E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fjala e Kryeministrit Berisha me banorë të Elbasanit

Në kuadër të turit “Shqipëria në NATO”, Kryeministri Berisha zhvilloi mesditën e sotme një takim me qytetarë të Elbasanit, gjatë të cilit u shpreh:

"Të dashur qytetarë të Elbasanit,
Zonja kryetare e Kuvendit,
Zotërinj ministra dhe deputet,

Së pari, dua t’ju përshëndes përzemërsisht dhe të shpreh bindjen se me tre prill kur iu deklarova kryetarëve të 26 shteteve dhe qeverive vende anëtare të NATO-s se për shqiptarët dhe Shqipërinë ftesa anëtarësim në NATO ishte një mrekulli, kam shprehur atë që shpreh zemra juaj dhe ndjenjat tuaja. Kam shprehur atë që shprehnin rilindësit tanë, të cilët i projektuan Shqipërinë dhe shqiptarët gjithnjë në gjirin e familjes së kombeve të lira perëndimore. Me të vërtetë kjo ishte një mrekulli për të cilin ne shqiptarët kishim pritur gjatë për ta arritur atë. Ne kishim bërë sakrificat më mbinjerëzore. Anëtarësia në NATO është një ngjarje e madhe historike për çdo kom dhe çdo vend, por anëtarësia në NATO për Shqipërinë dhe shqiptarët, të cilat kanë pasur një histori të mundimshme dhe ndaj të cilëve historia ka qenë një njerkë e vërtetë, i rezervoi copëtime, pushtime, diktatura dhe u rezervoi në tërësi kohë të ndaluar dhe kohë të ngadalësuar, i privoi nga e ardhmja dhe zhvillimi vetëm e vetëm për faktin se nuk ishin të lirë dhe jo se vendi i tyre nuk kishte mundësi të begatohej si vendet e tjera. Pra për në kjo përbën një mrekulli të madhe dhe arritjen tonë më të madhe në fushën e lirisë dhe sigurisë.
 Më 3 prill ndahet historia, nga një histori pasigurie në një histori sigurie, nga një histori pa të ardhme në një histori me të ardhme, në histori progresi dhe zhvillimi të shpejtë. Jo sepse tre prilli ishte datë që ndau historinë tonë. Tre realizoi një projekt ëndërr të shqiptarëve, të cilët sot mbështesin anëtarësimin në NATO në shumë se të gjitha kombet e tjera në Evropë. Tre prilli është finalizimi i një ëndërr, të cilën e shpalosëm së bashku me të rinjtë shqiptarë në vitet’ 90 në rrugët dhe sheshet e Tiranës. Tre prilli është Shqipëria zonjë e rilindësve tanë Shqipëria në NATO,  është Shqipëria zonjë e rëndë dhe e respektuar.

Ftesa për në NATO nuk ardhur si rezultat i interesave gjeostrategjike apo rezultat i dëshirave për të integruar rajonin me çdo kusht, por ftesa në NATO është meritë e juaja qytetarë shqiptarë. Ju i dëshmuat miqve tanë kudo në botë se ju jeni të vendosur të zhvilloni në këtë vend shoqërinë e bazuar në vlerat e një shoqërie të lirë. Se ju jeni të vendosur të zhvilloni në këtë vend ekonominë e tregut njëlloj si në vendet e zhvilluara. Pra, ishin qëndrimet pro vlerave të shoqërive të lira ato që bënë të mundur ftesën në NATO. Ftesa për anëtarësim në NATO ishte rezultat i reformave më të thella të ndërmarra nga qeveria ime gjatë tre viteve të fundit. Pa këto reforma ne do të rendnim pas saj si udhëtari pas horizontit të cilin se arrin asnjëherë. Ne u faktuam partnerëve tanë se kemi përkushtim absolut për reforma dhe se i konsiderojmë ato jetike për qytetarët tanë.

Tre vjet më parë Shqipëria ishte bërë famëzezë për krimin e saj të organizuar. Krimi i  organizuar shqiptar ishte ndër më të famshmit dhe më të organizuarit në Evropë, por premtimi im para jush, të nderuar qytetarë,  ishte zero tolerancë ndaj krimit.
Bandat që kishin vendosur ujdi me politikën, që kontrollin porte, aeroporte, fshatra dhe qytetet më të largëta të vendit, ishin bërë famëkëqija në mbarë Evropën dhe kishin nxire deri në palcë imazhin tonë. Kishin krijuar përshtypjen se këta njerëz dhe ky komb është përshtatur me krimin. Nuk është e vërtetë se ne ishim përshtatur apo mund të përshtatemi me krimin. Ne jemi një komb me standarde morale shumë të vyera, jemi një komb që kemi pasur rend, ne jemi një komb që në rrugët dhe sokakët e tij, gratë dhe fëmijët kanë shëtitur të lirë në të gjitha kohërat.
Ndaj dhe unë i deklarova zero tolerancë ndaj Aldo Bareve, Nehat Kullave, Lul Berishave. Me një përqendrim të plotë dhe total, me një përkushtim të policëve dhe oficerëve të policisë shqiptare, si dhe organeve të tjera, brenda një viti e gjysmë ne vendosëm prapa hekurave 206 organizata dhe grupe kriminale, si dhe arrestuam mbi 900 anëtarë dhe drejtues të këtyre organizatave. Shqipëria sot është një ndër vendet më të sigurta në Evropë dhe ka tregues të kriminalitetit qartësisht më të ulët se mesatarja e vendeve të BE-së. Ne u faktuam 26 vendeve anëtare të NATO-s dhe qeverive të tyre, se jemi të vendosur të garantojmë lirinë, sigurinë, jetën, pronën e qytetarëve shqiptarë.
Në këtë mënyrë ne mund të jemi, jo vetëm faktor sigurie në rajon por të eksportojmë siguri dhe në zonat e nxehta të globit.
Ushtarakët tanë përmbushin me përkushtim detyrat në Irak, në Afganistan dhe së fundi nisen në Çad. Le ti përshëndesim ata, të cilët i kemi ambasadorë të shkëlqyer të sigurisë.

Të dashur qytetarë dhe qytetare të Elbasanit,
Ftesa nuk i erdhi Shqipërisë i lëmoshë. Ftesa për në NATO nuk u zbriti shqiptarëve nga qielli. Ftesa erdhi si rezultat i përkushtimit total në reforma për të nxjerrë shqiptarët, qytetarët e këtij vendi, nga të këqijat që rrënonin çdo ditë të ardhmen e tyre; krimi i organizuar dhe korrupsioni.
Të gjitha raportet ndërkombëtare faktonin se në Shqipëri korrupsioni është shndërruar në sistem dhe se në Shqipëri sundonte kleptokracia. Ne erdhëm në pushtet kur trarët e doganave dhe faturat e tatimet priteshin nga gjobëvënësi. Vetëm në tatime dhe dogana qytetarët shqiptarë humbisni 1.4 miliardë dollarë me kursin e këmbimit të 2007.
Ne erdhëm në pushtet në një kohë kur qeveria ishte e mbushur me ministra që menaxhonin dhe drejtonin monopolet e tyre private, në ushqime, në naftë, ndërtime, etj..
Ne erdhëm në pushtet në një kohë kur asnjë qytetar i Elbasanit apo i Shqipërisë nuk dërgonte dot djalin apo vajzën në Universitet pa paguar ryshfet. Ne erdhëm në pushtet kur 70 % e prokurimeve bëheshin në mënyrë direkt, pa pyetur për garën dhe konkurrencën e ndershme. Këto nuk janë fjalët e mia, por të gjitha janë pohime me shkrim nëpër raportet ndërkombëtare.
Ne erdhëm në pushtet kur administrata si një lubi mbi paratë tuaja shpërdoronte shumë përrallore në udhëtime, pritje e përcjelle, telefona, etj..Ne erdhëm në pushtet kur mijëra borde në Shqipëri funksiononin fund e krye mbi bazën e konfliktit të interesit. Mblidheshin dhe caktonin në stratosferë rrogën e drejtorit dhe rroga e tyre ishte mbi përqindjen e rrogës së drejtorit. Miliarda lekë abuzime dhe zyrtarët më të favorizuar anëtarësoheshin në 10, 15 apo 21 borde. Kjo ishte situatat dhe nuk duhet ta harroj.
Unë jua them këtë sepse në jemi një komb i vuajtur dhe bëjmë mirë që përpiqemi të harrojmë, por gjërat kryesore bëjmë mirë që ti mbajmë mend në mënyrë që ta kemi mendjen të kthjellët dhe të qartë.
E them këtë sepse po ti referohemi njoftimeve, sot flitet nga mëngjesi në darke, nga ish gjobëvënësit, për korrupsion. Unë nuk them se nuk ka korrupsion, por gjoba nuk vihen më. Ka liri të plotë shprehje por nuk ka gjoba. Ata të cilët e kishin ndërtuar parajsën e tyre mbi klientelën, ata u futën në garë. Nëse fitojnë në garë le të fitojnë, por nga lidhjet me ministrin apo kryeministrin nuk mund të fitosh. Le të analizojmë së bashku se cilat janë rezultatet e luftës kundër korrupsionit.
Të gjithë jemi në një mendje se ka korrupsion, por kurrë nuk do të dimë ta luftojmë ndonjëherë nëse nuk njohim ato që kemi arritur bashkë. Ju premtova një qeveri të vogël dhe administrata u shkurtua 33 përqind. E tëra rëndonte mbi shpatullat tuaja me rrogat e veta, por interesi juaj, dhe jo imi apo partisë time ishte për këto para. Interesi juaj është që paratë të shkojnë sa më pak për paratë e rrogëtarëve, sigurisht ata do të paguhen, por të shkojnë kryesisht për rrugë, shkolla, spitale, për mirëqenie.

Unë ju premtova një qeveri në dietë dhe e kam mbajtur premtimin. Shihni të gjitha të ardhurat dhe shpenzimet operative të administratës dhe të qeverisë time. Vitin e parë ne i kemi shkurtuar ato nga 30-65 % në vazhdim nga ministritë, agjencitë dhe institucionet e pavarura. Sot, shpenzimet operative të administratës që rëndojnë mbi ju janë zvogëluar mbi 31 përqind dhe janë kursyer rreth 110 milionë euro.
Por, ç’u bë me këto para të kursyera? Po flas për shifra por të gjitha janë vepra, të gjitha janë fakte të qarta si drita e diellit. Ju premtuam se ne do të arrestonim ata që korruptohen dhe janë mbi 80 zyrtarë të arrestuar. Uroj dhe dëshiroj që drejtësia të japë verdiktin e saj. Unë ju garantoj ju se nuk do të kursehet asnjë zyrtar që kryen aktin e turpshëm dhe kriminal të korrupsionit.
Nga 70 % të prokurimeve direket Komisioni i Bashkimit Evropian deklaroi vjet nëpërmjet raportit të tij se qeveria shqiptare nuk ka kryer asnjë prokurim direkt. Nuk them që nuk ka korrupsion, por midis korrupsionit me rreth 70 % të prokurimeve direket dhe korrupsionit pa asnjë prokurim direkt të jeni të sigurt se janë të ndryshëm si nata me ditën. Këtë dallim e dëshmojnë të gjitha rrugët e Shqipërisë, ujësjellësit, shkollat, etj..

Tani ne po kalojmë në prokurime elektronike ku asnjë nuk do të njohë më as vlerësuesin dhe as ofertuesin. Forma më transparente e prokurimeve, taksat, doganat. Ne arritëm të ulim koston e prokurimeve në kohën e rritjes më të lartë të çmimeve.
U arritën qindra milionë dollarë kursime. Humbjet më të mëdha të parave i keni pasur në taksa dhe tatime, rreth 1.4 miliardë dollarë. Ne ulëm taksat sa asnjë vend tjetër në Evropë; me 150 % tatim fitimin, me 130 % tatimin mbi të ardhurat, sigurimet shoqërore.
Por, ç’ndodhi me të ardhurat? Të ardhurat jo vetëm që nuk u pakësuan, por u rritën nga viti në vit. Çdo vit në muajin qershor, përfshi dhe këtë vit ne do të çojmë në Kuvend buxhetin suplementar. I tëri është rezultat i luftës kundër korrupsionit, kundër evazionit dhe kontrabandës. Të ardhurat jo vetëm që nuk u ulën por u rritën. Këtë vit ne vjelim për arkën tuaj publike 1.2 miliardë dollarë më shumë se në vitin 2005. këto janë shifrat por të shohim veprat që janë ndërtuar me to.
Jam në qytetin e dijës dhe po e filloj me arsimin. Ne jemi sot i vetmi vend në Evropë dhe në botë që në përputhje me premtimin kemi rritur me mbi 50 % rrogat e arsimtarëve dhe do ecim drejt dyfishimit të tyre. Këtu në Elbasan kam parashtruar unë platformën për arsimin dhe kam deklaruar se në qoftë se nuk e bëjmë mësuesin zonjë dhe zotëri, ne nuk mund të ecim në rrugën e duhur me arsimin. Ne dyfishuam buxhetin për arsimin dhe unë ju them se e kemi realizuar për ketë vit. Këtu në Elbasan e kam premtuar se do të shtrij internetin në çdo shkollë. Opozita më ka ironizuar opozita atëherë, por unë kam kënaqësinë e madhe t’ju informoj se tani janë instaluar rreth 800 kabinete informatike dhe me internet, dhe brenda fundit të vitit në çdo shkollë, të vogël apo të madhe, kudo që ndodhet, do të ketë internet. 
Në mbarë vendin janë prokuruar dhe nis ndërtimi i një zinxhiri konviktesh, me të cilat ne do të bëjmë që secili fëmijë shqiptar që mbaron klasën e 9-të, të vijë dhe të ndjekë shkollën e mesme, pavarësisht se ku ndodhet shtëpia e tij. Ky ishte zotimi ynë dhe këtij i përmbahemi. Janë rindërtuar dhe ndërtuar mbi 150 shkolla dhe do të ndërtojmë aq sa do të ketë nevojë. Nuk do të ketë asnjë kufizim për arsimimin modern të fëmijëve tanë. Do të bëjmë përpjekje të mëdha për arsimin profesional, i cili ishte në kolaps të plotë. Ne kemi mbajtur dhe një tjetër premtim shumë të madh, atë të liberalizimit të universiteteve. Vitin e parë ne liberalizuam universitetet dhe rezultati është që nga 52 mijë studentë kemi sot 102 mijë studentë, kemi 13 500 studentë ne Universitetin e Elbasanit. Ne kemi krijuar fondin për studentët e shkëlqyer dhe unë ju them se çdo vajzë apo djalë juaji që mbaron universitetin dhe që aplikon në një universitet perëndimor, për doktoratë apo master do të ketë bursën e shtetit, me kusht që të firmosë kontratën për tu kthyer dhe punuar për 5 vjet në Shqipëri.
Ne kemi katërfishuar investimet në arsimin e lartë. Sot unë vizita korpusin dhe dua ta falënderoj Rektorin se me atë investim i ka dhënë Elbasanit një universitet dinjitoz, ashtu si e meriton ky qytet. I kërkova rektorit të marrë të gjitha masat për të hapur Fakultetin për Informatikën dhe unë do të mbështes fuqimisht. Por, cilat janë veprat e tjera që janë bërë? U ndala te arsimi dhe zotohem se qeveria ime do të bëjë çdo përpjekje për modernizimin e arsimit dhe se  investimin në arsim e konsideroj si investimin më jetik dhe më përcaktues për një të ardhme të ndritur të Shqipërisë dhe Shqiptarëve.

Ku janë veprat e tjera të anti korrupsionit? Janë sot në të gjitha rrugët e Shqipërisë, nga Konispoli në Vermosh, nga Liqenasi në Valbonë. Shqipëria si kurrë në historinë e saj i ka rrugët në ndërtim nga autostrada që po shpallen kryevepra të nderimeve në Evrope e deri te rrugët superstrada dhe rrugë të tjera. Ne do ti japim Shqipërisë një nga rrjetet e rrugëve më moderne që ekzistojnë. Vetëm këtë vit, ne investojmë në rrugët e Shqipërisë 90 miliardë lekë, kundrejt 11.1 miliardë investime në vitin më kumor të investimeve të qeverive të mëparshme. Pra, ne investojmë 8 herë më shumë. Ne investojmë në ujësjellësit e vendit shumë e shumë herë në krahasim me qeveritë e mëparshme. Ne investojmë në sistemin energjetik shumë që nuk janë investuar asnjëherë më parë. Ne jemi përpjekur dhe do të përpiqemi të ruajmë bashkësimin social. Kemi bërë fakt rritjen më të madhe të rrogave. Ju garantoj se nuk gjen ndonjë vend që ka bërë rritjen më të madhe të pensioneve sesa të qeverisë time. Këtu në Elbasan premtova se nuk do të ketë pension në qytet nën 100 dollarë dhe vij ballëhapur te ju sepse sot nuk ka pension në qytet nën 110 dollarë më kursin e atëhershëm dhe jo të tanishmin. Ju premtova ju se do të dyfishoj pensionin minimal dhe këtë vit ai dyfishohet tërësisht. Ishte 34 mijë lekë dhe bëhet 68 mijë lekë.

Të dashur qytetarë, kemi vendosur rritjen e rrogave të mësuesve, infermierëve, policëve, ushtarakëve, rritjen e pensioneve në qytet, në tre vjet 38 miliardë lekë nga 34 miliardë lekë që kishin vendosur në 8 vjet, në kemi vendosur 13 miliardë në vit nga 4.1 miliardë në vit. Ne kemi vendosur mbi tre herë më shumë sesa ata. Këto janë veprat e luftës kundër korrupsionit.

Qytetarë dhe qytetare të Elbasanit,
Kudo që shkoj unë ndalem te korrupsioni sepse ky fenomen është tepër i rrezikshëm. Sot ne jemi një komb anëtar i NATO-s dhe një komb që do të shkojmë drejt anëtarësimit të plotë në BE, por asnjë popull tjetër nuk ka bërë sakrifica më të mëdha se sa ne dhe nuk ka patur një të shkuar me me vuajtje sesa ne. Atëherë bashkërisht duhet të zgjidhin problemet e mëdha që na mbeten. Ne kemi një problem të madh, ryshfeti. Ne duhet të bëjmë zgjidhjen tonë; komb i NATO-s dhe i BE-së apo i ryshfetit dhe të shkuarës?

Qytetarë dhe qytetare të Elbasanit, ju bëj thirrje të bashkojmë moralin tonë dhe fibrën tonë qytetare për ti thënë jo ryshfetit. Të mos bëhemi bashkëfajtorë me një akt që na përlyen të gjithëve ne mënyrën më të pamerituar.
Unë ju tregova rezultatet e luftës kundër korrupsionit dhe ju garantoj se sot jam shumë herë më i vendosur në luftën kundër këtij fenomeni, por unë për ti dhënë goditjen përfundimtare kamë nevojë jetike për mbështetjen tuaj. Mos harroni se ai që të kërkon ryshfetin, ai është një faqezi. Po të jetë mjek është një bluzëzi dhe jo bluzë-bardhë, po qe gjykatës është më i zi se krimineli që dënon dhe po qe prokuror është më i zi se krimineli që ndjek, po qe zyrtar është një faqezi që nuk duhet të jetë aty ku është. Por, tani kombet e qytetëruara dhe njerëzit e qytetëruar i marrin përgjegjësitë. Mos jepni ryshfet se vërtet mund të japësh sot njëqindarkë për të fituar të drejtën tënde por nesër do të humbasësh shumë më tepër nga sa jep sot. Prandaj, të mos e bëni këtë sepse nuk fitohet duhet marrë paratë dhe duke sharë e bërtitur.
Fitohet duke mos dhënë ryshfet, por duke i dhënë atë që meriton, prangat dhe vetëm prangat. Ju duhet ta gjykoni Sali Berishën me rreptësinë dhe ashpërsinë më të madhe, me verdiktin më të ashpër, në qoftë se ju të dashur qytetarë pranoni të faktoni veprën faqezezë të këtyre që kërkojnë të nxijnë moralin tonë dhe kërkojnë ryshfet, në qoftë se Sali Berisha nuk u tregon prangat dhe atë që meritojnë.
Marr cdo ditë qindra mesazhe dhe absolutisht, secili që është për korrupsion merr drejtimin e duhur. Më ther në zemër kur tjetri më thotë se më kërkoi ryshfet. Ndërsa unë i kërkoj të na ndihmojnë ne që faqeziut që kërkon ryshfet ti tregojmë vendin.
Qytetarët të bëjnë një bllok kundër ryshfetit dhe ta dini se kjo është faza finale e luftës tonë kundër korrupsionit dhe në këtë mënyrë ne do të paraqitemi në lartësinë e moralit tonë shekullor, në lartësinë e vokacionit dhe vlerave tona perëndimore, në këtë mënyrë do të ecim shumë herë më shpejtë dhe shumë më të zhvilluar.
Unë do ta mbyll fjalën time duke u zotuar para jush se problemet e këtij qyteti do të jenë probleme kryesore në axhendën time.

Sot, unë kam takuar dhe kryetarin e Bashkisë së Elbasanit dhe, së pari i kërkova që rrugët dhe rrugicat e këtij qyteti të asfaltohen. Ju jap fjalën se kjo do të ndodhë. Qeveria një javë më parë vendosi parkun industrial. Ky është një premtim i hershëm imi dhe nuk është mbajtur akoma, por çdo ditë do të punoj që ta shndërroj në realitet atë premtim. Unë sot gjeta fabrika dhe inaugurova fabrika, por do të bëjë çdo gjë, do të mobilizoj të gjitha fondet për të pasur një park industrial model në qytetin tuaj.
Unë inaugurova një furrnaltë dhe mu bë shumë qejfi, do të inauguroj dhe të tjera, por ju garantoj ju se nuk do të toleroj që t’ju ndotin ajrin ju. Gabojnë rëndë ata që mendojnë se do tju ndotin ju ajrin. Atyre u them se qeveria ime ka bërë që tatim fitimi që paguanit 25 % ta paguani sot 10 %. Kjo qeveria ime ka bërë që sigurimet shoqërore nga 42 % të paguhen në 31 %, ka bërë që tatimi mbi të ardhurat personale të zbresë në 10 %. Pra, unë jam për biznesin e tyre por kam një kusht për ta, që të mos ndoti ajrin e qytetit të Elbasanit. Dhe unë do jua faktoj këtë. Unë nuk kam bërë pjesë në organizatat mjedisore por me zemër jam një mik i madh i ruajtjes së mjedisit sepse mjedisi është jeta e shëndetit. Qeveria ime e mbron mjedisin dhe jo ata që dilnin çdo ditë për mjedisin dhe një ditë i shoh që kërkojnë referendum për sistemin e ‘Dushkut”. Së treti, rruga e Gjinarit është në prokurim, me vlerë 500 milionë lekë dhe do të përfundojë në kohën më të shkurtër.
Së katërti, lidhjet e Dumresë me Kuçovën do të kompletohen brenda këtij mandati.
Së pesti, lidhjet me Cërrikun dhe Gostinën do të kompletohen brenda këtij mandati. Së gjashti vendimet më të rëndësishme për lidhjen tuaj me Tiranën merren në muaj që do të vinë. Së fundi, shumë projekte të rëndësishme për të ardhmen do të hartojmë së bashku do të vazhdojmë në mënyrë që ashtu si të ndryshojë Shqipëria dhe Elbasani më shumë se kurrë në këto tre vjet, të njohë ndryshimet më të thella në histori në vitet që vinë”.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›