E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha inspekton punimet për rikonstruksionin e Universitetit të Elbasanit

Kryeministri Berisha inspektoi sot punimet për rikonstruksionin e Universitetit dhe ndërtimin e godinës së Rektoratit  në qytetin e Elbasanit. Ky rikonstruksion është investim i buxhetit të shtetit dhe kap shifrën 1.5 milionë euro.

Duke iu referuar afatit vetëm prej 6 muajsh të vendosur për përfundimin e këtyre punimeve, Kryeministri Berisha përgëzoi drejtuesit e Universitetit dhe përfaqësuesit e kompanisë ndërtuese për realizimin e këtij investimi në një kohë kaq të shkurtër. Në këtë kontekst Kryeministri ftoi kompanitë në të gjithë vendin që kanë marrë përsipër ndërtimin e objekteve arsimore që të vendosin afatin 6 mujor për përfundimin e tyre.     
Më tej Kryeministri theksoi se Universiteti i Elbasanit është një universitet i madh me një peshë të rëndësishme kombëtare.       
Kryeministri tha se pavarësisht se qeveria ka katërfishuar investimet për arsimin në qytetin e Elbasanit, një meritë të madhe kanë drejtuesit e Universitetit të Elbasanit për realizimin e investimeve.
“Së pari shpreh kënaqësinë që trupi pedagogjik është në lartësinë e tij, së dyti do të vazhdojmë këto përpjekje. Ata që rekrutohen mundësisht të jenë me grada shkencore. Ne kemi vendosur Fondin e Ekselencës me në të të cilit ne jemi të gatshëm të mbështesim financiarisht secilin nga studentët tuaj, i cili fiton të drejtën e studimit për doktoraturë në universitetet perëndimore”, u shpreh Kryeministri duke shtuar se është shumë e rëndësishme që drejtuesit e universiteteve të jenë ambiciozë dhe të aftë për të marrë fondin. “Pres nga ju të zhvilloni këtë nismë. Sot e keni 1 milion, unë ju garantoj se do të jenë aq sa do të fitojnë të drejtën por ama duhet të aplikojnë dhe  të fitojnë”, tha më tej Kryeministri gjatë një bashkëbisedimi me pedagogë të Universitetit të Elbasanit.

Gjithashtu Kryeministri Berisha u kërkoi drejtuesve të këtij universiteti që të shtojnë përpjekjet për tërheqjen e sa më shumë djemve dhe vajzave të Elbasanit që kanë mbaruar me rezultate të shkëlqyera universitetin në Elbasan apo në universitetet jashtë vendit. “Ne kemi programin e brain-gain dhe u ofrojmë atyre një kuadër të caktuar për kthimin e tyre. Ne do të bëjmë çdo përpjekje që ata të vijnë dhe të japin leksione, seminare, apo laboratorë në mënyrë që të rrisim standardet e këtij universiteti”, nënvizoi Kryeministri Berisha.

Më tej Kryeministri Berisha u sugjeroi drejtuesve të Universitetit të Elbasanit që të hapin sa më shpejt degën e IT-së, duke nënvizuar se tregu i saj është mjaft i përhapur dhe përbën një apel për  orientimin e universiteteve drejt tij.  
“Universitetet janë qendrat që ndikojnë më fuqishëm se gjithçka në ndryshimin e jetës së vendit. Fusha elektronike dhe digjitale është fusha e ndërtimit të Shqipërisë. Asgjë nuk e ndryshon më shumë jetën se sa kompjuteri. Prandaj duhet të bëjmë që çdo shqiptar të përdorë kompjuterin. Vetëm atëherë do të mund që këtyre qytetarëve t`u ofrojmë shërbimet më të mira dhe të lira”, u shpreh Kryeministri.

Kryeministri Berisha gjithashtu u kërkoi drejtuesve të Universitetit të Elbasanit që të përparësojnë mësimin e gjuhëve të huaja, duke nënvizuar se gjuha angleze po bëhet çdo ditë e më shumë një gjuhë botërore.
 

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›