Kryeministri Berisha inspekton punimet për rikonstruksionin e furrnaltave për shkrirjen e kromit në Elbasan
Kryeministri Berisha inspektoi punimet për rikonstruksionin e furrnaltave për shkrirjen e kromit në qytetin e Elbasanit.
Kryeministri theksoi se ky është një tjetër investim i kompanisë Darfo, e cila ka bërë dhe po bën rikonstruksionin e plotë të
tre furrnaltave për shkrirjen e kromit, ndërsa vlerësoi se ky aliazh ka një kuotim shumë të lartë në tregjet ndërkombëtare.
“Është përfunduar furrnalta e parë. Këtu janë punësuar rreth 140 punëtorë dhe do të vazhdojë dhe furrnalta e dytë dhe e tretë,
të cilat do të kenë një teknologji të lartë”, u shpreh Kryeministri duke përgëzuar kompaninë për këtë investim të rëndësishëm.
Kryeministri siguroi drejtuesit e kompanisë Darfo se qeveria do të bëjë çdo përpjekje për suksesin e plotë të projekteve të saj.
“Kërkesa ime e vetme është respekti i standardeve të mjedisit. Ne kërkojmë standardet më të larta për mjedisin kudo në tërësi
dhe në veçanti në këtë qytet, i cili ka vuajtur pasojat më të rënda të ndotjes së mjedisit se sa çdo qytet tjetër në Europë.
Ne kemi përgjysmuar taksat jemi të gatshëm për lehtësira të tjera me kushtin e vetëm që emetimet e furrnaltës të jenë
tërësisht të padëmshme për shëndetin e qytetarëve të Elbasanit”, tha Kryeministri Berisha duke shprehur bindjen se kjo kompani është fokusuar në këto standarde.
Duke iu përgjigjur interesit të medias nëse parku më i madh industrial do të jetë në zonën e Elbasanit,
Kryeministri Berisha tha se qeveria po ngre infrastrukturën e nevojshme, pastaj do të jetë iniciativa private ajo që do të përcaktojë vendin.