E Diel, 1 Nëntor 2026

Fjala e Kryeministrit Berisha në Mbledhjen e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike

Sot nën drejtimin e kryeministrit Berisha u zhvillua mbledhja e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike.

Më poshtë vijon fjala e plotë e kryeministrit Berisha:

Zonja dhe zotërinj deputetë

Së pari ju kërkoj ndjesë për vonesën, por po vij nga Shkodra.  Së dyti ju përshëndes përzemërsisht dhe le të shprehim kënaqësinë, krenarinë e madhe, se vetëm dy ditë, më pak se 48 orë kanë mbetur nga njëra prej ngjarjeve më të mëdha  në jetën e qytetarëve shqiptarë në të gjitha kohërat, por në radhë të parë jetën e qytetarëve të sotëm shqiptarë, të cilët me datën 15 do të kenë mundësinë të lëvizin njëherë e përgjithmonë pa viza në mbarë Europën.

Ky akt, përbën arritjen e dytë të madhe të jetës së qytetarëve shqiptarë. E para sigurisht ishte shembja e diktaturës, shembja e murit të Berlinit në Tiranë 20 vjet më parë, po nga kjo forcë politike, e cila u themelua në një betejë legjendare, por sot kjo forcë politike shndërron në realitet një nga dy-tre premtimet e saj më kryesore. Shndërron në realitete heqjen e vizave, pas shembjes së diktaturës dhe anëtarësimit në NATO, ky është premtimi më madhor i mbajtur i kësaj mazhorance, i këtij koalicioni, i kësaj partie.

Lëvizja pa viza në Europë për shqiptarët, ka aspektin më të thellë më të fuqishëm njerëzor sesa për çdo komb tjetër, pasi diktatura e egër, sistemi i vërtetë skllavo pronarë i diktaturës hoxhiste, bëri që ne të jemi i vetmi komb që të shënojmë daljen në liri me eksode masive, eksode që larguan nga ky vend pothuajse 1/3 e popullatës.

Pra asnjë komb tjetër nuk ka një problem të tillë njerëzor siç kemi ne, kaq të madh dhe do të jenë të shumtë qindra dhe mijëra shqiptarë që do festojnë krishtlindjet,  vitin e ri,  me fëmijët e tyre me prindërit e tyre, me njerëzit  më të dashur, që kanë vite, në mos dekada pa i takuar pa u çmallur.  Aspekti njerëzor është i pari në çdo gjë, por nuk është vetëm ky aspekt.  Aspekt tjetër po kaq madhor është se shqiptarë në tërësi dhe rinia shqiptare në veçanti do të mund të njohë, të prekë, të shijojë pasuritë e mëdha, trashëgimitë  e mëdha kulturore të qytetërimit perëndimore, Europa  është djepi i tyre.

Do të mund të njohin të prekin vendet dhe shoqëritë e lira, të cilat përbëjnë Bashkimin Evropian, mrekullinë më të madhe të këtij kontinenti në të gjitha kohërat.  Kjo për të gjithë dhe për ne shqiptarët është shumë më e vërtetë, për shkak të të shkuarës sonë.  Po të kemi parasysh se ne jemi i vetmi vend që erdhëm në vitin 1990 të rrethuar me tela me gjemba. Nga 15 janari i vitit 1990 deri në dhjetor me regjistër dhe dosje janë të dokumentuar  51 djem dhe vajza, burra dhe gra, të ekzekutuar në kufijtë  e këtij vendi nga regjimi barbar dhe kjo pasi ishte hequr neni i tradhtisë së lartë të largimit nga atdheu, për kjo u bë për të terrorizuar një vend të terë.

Dje komuna e Aliko shënoi një ngjarje, e cila do të mbahet mend për shumë kohë në Shqipëri.  Ditën kur krimi shtetëror ekzekutoi pa gjygj 3 të rinj të kësaj komune vetëm e vetëm se u nisën për tokën dhe botën e lirë. Po të lexosh protokollin, dosjen e këtij ekzekutimi për vrasësit ka vetëm lavdërime, për të ekzekutuarit shkelën rregullat e kalimit të kufirit, u zbatuar rregullorja.  Si tre martirët e lëvizjes së lirë të Alikos, Shqipëria ka 51 të tjerë, por janë dhe qindra të tjerë të pa regjistruar.

Disa herë më vjen në mendja slogani ynë i viteve 1990  “E duam Shqipërinë si gjithë Europa” dhe po të ndalesh për një moment dhe të analizosh,  gjendesh para një fakti që këta djem dhe vajza vunë jetën e tyre, rinin e tyre për diçka që nuk kishin qenë kurrë, për një Europë që nuk e kishin parë dhe shëtitur kurrë. Ishte e jashtëzakonshme, sepse dhe në vend e te tjera përjetuan diktaturë, por Republika e Ish-Jugosllavisë qytetarët e kësaj Republike lëviznin lirshëm drejt Europës. Qytetarët hungarez lëviznin lirshëm drejt Austrisë dhe kështu me radhë, ata të cilët erdhën në vitet 1990 të rrethuar me tela me gjemba ishin vetëm shqiptarët dhe në këtë aspekt, simbolika e datës 15 hyn në historinë dhe jetën e gjithsecilit, si një nga datat më të shënuara krahas datave më të shënuara që ka njeriu.

Kjo datë dhe kjo ditë që është ditë e dinjitetit të madh individual të qytetarëve shqiptarë, u bë e mundur me përpjekjet më serioze më të ndershme më të gjithanshme, me reformat më të suksesshme, të cilat shembën çdo lloj paragjykimi,  diku-diku të drejtë diku-diku të pa drejtë.

U kërkuan kërkesa shtesë, absolutisht të drejta, sepse ne ishim të vetmit që e pritën dhe e shënuam rënien e murit të Berlinit me eksode biblik, sepse mafia shqiptare u bë një nga më të rrezikshmet më famëkeqet në Evropë, për shkak të simbiozës së saj me pushtetin. Ndaj dhe asnjëherë nuk kam patur keqkuptim për kërkesat e rrepta që u bënë ndaj nesh.  E vetmja kërkesë e imja ka qenë që të vlerësohemi ndershmërisht dhe kjo u bë.


Me dhjetëra ekipe erdhën konstatuan dhe vlerësuan në vend çdo gjë. Por përveç këtyre ishte dhe një fushatë antinjerëzore  e pa përmbajtur e grupit të bllokmenëve të rinj që ditën e heqjes së vizave do të deklaronin se nuk kishim nevojë për këtë u bëmë të gjithë si këmbët e dhisë, absolutisht këtë e ka thënë në mënyrë të përsëritur. Ky grup bllokmenësh që në psikologji ka përçmimin ndaj qytetarit.

Mos harroni ju atë që i tha Edvin Kristaq Rama një qytetare të Shkodrës.  Me kë je ti  i tha, unë i tha ajo, jam me Partinë Demokratike. Si qenke me Partinë Demokratike i thotë Rama, (sepse i ati i saj kishte qenë ish funksionar i regjimit), por ajo i përgjigjet, se  nuk mund të jem me dikë tjetër, pse i thotë Rama, keq ishim ne kur ishim së bashku në maja. Në fakt ata ishin në bunkerë sepse në majë ishin shkodranët, e vërteta është se ata ishin në bunker të thellë, por përçmimi dhe nënçmimi ndaj të tjerëve i bënte ata të dukeshin në maja, por në të vertetë ata ishin thelle në bunker dhe në variantin më optimal, gjela mbi pleh, asgjë më shumë.

Kështu që këta zotërinj u përpoqën, angazhuan, shuma të mëdha, angazhuan një makineri të tërë dizinformimi, shkruajtën letra dhe bënë çdo gjë ky grup bllokmenësh të rinj që kjo të mos ndodhte, që heqja e vizave të mos bëhej.  Do të keni 1 milion shqiptarë që do të vërshojnë drejt jush u bë gënjeshtar dhe gënjeshtra  e tyre  e përhapur në mbarë Botën, bënë tur racist anti shqiptarë për të mbajtur fjalimet më primitive kundër shqiptarëve.  Paçka se kur në qytetet e shqiptarëve llamburitin dritat, zotëria sillet si majmun me bisht në pyjet  e vendit  të tij. Nuk lanë gurë pa lëvizur dhe nesër protestojnë, nesër janë në protestë. Pasnesër shqiptarët nisen të lirë pa viza në mbarë Europën, ndërsa bllokmenët e rinj protestojnë, le të protestojnë sa të duan, shqiptarët do të lëvizin të lirë në mbarë Europën dhe kjo është vepra  e reformave tona të thella dhe të gjithanshme. 
Meritën e tyre, të dashur qytetar dhe qytetarë shqiptarë, Edvin Kristaq Rama nuk futi dot në kuti vizat tuaja.  Bëri gjithçka që ti pengojë, bllokojë dhe t’ju mashtrojë. Mos harroni kurrë se ditën e vendimit të  parë më të rëndësishëm për vizat ai ishte në atë të quajtur greve urie, pasi nuk ishte greve urie e mirëfilltë, por me tre vakte në ditë dhe nën kujdesin e kryeministrit se unë, nuk do të bëja viktima para shtëpisë sime.

Bëri grevë urie vetëm e vetëm për të penguar vizat dhe do të nisë letër në stilin e një njeriu të pa skrupull  të nesërmen e marrjes së vendimit.  Ndërmori fushatën elektorale pasi doli nga çadrat, hap kutitë të çlirosh vizat, u soll vërdallë nëpër  Shqipëri dhe kudo, me qëllimin ogurzi të fuste vizat në kuti , por dështoi mori atë që meritonte. Premtimi u mbajt, shqiptarët me datën 15  dhjetor e tutje do të ndihen si kurrë më parë qytetarë Evropianë.

Le të shprehim ne, mirënjohjen më të thellë qeverive të vendeve anëtare të zonës së Shengenit, për vendimin e tyre fisnik, për vendimin e tyre jashtëzakonisht të rëndësishëm dhe ti garantojmë se në mënyrë absolute, qeveria do të jetë totalisht  e hapur me secilin e prej tyre për bashkëpunimin më të ngushtë në mënyrë që as edhe një pasojë e vetme as edhe një rast i vetëm të mos mund të abuzojë me këtë vendim, më fisnikun që Bashkimi Evropian ka marrë për qytetarët shqiptarë në tërë ekzistencën  e marrëdhënieve tona.

Ky është vendimi më i rëndësishëm më fisnik. Kam bindjen më të thellë se qytetarët shqiptarë me dinjitet të madh, do të qëndrojnë para këtij vendimi dhe në mënyrën më të qytetëruar do të sillen ndaj tij pa i lejuar vetës as edhe abuzimin më të vogël. Këto vende hapën dyert për ne. Hapën dyert e shtëpive të tyre për ne. Na takon ne të gjithë shqiptarëve që të qëndrojmë në lartësinë  e moralit tonë, e përgjegjësisë sonë për të shmangur çdo lloj abuzimi.

Edhe njëherë ju falënderoj ju zonja dhe zotërinj deputetë

Sepse janë reformat e votuara të shqyrtuara nga ky parlament,  që bënë të mundur që vizat e qytetarëve  shqiptarë të mos hynin në kutinë e Edi Ramës.  Por të shndërrohet ky akt në një arritje personale, të çdo qytetari shqiptarë dhe të lirive të tij. 

Po bëj një përmbledhje të shkurtër për Shkodrën nën-Shkodrën dhe zonat e përmbytura
Do ta filloj me konkluzionin e një eksperti të huaj italian që po punon dhe po ndihmon ditë e natë për përballimin e kësaj situate.  Dy ditë më parë ky ekspert i shquar i emergjencave do tu deklaronte zyrtarëve tanë në Shkodër, se ju keni bërë një kryevepër në menaxhimin e kësaj situate.  Një kryevepër të jashtëzakonshme dhe ju e realizuat këtë, sepse ju punuat me zemër.  Ky zotëri me ekipin e tij ka disa ditë që punon në Shkodër dhe ka konstatuar se solidarizimi dhe dashuria e njerëzve për të kapërcyer këtë situatë nuk ka munguar, sepse tha ai sikur të gjitha mjetet të kishin nuk do të bënit kurrë këtë që keni bërë dhe kjo është një kënaqësi, është një mirënjohje e thellë për të gjithë ata që bënë të mundur që ky operacion më i vështirë në historinë e vendit më i rrezikshmi, të konsolidohet të shpëtojë çdo jetë njerëzore.

Unë duke shkuar në Shkodër u ndala në spitalin e Lezhës, së bashku me Lilin takuam dhe i bëmë një vizitë Violetës nënë 21 vjeçare, e cila lindi në një fshat të Velipojës.  Unë takova ekipin mjekësor, mjeken një ish studenten  time, të cilës i thash se krenohem shumë më ty, e cila së bashku me maminë, pas mesnate me varkë kishin lundruar drejt shtëpisë  së saj, kishin mbetur në mes të ujit, i kishin marrë në krahë dhe kishin shkuar për ti asistuar Violetës në lindje, e cila solli në jetë një djalë si drita, takova pilotët të cilët e kishin transportuar në kushte të vështira nënë e re drejt spitalit të Lezhës.

I them këtij zotërisë se sot nuk kam dëshirë të polemizoj me të, por ka disa çështje që çdo njëri  ka ndjeshmërinë më maksimale dhe kjo është fëmija.  Në vend që ky shok apo zotëri ti çonte një buqetë me lule Violetës të falënderonte mjekët infermieren që po rrezikonte, tu çonte një mesazh falënderimi këtij ekipi të mrekullueshme, sepse pas mesnate edhe mund të druheshin dhe mund të tërhiqeshin, por vendosën të sakrifikojnë çdo gjë për të shpëtuar çdo fëmijë që të lindte i gjallë.  Ky sot duke pasur veten jashtë çdo kontrolli u thotë gazetarëve se prapë Berisha thotë se nuk kemi pasur jetë të humbura, vetëm sot nuk mund ta thoshte sepse  fakti që një i sapo lindur është në jetë sot për çdo familje shqiptare është një gëzim i veçantë duke pasur parasysh kushtet, në të cilat kjo nënë e re 21 vjeçe solli në jetë një djalë një fëmijë, mënyra sesi u operua si u shpëtua.  Pra dua ti them zotit Rama se ndoshta një ditë do ta mësosh se asgjë nuk mund të krahasohet me jetën e njeriut me vlerën e saj dhe mbi të gjitha është jeta  e fëmijëve më eprorja e te gjithave. Unë u shokova  në parlament kur duartrokitën  duke lexuar emrat e katër viktimave që lënduan zemrën, shpirtin e çdo qytetari shqiptarë dhe i lexuan me duartrokitje.  Sërish ky shok nuk nxjerr mësim dhe pikërisht sot nuk duhet ta thoshte atë fjalë por duhej të përulej me nderim të madh, para asaj nëne të re, që është simboli i grave dhe nënave shqiptare dhe atij ekipi që sakrifikuan për ta shpëtuar, ndërsa ai bën mesazhe se po abuzohet se nuk kemi humbur jetë njerëzore.

Po i them se do të bëjmë gjithçka për të mos humbur asnjë jetë njerëzore dhe për shpëtimin e jetëve njerëzore sakrifica është  e domosdoshme.  Kurse porsa i përket probleme të tjera njeriu i fundit që mund të flasë dhe të qajë hallet e Shkodrës je ti z.Rama. Çfarëdo që të bësh ti,  cila do frazë dialektore që të përzgjedhësh çfarëdo imitimi që të stisësh ti për atë qytet mbetesh një alien, po sepse je vete ti me sjelljet e tua me të gjitha dhe i ke të kodifikuara ato. Shkove në Pogradec, ty atje të çoi mozauleu, të çoi psikologjia e bunkerit, sepse nuk mund të shkoje kurrë kur Shkodra përmbytej.  Dole në Pogradec the thirrje që të hapeshin kutitë, ti për Shkodrën mbetesh alien, hyp në shpinën  e Tom  Doshit apo të kujt të duash ti. Shkove në Shkodër për të zgjedhur Ketin në krye të Partisë Socialiste, me grushta, shkelma e karrige në një kohë kur udhëheqja e vërtetë e Partisë Socialiste  ishte në ballë të përmbytjeve.

Ata janë qytetarë shqiptarë dhe po merrnin për të lehtësuar qytetin, shkon gjoja për përmbytjen dhe zgjedh kryetaren, por nuk i pranon Shkodra gjëra të tilla. Tani kur po kthehesha shikon se ka akoma zona që ecet me varkë ndaj dhe të këshilloj që atë preokupim për Shkodrën më mirë lerë mënjanë sepse ata të quajnë alien.


13/12/2010

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›