Kryeministri Berisha fton opozitën të mbështesë nismën për kufizimin e imunitetin për çështjet e korrupsionit
- Kryeministri: Deklarata e deputetit se heq dorë nga imuniteti, akt propagandistik dhe i pavlerë.
Në mbledhjen e grupit parlamentar të PD-së, Kryeministri Berisha risolli në vëmendje nismën e rëndësishme për kufizimin e imunitetit për çështjet e korrupsionit, duke ftuar opozitën të mbështesë këtë nismë jo me deklarata propagandistike, por duke iu bashkuar maxhorancës në këtë nisme.
“Dëshiroj të sjellë në vëmendjen tuaj nismën që ka të bëjë me një standard shumë të rëndësishëm, kufizimin e imunitetit për korrupsionin. 4 vjet më parë PD-ja ndërmori nismën ligjore dhe dorëzoi në parlament ligjin, me të cilin ajo, atëherë në opozitë, kërkonte kufizimin e imunitetit lidhur me korrupsionin. 4 vite më parë ish maxhoranca e atëhershme, sot në opozitë, e hodhi poshtë në mënyrë krejtësisht të pabazuar kërkesën tonë, ndonëse ne ishim të vendosur të votonim çdo variant që do të pranonte ish maxhoranca,” u shpreh Kryeministri.
Kryeministri theksoi se kufizimi i imunitetit për çështje korrupsioni është edhe një kërkesë e Këshillit të Europës, në të gjitha dokumentet për Shqipërinë.
“Kufizimi i imunitetit për çështje korrupsioni, - tha Kryeministri, - nuk është kjo një dëshirë spontane e PD-së, por është një kërkesë e prerë e Këshillit të Europës, në të gjithë dokumentet e tij të lidhura me Shqipërinë, moszbatimi i së cilës e bën luftën kundër korrupsionit të dyshimtë dhe e mban Shqipërinë në gjendje monitorimi. Kushdo që do ta lexojë marrëveshjen e nënshkruar me Greco-n, njësinë e luftës kundër korrupsionit në Këshillin e Europës, është shumë e qartë që, në vitin 2004, Shqipëria ishte e zotuar të realizonte kufizimin e imunitetit.”
Duke risjellë në vëmendje faktin se për këtë ligj është shprehur edhe Komisioni i Venecias, Kryeministri ftoi opozitën të rishqyrtoi qëndrimin e saj ndaj kësaj nisme.
“Ne, me të ardhur në pushtet, një nga ligjet e para që dërguam në parlament ishte ky ligj. Opozita reagoi me vendosmëri dhe ashpërsi të jashtëzakonshme kundër tij. Natyrisht, për të vlerësuar shqetësimet e opozitës i gjithë ligji iu dërgua Komisionit të Venecias, që përbën institucionin më të rëndësishëm në Europë për ekspertizën ligjore, i cili ka hartuar me dhjetëra Kushtetuta pas rënies së perdes së hekurt dhe ka shqyrtuar me qindra ligje në demokracitë e reja. Pasi shqyrtoi ligjin tonë, ai e gjen atë plotësisht të mundur, por sugjeron që ky ndryshim është e këshillueshme të bëhet me 84 vota. Nuk ka asnjë përcaktim se duhet ndryshim i Kushtetutës.
E ftoj opozitën të rishqyrtojë qëndrimin e të mos bëjë një lojë që është shumë thjesht e lexueshme. Deklarata e deputetit se heq dorë nga imuniteti është flluskë limoni, sepse, në këtë koncept, imuniteti i jepet parlamentit. Ata, të cilët duan të merren seriozisht me imunitetin dhe do të shohin se ai është një mbrojtje që parlamenti i bën vetes së tij, në mënyrë që të ushtrojë kompetencat në të gjithë gjerësinë e tij. Në rast se parlamenti nuk vendos si kolektiv, akti yt, për të mos thënë se mbetet don kishotesk, mbetet tërësisht i pabesueshëm. Ndaj dhe unë e ftoj opozitën të bëjnë edhe këtë hap shumë pozitiv, të bashkojmë votat dhe të kufizojmë imunitetet përsa i përket çështjeve të korrupsionit, jo për të tjerat. Të përpiqesh të lash duart me një deklaratë se heq dorë nga imuniteti, në një kohë kur prokurori, me ligjin aktual, as nuk mund të mendojë të të hetojë, sepse parlamenti nuk e lejon, ndërkohë që e dimë se ai nuk ka të drejtë të ndërmarrë asnjë hap mbi deklaratën tënde individuale, sepse imuniteti është i parlamentit, kjo e bën deklaratën akt propagandistik dhe të pavlerë. Uroj që opozita ta rishqyrtojë qëndrimin.
Nga ana tjetër, mendoj që gjërat nuk zgjidhen me deklarata para mediave, të cilat në çdo moment parapëlqejnë kundërvendosjen e tyre. Duhet një përballje me dialog me të gjithë faktorët, me të gjitha partitë në parlament në mënyrë që të biem dakord dhe ta kapërcejmë së bashku edhe këtë ligj. Problemet nuk zgjidhen me deklarata, por duhet të ulemi me të gjithë deputetët tanë, të partive të tjera, ta diskutojmë me opozitën dhe t’u themi se hapi i parë që bëtë nuk ka efekt dhe është propagandistik, prandaj duhet t’i kthehemi punës,” u shpreh Kryeministri.