Kryeministri Berisha: Të vendosur të nxjerrim qytetarët nga balta
Kryeministri Berisha inauguroi sot përfundimin e sistemit të ndriçimit në qytetin e Gramshit, investim i buxhetit të shtetit me vlerë 5 milionë lekë.
Duke vlerësuar cilësinë e mirë të punimeve,Kryeministri Berisha tha se përfundimi i këtij projekti i jep një fytyrë të re kësaj lagjeje të bukur të qytetit të Gramshit. “I kanë bërë një sistem shumë të bukur kësaj lagjeje që është në zhvillim dhe infrastruktura është një përparësi e Bashkisë dhe ne e mbështesim atë për çdo projekt në infrastrukturë”, u shpreh Kryeministri Berisha.
Më pas Kryeministri inspektoi punimet për rikonstruksionin e trotuareve dhe sistemin e ndriçimit në lagjen “Sporti”, të qytetit të Gramshit, një investim tjetër i qeverisë me vlerë 4.4 milionë lekë. Punimet janë në fazën përfundimtare të asfaltimit, fazë e cila do të pasohet me gjelbërimin e të gjithë rrugës.
Kryeministri tha se që nga viti 1984 e deri më sot nuk është bërë asgjë për këtë lagje, dhe shprehu kënaqësinë që qeveria e drejtuar prej tij ka marrë përsipër sistemimin e kësaj lagjeje. “Në këtë lagje që nga viti 84 deri më sot nuk është bërë asgjë jo vetëm për këtë lagje, por edhe për Gramshin. Është një përgjegjësi e të gjitha qeverive, por unë ndjehem i lehtësuar dhe i kënaqur që qeveria që unë drejtoj ka marrë përsipër sistemimin e kësaj lagjeje pasi është e pafalshme që qyteti është lënë në harresë për 8 vjet nga dy qeveri socialiste”, u tha Kryeministri banorëve të Gramshit.
Kryeministri i siguroi ata se qeveria do të asfaltojë dhe modernizojë të gjithë infrastrukturën e qytetit të Gramshit. “Pushteti lokal do të bëjë të gjitha projektet për të gjitha rrugët dhe rrugicat e qytetit dhe qeveria do ta mbështesë atë duke përmbushur një detyrim ndaj qytetarëve të Gramshit”, tha Kryeministri.
Më tej Kryeministri përshkoi në këmbë të gjithë lagjen dhe u takua e u përshëndet me banorë të saj.
Gjithashtu Kryeministri inauguroi shtrimin e rrugës dhe rrugicave në lagjen Xhile Lici në qytetin e Gramshit, një nga lagjet më të vjetra të këtij qyteti.
Kjo, tha Kryeministri, është një nga lagjet më të vjetra të qytetit e Gramshit , e cila për 40 vjet ka përjetuar vetëm baltë. “Garantoj të gjithë qytetarët e Gramshit se do të asfaltojmë çdo rrugë e rrugicë të këtij qyteti se do të rindërtojmë të gjithë rrjetin e brendshëm të ujësjellësit të qytetit dhe do të ndërtojmë unazën e qytetit”, u shpreh më tej Kryeministri Berisha.