tij merrte shpërblim pothuajse sa 10 deputetë së bashku. Qeveria ime i vuri gërshërët këtij abuzimi. Qeveria me vendim caktoi se asnjë kryetar bordi nuk mund të ketë rrogë më të mëdha se sekretari apo drejtori i  Përgjithshëm i Ministrisë. Anëtarët e bordeve nuk mund të kenë më shumë se ¼ të rrogës së drejtorit. Në këtë mënyrë kursyem qindra milionë në fondin e pagave dhe të gjitha këto mbushnin në mënyrë korruptive xhepat e zyrtarëve.
Qeveria kaloi një ligj që atyre që denonconin korrupsionin u jep 50 % të vlerës dhe mbrojtje të plotë si dëshmitarëve të krimeve të rënda. Qeveria ka vendosur prapa hekurave me dhjetëra e dhjetëra zyrtarë qofshin ata zv/ministra sekretarë të Përgjithshëm, Drejtorë Rrugësh. Ju jap fjalën e nderit se nuk do të ketë zyrtarë të qeverisë time që do të zgjasë dorën drejt parave tuaja që të mos i pritet ajo me gërshërën e ligjit.

Duhet të dish se ç`është korrupsioni që ta luftosh atë. Korrupsioni është aty ku janë paratë më të shumta dhe paratë më të shumta janë në prokurime. Në vitin 2005 Banka Botërore raportonte se 70 % e prokurimeve në Shqipëri bëheshin direkt. Kjo do të thoshte tenderi i jepej atij që jepte para dhe përjashtoheshin ata që nuk jepnin para.
Autoritetet kontraktuese nuk u jepnin dokumentet kompanive për tenderin dhe ne menjëherë vendosëm mundësinë  që çdo sipërmarrës të mund të shkarkojë dokumentet e tenderit nga faqja zyrtare e internetit të Agjencisë së Prokurimeve Publike. Ne gjithashtu ndaluam me ligj prokurimet direkte. Raporti i vjetshëm i BE-së thotë se qeveria shqiptare nuk ka bërë asnjë prokurim direkt dhe kjo më jep shumë kënaqësi dhe ju jap fjalën se nuk do të bëjmë. Gjithashtu po kalojmë në prokurimet elektronike ku askush nuk e njeh vlerësuesin dhe ofertuesin, ndërkohë që kostoja e prokurimeve ka rënë me 18 % . Korrupsioni shfaqet aty ku janë paratë më të shumta. Raporti i Bankës Botërore theksonte se tre vjet më parë 1. 4 milionë dollarë përfundonin në xhepat e kontrabandistëve dhe evazorëve. Ne bëmë një reformë të thellë në sektorin e doganave, larguam një numër të lartë të korruptuarish. Nëse çmimet e referencës nuk botoheshin kurrë, sot ato botohen 3 muaj përpara. Ne jemi parti e taksave të ulëta, ne kemi bërë uljen më të madhe të taksave në rajon dhe rezultati është se në 3 vjet rresht ne paraqitëm një buxhet suplementar në parlament. Kemi mbledhur 1.2 miliardë euro më shumë të ardhura. Ky është një rezultat spektakolar në luftën kundër korrupsionit.

Kjo ka bërë që ministrat e BE-së t`i konsiderojnë frymëzuese reformat në Shqipëri. Sot ka tre sektorë që kryesojnë korrupsionin. Për fatin tim më të keq janë ish-kolegë e ish-studentë të mi që vazhdojnë të nxijnë bluzën e tyre të shkelmojnë mbi moralin e misionit të mjekut. Disa prej tyre u kërkojnë para për t`u ofruar shërbime qytetarëve duke nxirë në këtë mënyrë moralin, dinjitetin e këtij misioni e profesio0ni të shenjtë mjekut.

Akoma asnjë gjykatës në dhjetë vitet e fundit nuk ka parë qelinë, pacaka se janë hajdutët më të mëdhenj të Europës. Unë ju garantoj se do të vazhdoj betejën time derisa të shoh gjykatës dhe prokurorë, mjekë apo kushdo qoftë të përballet me ligjin. Në qytetin tuaj tre muaj më parë një faqezi si Bujar Musta, kryetar i gjykatës së Elbasanit një kriminel si ai liroi në sallën e gjyqit vrasësin e njeriut të pafajshëm. Motra e viktimës, emigrante në Itali, intelektuale tre muaj para gjyqit më bën një letër tronditëse ku më thotë se dora e zezë e vrasësit i mori jetën vëllait tim në derën e shtëpisë. Unë të garantoj se vrasësin do ta lirojnë. Dhe në fakt vrasësin e liruan. Buajr Musta u largua, por ju jap fjalën se do ta ndjekim kudo që të shkojë. Ne pamë një prokuror kur kërkoi 7 mijë euro. Është i vetmi faqezi, i cili i filmuar, i faktuar ecën i lirë në rrugët e Tiranës. Natyrisht prokuroria e shkarkoi, por gjykatësi faqezi e vlerësoi dhe e la të lirë. Sali Berisha nuk erdhi në pushtet për t`u pajtuar me ta. 

Denonconi çdo akt ryshfeti ai që na kërkon ryshfet na poshtëron ai dhunon moralin tonë, të drejtat tona, të drejtat e perspektivës tonë ndaj ju bëj thirrje bashkërisht ju dhe mbarë shqiptarëve t`i themi jo ryshfetit të denoncojmë të faktojmë çdo kërkesë për ryshfet dhe ju jap fjalën se çdo zyrtar që kërkon ryshfet do të ketë vetëm një fund, hekurat dhe burgun. Mos harroni se  tani jemi shoqëri e NATO-s nuk jemi më ata që kemi qenë. Mos harroni se së shpejti do të ecim drejt BE-së të nxjerrim në plan të parë moralin qytetar të mos pranojmë këta faqezinj të na nxijnë dhe errësojnë rrugën që kemi zgjedhur.

Shqipëria në këto tre vjet ka ndryshuar më shumë se kurrë. Shqipëria tre vjet më parë ndodhej para murit të krimit sot është një nga vendet më të sigurta, Shqipëria ndodhej tre vjet më parë para murit të korrupsionit, sot e ka shembur atë, Shqipëria sot ka firmosur  Marrëveshjen e Stabilizim e Asociimit , Shqipëria e cila tre vjet më parë  ishte vite dritë larg NATO-s sot shkon e sigurtë drejt saj. Por Shqipëria vetë ka bërë ndryshime të jashtëzakonshme. Sot ky vend më shumë se kurrë në tërë ekzistencën e tij  është kantier ndërtimi.
Milionat e miliardat që ne ja morëm korrupsionit po shndërrohen në rreth 800 km rrugë, autostrada e superstrada nga Konispoli në Vermosh. Vetëm këtë vit investojmë në rrugët e Shqipërisë pa llogaritur fondet e pushtetit vendor 1.2 miliardë dollarë , 90 miliardë lekë, 8 herë më shumë se në vitin më kulmor të qeverive të mëparshme. Këtë vit ne realizojmë tërësisht zotimin tonë për dyfishimin e pensionit minimal në fshat. Këtë vit ne bëjmë sërish një rritje të ndjeshme pensionesh. Nga viti 2006 deri më sot rrogat e arsimtarëve janë rritur me 50%, pagat e infermierëve me mbi 50%. Janë rritur më shumë se në çdo vend tjetër të rruzullit tokësor. Kudo që të gjeni një vend tjetër që ka rritur kaq shumë pagat e tyre le të thotë. Ne kemi dyfishuar të gjithë investimin për arsimimin e fëmijëve tanë. Nga 52 mijë studentë që kishim në 2005 sot kemi 102 mijë dhe ju garantoj se do të vazhdohet deri sa të bëhen 140 mijë.  Ne po përgatitemi që çdo nxënës që mbaron klasën e 9-të të ndjekë shkollën e mesme, dhe çdo nxënës që mbaron maturën të ndjekë Universitetin.  Një zinxhir i tërë konviktesh po ndërtohen në mbarë vendin. Ne do të ndërtojmë konvikt të ri në Gramsh, për të gjithë fëmijët për t`u shkolluar në qytet për të marrë maturën dhe më pas të ndjekin universitetin.  Në Gramsh dhe në çdo skaj të vendit të gjitha shkollat në fund të vitit do të kenë kabinet informatike dhe internet, Mosha digjitale është mosha më e shkëlqyer, asgjë nuk lehtëson më shumë shërbimet ndaj qytetarëve se sa kompjuteri. Ne persistojmë në qëndrimin tonë.

Unë  do të raportoj se ku shkojnë paratë. Ato kanë shkuar në rroga dhe pensione. Kemi vendosur  për paga dhe pensione 38 miliardë lekë, 13 miliardë lekë në vit në paga dhe pensione ndërkohë që paraardhësit tanë  34 miliardë në 8 vite ose 4.1 miliardë në vit. Pra ne kemi vendosur 8 herë më shumë për paga dhe pensione.

Unë po bëj një tur në mbarë Shqipërinë për të takuar të gjithë qytetarët. Qëllimi i parë i këtij turi është për t`u shpjeguar qytetarëve se si po përdoren paratë e tyre.

Kudo që shkoj unë gjej projekte dhe vetëm projekte. Edhe këtu në Gramsh sot ne inauguruam asfaltimin dhe sistemin  e një lagjeje që 40 vjet ka njohur vetëm baltë ndërkohë që është një nga lagjet më të vjetra të qytetit. Inauguruam sistemin e ndriçimit të një lagjeje tjetër, inauguruam një rrugë tjetër prej 4 km në fshatin Pishaj që vjen drejt Gramshit, takova kryetarin e Porocanit dhe më njoftoi se nuk kishte lidhje me rrugën. Takova autoritetet lokale tuajat. Vij me një ndenjë autokritike tek ju sepse ju meritoni shumë më tepër dhe unë ju jap fjalën se do të përmbushë të gjitha zotimet e mia.

Unë jam i vetëdijshëm për vështirësitë tuaja ndaj u kërkova autoriteteve të Bashkisë të sjellin projektin e unazës dhe projektin e ujësjellësit dhe ne do t`i financojmë ato. U kërkova të sjellin të gjitha projektet në mënyrë që të mos ketë asnjë pëllëmbë rrugë të pasistemuar dhe pa-asfaltuar në qytetin tuaj. Unë nuk mund të pranoj që ditë pas dite të qëndroni në baltë ato para janë tuajat dhe ju duhet ta ndjeni që qyteti juaj merr fytyre europiane.

NATO është perspektivë e madhe jo vetëm për Kristin dhe Henrin, vogëlushët tanë por  edhe për ne të tjerët , për të gjithë qytetarët. NATO shton besimin tek Shqipëria, ajo është pasaportë besimi. Kompanitë më të mëdha të botës dhe Europës janë sot në Shqipëri. Edhe në rrethin tuaj pyjet janë pasuri e madhe e Gramshit. Edhe këtu ekzistojnë projekte për hidrocentrale nga më të mëdhenjtë në Shqipëri dhe Europë.

Dua të mbyll fjalën time duke iu përshëndetur vëllazërisht dhe duke iu siguruar se do të mbështesë autoritetet tuaja vendore në të gjitha projekt që ata bëjnë për ju. Qeveria ime ka trefishuar grantin për qeverisjen vendore, ju jap fjalën se do ta katërfishojmë. Shpreh kënaqësinë time më të madhe se vërtet janë forcuar kapacitet ndërtuese.

 Kur shkoj në fshatra befasohem kur gjej rrugë të standardeve më të mira ndërkombëtare dhe kjo tregon se rritur kapacitete tona zhvillimore kjo tregon se ne do ta bëjmë Shqipërinë një vend europian.

Në ditët e para të qershorit ne marrin pyetësorin për lëvizjen tuaj të lirë. Zotohem para jush dhe qytetarëve shqiptarë se do të përmbush çdo detyrim në mënyrë që ju të lëvizni të lirë në të gjithë Europën.
 

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›