E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fjala e Kryeministrit Berisha në Samitin e Kroacisë

Kryeministri Sali Berisha mbajti fjalimin e mëposhtëm në Samitin e Kroacisë që po zhvillohet në Dubrovnik.

"Zonja dhe zotërinj,

Do të desha të filloja duke falënderuar mikpritësin tonë, Kryeministrin Sanader, për ftesën dhe për organizimin e shkëlqyer të këtij samiti shumë të rëndësishëm për rajonin.

Ky takim këtu në Dubrovnik zhvillohet vetëm pak kohë pasi Shqipëria nënshkroi me Bashkimin Europian, Marrëveshjen e Stabilizim - Asociimit. Nënshkrimi i kësaj Marrëveshjeje është për ne shqiptarët një ngjarje historike. Ajo shënon lënien prapa të periudhës së tranzicionit, duke konsoliduar në mënyrë të pakthyeshme rrugën drejt realizimit te ëndrrës të kombit për rikthimin dhe ribashkimin me familjen e tij europiane, me të cilën ai ndan vlerat e përbashkëta të qytetërimit perëndimor.

Ishte besimi në këto vlera të përbashkëta i cili u mundësoi Shqiptarëve, që vetëm që në këto 15 vjet, të shndërrojnë vendin e tyre nga vendi i diktaturës Orvelliane, monizmit dhe hiperkolektivizmit total, besimeve fetare dhe lirive dhe të drejtave të tjera të ndaluara me kushtetutë, në vendin e pluralizmit politik të konsoliduar, pluralizmit dhe tolerancës së shkëlqyer fetare, ku kushtetuta garanton liritë e individit dhe pakicave, ku ekonomia e tregut po zhvillohet dhe konsolidohet me ritme të shpejta si dhe në një vend, që është kthyer në eksportues i paqes dhe stabilitetit në rajon.

Është pikërisht ky besim në vlerat e përbashkëta të demokracisë, shtetit ligjor, lirisë së individit, ekonomisë së lirë të tregut, të cilat kanë kthyer integrimin ne BE dhe në NATO në projektet më madhore të shekullit XXI për ne shqiptarët.

Ne besojmë se integrimi i Shqipërisë në NATO dhe në BE është e ardhmja me e mirë për sigurinë e vendit, për konsolidimin e demokracisë, shtetit ligjor, liritë dhe të drejtat e njeriut dhe pakicave, duke krijuar kështu terrenin e favorshëm për të lulëzuar kapacitetet e mëdha njerëzore e materiale të popullit tonë në shërbim të mirëqenies dhe cilësisë së jetës të qytetarëve shqiptarë.

Por, në të njëjtën kohë, jemi plotësisht të qartë se integrimi në NATO dhe në BE janë në radhë të parë procese, progresi i të cilave bazohet në përformancën tonë përsa i përket përmbushjes së standardeve, kritereve dhe normave që ato kërkojnë. Qeveria shqiptare është e vendosur te beje çdo përpjekje, te ndërmarre çdo reforme ne mënyre qe të shndërrojë tërësinë e kushteve, standardeve dhe kërkesave te Marrëveshjes së Stabilizim Asoccimit, Partneritetit Europian, Kriteret e Kopenhagenit, dhe Angazhimet e marra në kuadër të Membership Action Plan ne themele solide te demokracisë sonë te bazuar ne tregun e lire, garantimin e lirive dhe te drejtave te qytetareve dhe minoriteteve, shtetin ligjor, ndarjen e pushteteve dhe funksionimin e institucioneve te pavarura, pavarësinë e mediave, luftën me zero tolerance ndaj krimit te organizuar dhe korrupsionit.

Në zgjedhjet e korrikut të vitit të shkuar shqiptarët realizuan ndërrimin paqësor të pushtetit. Qeveria që unë kryesoj përcaktoi si përparësi madhore të saj rivendosjen dhe funksionimin e shtetit ligjor, kushti bazë për garantimin e lirive themelore të qytetarëve shqiptarë, luftën me tolerancë zero ndaj krimit të organizuar, çmontimin e sistemit kleptokratik të korrupsionit, konsolidimin e institucioneve demokratike, integrimin sa më të shpejtë të vendit në NATO dhe BE. Rezultatet e këtyre muajve janë qartësisht inkurajuese.

Ne këto pak muaj ne mbare vendin është vendosur sundimi i ligjit, respektimi dhe zbatimi i paanshëm i tij. Sukses i madh është arritur gjithashtu në luftën kundër krimit të organizuar. Kështu, edhe ne saje te një bashkëpunimi te shkëlqyer me agjencitë e zbatimit te ligjit te vendeve mike, kemi arritur të shkatërrojmë organizatat dhe grupet kryesore dhe me te rrezikshme te krimit te organizuar. Më qindra anëtare te këtyre organizatave, si dhe te gjithë bosët e tyre, arrestimi në Shqipëri, Itali, Turqi, Maqedoni dhe janë sjellë para drejtësisë. Gjej rastin të falenderoje qeveritë dhe agjencitë e zbatimit të ligjit të të gjithë atyre vendeve që kanë bashkëpunuar ngushtë me ne në këtë drejtim.

Trafiqet ilegale kanë marrë ne këto pak muaj përgjigjen më të fortë, më të merituar se ndonjëherë më parë. Moratoriumi 3-vjeçar për skafet është një sukses shumë i madh në këtë drejtim.

Në të gjithë territorin janë krijuar komitetet e luftës kundër trafiqeve, rezultatet paraprake janë inkurajuese. Jemi të bindur se punë e madhe mbetet për të bërë. Por unë dua t'ju siguroj se Shqipëria është sot një nga vendet me te sigurta ne rajon dhe me gjere. Muajin e kaluar qendra për luftën kundër krimit te organizuar ne Bukuresht njoftoi se rruga droges po zhvendoset nga Shqipëria. Lehtesimi i levizjes se lire per shqiptaret në territorin e vendeve anëtare të BE-së do te ishte nje inkurajim i madh per ta ne rrugen e integrimit.

Reforma të thella janë ndërmarrë edhe për luftën kundër korrupsionit dhe forcimin dhe rritjen e efikasitetit të institucioneve të shtetit. Korrupsioni dhe perceptimi ndaj tij ka rënie drastike. Administrata është nxjerre tërësisht jashtë konfliktit te interesit. Shpenzimet operative janë ulur me 40 përqind. Evazioni fiskal dhe kontrabanda kane rënie te ndjeshme. Te ardhurat nga doganat dhe tatimet janë rritur 32 perqind. Nderkohe qe sipas KPMG, Shqiperia renditet e para ne bote kete vit per uljen e taksave si perqindje dhe e dyta per uljen si vlere absolute. Studimet provojnë se perceptimi për korrupsionin e qeverise nga 77 perqind ka rënë ne 23 përqind, dhe ju siguroj se edhe me poshtë do te bjere.

Qeveria ka ndermarre reforma te thella ekonomike, me qellim qe te ndeze motoret e rritjes se shpejte ekonomike dhe te shnderroje shqiperine ne vend terheqes per investimet e huaja. Rezultatet paraprake jane inkurajuese. Ka nje rritje serioze te treguesit te kerkeses. Ritja ekonomike po shkon drejt 6 perqind kurse niveli i kreditimit në ekonomi pritet te rritet 120 perqind.

Duke iu kthyer prioriteteve të politikës sonë të jashtme, një ndër prioritetet e saj madhore është bashkëpunimi i ngushtë me vendet e rajonit. Shqipëria është shumë aktive në të gjitha nismat rajonale si SEECP, CEFTA, NEQ, Stabilty Pact, etj. Ajo ruan marrëdhënie shumë të mira politike me të gjithë vendet e rajonit dhe po i forcon çdo ditë e më shumë marrëdhëniet ekonomike dhe në të gjitha fushat e tjera.

Karta Adriatik 3 e iniciuar nga qeveria e SHBA-ve ka patur një rëndësi të madhë për vendet dhe për forcat tona të armatosura. Kjo nismë ka dhënë një ndihmë të madhe për përpjekjet tona për integrim në NATO. Falenderoj me këtë rast qeverinë amerikane, popullin amerikan dhe forcat e armatosura të SHBA-ve për ndihmën e vazdueshme për reformimin dhe modernizimin e forcave të armatosura të të tre vendeve tona: Shqipërisë, Kroacisë dhe Maqedonisë. Angazhimi i SHBA-ve ka bërë të mundur rritjen e aftësive tona në luftën kundër terrorizmit, sigurimin dhe kontrollin e kufijve dhe kontrollin, si dhe ruajtjen e rendit brënda kufijve tanë.

Në kuadër të Kartës së Adriatikut me SHBA, Kroacia, Maqedonia dhe Shqipëria po japin një shembull të shkëlqyer bashkëpunimi për promovimin e reformave të brendshme në fushën e mbrojtjes e sigurisë, si dhe për promovimin e paqes, stabilitetit e prosperitetit në rajon e më gjerë. Ky bashkëpunim përfshin fushat e politikave të sigurisë dhe të mbrojtjes, edukimit ushtarak të gjithë niveleve, kontrollin e armatimeve dhe kufijve. Ekipet tona të përbashkëta ushtarako-mjekësore punojnë së bashku në Afganistan. Ushtarët tanë janë të pranishëm në shtabin e SEEBRIG-ut në Kabul. Shqipëria ka propozuar krijimin e një batalioni të përbashkët operativ në kuadër të Kartës së Adriatikut për ta dislokuar në Afganistan.

Gjatë këtyre 15 viteve, Shqipëria ka vendosur një bashkëpunim të ngushtë, të pandërprerë dhe besnik me Aleancën e Atlantikut të Veriut. Ajo në të gjitha rastet ka vendosur në dipozicion të Aleancës portet, aeroportet he territorin e saj për qëllime stërvitore dhe misione të tjera të rëndësishme. Njësitë e ushtrisë shqiptare janë të shpalosura së bashku me ato të vendeve anëtare e partnere në Bosnje, Afganistan dhe Irak. Ne jemi të angazhuar në reforma të thella në fushat e sigurisë, mbrojtjes dhe modernizimit të forcave të armatosura, të cilat synojnë krijimin e një ushtrie të vogël, të mirëpajisur, mirëstërvitur dhe profesioniste. Për këtë qëllim kemi transformuar komponentin rezervist, hequr nga përdorimi teknologjitë e vjetra në aviacion, kemi rritur buxhetin e mbrojtjes me synim final që ky buxhet në mbështetje të këtyre reformave të arrijë në 2 përqind të PBB-së deri në vitin 2008.

Takimi ynë konstruktiv me Zëvëndës Presidentin Cheney, këtu në Dubrovnik në muajin maj, ishte shumë inkurajues për ne, për të cuar përpara reformat e nevojshme për anëtarësim në NATO.

Fundin e javës që kaloi, patëm kënaqësinë të presim në një vizitë të suksesshme Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Scheffer, i cili solli për ne mesazhin inkurajues: NATO është gati, kur ju të jeni gati.

Shqipëria dhe vendet mike të A3 po punojnë me vendosmëri dhe përgjegjësi për të merituar ftesën në samitin e parë që do të vendosë zgjerimin e aleancës. Anëtarësimi i Shqipërisë dhe vendeve të A3 në NATO, me pozicionin e tyre gjeografik, burimet dhe kontributet e tyre, do të rrisin më shumë sigurinë e rajonit dhe të vendeve anëtare të Aleancës, duke e kthyer bërë njëkohësisht krahun juglindor të Aleancës akoma më të sigurt nga sulmet e terrorizmit ndërkombëtar.

Zonja dhe zotërinj,

Rajoni i Ballkanit, me angazhimin e SHBA, BE-se, NATO dhe vendeve të tyre, është shndërruar nga rajon lufte, konfliktesh te egra qe ishte pak vite me pare, ne rajon bashkëpunimi, miqësor dhe integrimi rajonal dhe euro-atlantik. SHBA, NATO dhe BE kanë bërë një investim të madh në rajonin tonë, i cili po jep frytet e veta. Është e rëndësishme që ky investim të përfundojë me zgjidhjen më të suksesshme për paqen dhe stabilitetin të çështjes së fundit të pazgjidhur në rajon, statusin e Kosovës.

Zgjidhja e statusit të Kosovës kërkon mbi të gjitha një sens të fortë realizmi, i cili në Beograd ka munguar dhe vazhdon të mungojë deri më sot. Është koha që ta shohim realitetin në sy dhe të mos nxisim inkurajojmë klimë jo të favorshme si ngjarjet e fundit në komunat e Zvecanit dhe Lepostavic. Qëndrimi më realist do të ishte pranimi i realitetit të ri që është zhvilluar në Kosovë si dhe mbështetja e plotë e Presidentit Ahtisari, në misionin e tij me rëndësi historike për të gjithë rajonin.

Unë vij sot këtu vetëm tre javë pas vizitës sime në Kosovë. Gjatë kësaj vizite, me një kënaqësi të jashtëzakonshme konstatova progresin e admirueshëm që Kosova ka arritur gjatë këtyre viteve për mbylljen e plagëve të rënda të luftës, rindërtimin e vendit, ndërtimin e shtetit ligjor, demokratik, shumetnik ku respektohen të drejtat dhe liritë e individit pavarësisht nga përkatësia etnike dhe besimi fetar. U impresionova shumë nga vendosmëria e mbarë klasës politike, institucioneve vendase dhe ndërkombëtare, si dhe shoqërisë kosovare në tërësi për zbatimin efektiv të decentralizimit, për respektimin e të drejtave të serbëve dhe gjithë minoriteteve të tjera si dhe gjithë kërkesave të grupit të kontaktit. Por gjithashtu, shumë u impresionova nga vizioni europian dhe vendosmëria e qytetarëve Kosovarë për re-kthim në familjen europiane dhe në strukturat euro-atlantike.

Në mesazhin që unë i përcolla lidershipit kosovar dhe atij të minoriteteve të tjera si dhe mbarë popullit të Kosovës, kërkova që të vazhdojnë me këtë shembull unik dhe të admirueshëm tolerance, me këtë ndërgjegje të lartë qytetërimi europian e perëndimor duke bashkëpunuar me njëri tjetrin pavarësisht nga përkatësia etnike, besimi fetar për ndërtimin në Kosovë të një shteti ligjor, të lirë e demokratik, që respekton pa dallim të gjithë qytetarët e tij.

Shqiptarëve të Kosovës u kërkova vëllazërisht të dëshmojnë edhe njëherë shpirtin e madh gjeneroz e europian të shqiptarit dhe të falin. Me admirim konstatova se këto mesazhe që unë kërkoja tu përcillja qytetarëve të kosovës ishin kthyer në pjesë e përditshme e jetës së tyre me fqinjin.

Ndaj edhe mendoj se zgjidhja më e mirë për stabilitetin dhe paqen në rajon, por edhe për promovimin e kësaj fryme të re bashkëpunimi ndëretnik, që ka lindur dhe po kultivohet në Kosovë, është nja status që garanton plotësisht të drejtat e gjithë minoriteteve, decentralizimin e bazuar në Kartën Europiane të Autonomisë Lokale e Rajonale si dhe vullnetin e më shumë se 90 përqind të qytetarëve të Kosovës, për pavarësi.

Referendumi në Mal të Zi dëshmoi gjithashtu qartë vendosmërinë e qytetarëve të këtij vendi fqinj dhe mik për pavarësi dhe integrim në strukturat euro-atlantike. Qeveria shqiptare qe ndër të parat që e njohu republikën e re të Adriatikut. Gjej rastin të përshëndes verdiktin e popullit malazez për pavarësi dhe të ardhmen europiane që ata zgjodhën.

Zgjedhjet e javës së shkaur në Maqedoni dëshmuan maturitetin dhe vizionin evropian të klasës politike dhe qytetarëve të këtij vendi. Përgëzoj mikun tonë Vlado Buckovski dhe qeverinë e tij për përpjekjet e tyre për të realizuar zgjedhje të lira. Duke i uruar suksese fituesve të zgjedhjeve në Maqedoni, dëshiroj ti siguroj se Shqipëria do të vazhdojë të jetë një mik dhe fqinj e mirë dhe një partner i ngushtë në përpjkejet tona të përbashkëta për integrim.

Së fundmi do të theksoja se është jetike që ky investim i madh i popujve dhe vendeve të rajonit, por edhe i SHBA, BE dhe NATO për shndërrimin e Ballkanit në një hapësirë paqeje, stabiliteti, lirie, demokracie, bashkëpunimi dhe prosperiteti duhet të kurorëzohet me anëtarësimin e vendeve tona në NATO dhe BE. Ne besojmë se kjo është e ardhmja më e mirë për vendet tona, për të konsoliduar arritjet e deritanishme, por edhe rruga e vetme që do të konsolidojë stabilitetin në një zonë ku paqja dhe stabiliteti janë ende të brishta."

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›