Kryeministri Berisha inauguron Rrugën Mbretërore dhe rrugën “8 Marsi” në qytetin e Elbasanit
Kryeministri Berisha inauguroi sot në qytetin e Elbasanit përfundimin e Rrugës Mbretërore, investim i buxhetit të shtetit me vlerë 35 milionë lekë.
“Ky është një investim buxhetor në një rrugë me gjatësi prej 3.5 km, një investim 35 milionë lekë. Kjo është një rrugë me dy korsi e standardeve më të mira europiane siç e meriton qyteti i Elbasanit”, u shpreh Kryeministri Berisha duke siguruar Kryetarin e Bashkisë së Elbasanit se qeveria do të mbështesë Elbasanin në të gjitha projektet për të shtruar çdo rrugë dhe rrugicë si dhe për asfaltimin e rrugëve dytësore më të rëndësishme.
Më tej Kryeministri Berisha përuroi përfundimin e punimeve në rrugën “8 Marsi”, investim 13 milionë lekë nga granti i qeverisë për pushtetin vendor. “Kjo është një rrugë që bashkia e ka ndërtuar me fondin e Ministrisë së Brendshme. Është bërë një rrugë e shkëlqyer me trotuare, me ndriçim një rrugë që ka të gjitha tiparet e një moderniteti dhe më vjen shumë mirë që inauguruam brenda qytetit dy rrugë të rëndësishme por ne do t`i asfaltojmë të gjitha”, tha Kryeministri Berisha.