E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha inspekton punimet në rrugën e re Fshat-Gramsh-Vinë

Kryeministri Berisha inspektoi sot punimet në rrugën e re Fshat-Gramsh-Vinë, në rrethin e Gramshit. Ky segment rrugor me gjatësi 4.4 km me gjerësi 3.5 m,  i hapur nga fillimi, është investim i buxhetit të shtetit me vlerë 20 milionë lekë.
 “Kjo është një rrugë prej 10 km. Sot ne inaugurojmë rikonstruksionin e 4 kilometrave të para. Pasi të përfundojë rikonstruksioni ne do të asfaltojmë të tërë rrugën. Rruga jo vetëm lidh këtë komunë me Gramshin, por lehtëson edhe komunat e tjera që janë plotësisht malore dhe në kushte klimaterike më të veçanta se sa zonat e tjera dhe ne do të përpiqemi t`ua lehtësojmë distancën”, u shpreh Kryeministri Berisha duke nënvizuar se zona ka pasuri natyrore që duhen shfrytëzuar dhe për këtë arsye ka nevojë për infrastrukturë moderne.
Kryeministri theksoi se do të përgatitet tenderi për asfaltimin e 4 kilometrave të para kësaj rruge, ndërsa garantoi se ajo do të shtrohet deri në qytetin e Gramshit.  

“Hapja e rrugës ka përfunduar. Ne po përgatisim tenderin për asfaltimin e 4 kilometrave të para, por ju siguroj se asfaltimi do të bëhet deri në qytetin e Gramshit. Ky është një nga rrethet me probleme madhore në infrastrukturë dhe qeveria angazhohet të bëjë të gjitha përpjekjet për të lehtësuar qarkullimin dhe jetën tuaj”, u tha Kryeministri banorëve të kësaj zone.
Gjithashtu Kryeministri Berisha siguroi kryetarin e komunës se qeveria do të mbështesë çdo projekt që synon lehtësimin dhe përmirësimin e jetës së banorëve.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›