Kryeministri fton opozitën për bashkëpunim në reforma
Gjatë takimit me grupin e deputetëve të PD-së, kryeministri Sali Berisha i bëri thirrje opozitës për bashkëpunimin në procesin e reformave që përshpejtojnë integrimin euroatlantik të vendit.
Duke vlerësuar rëndësinë e pjesëmarrjes së opozitës në reforma, kryeministri theksoi se opozita ka të gjithë hapësirën për bashkëpunim. "Opozita është autoriteti moral i vendit. Unë i siguroj anëtarët e opozitës se është në interesin e tyre jetik lufta që po bëhet kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Kjo është në interesin jetik të fëmijëve, të familjeve të tyre dhe në interesin e të gjithë shqiptarëve. Natyrisht lidhjet e krimit me politikën do të priten me shpejtësi, edhe aty ku ato janë të dhimbshme", theksoi kryeministri.
Kryeministri theksoi se ky bashkëpunim është i rëndësishm për procesin e integrimit. "Dhe një herë ju bëj thirrje që të bashkëpunojmë për të përshpejtuar integrimin e vendit. Mos i mashtroni mbështetësit tuaj për zgjedhjen e presidentit. Dua ta qartësoj para shqiptarëve këtë moment. Në mënyrë të sinqertë dhe të vendosur kemi qenë për zgjidhje konsensuale, sepse duhet të konsolidojmë një praktikë të qytetëruar dhe të dobishme për vendin. Por në rast se ju e hidhni poshtë, ju garantoj se zgjidhja kushtetuese është 100 për qind e mundshme dhe e gatshme në çdo moment që të nevojitet. Pa asnjë hezitim ne ju themi konsensus, ju thoni do të bëjmë zgjedhje. Mos i mashtroni njerëzit. Nuk ka zgjedhje. Ato vijnë pas 4 vjetësh. Ju siguroj publikisht, para të gjithë shqiptarëve, që koalicioni qeverisës ka të gatshme zgjidhjen kushtetuese, zgjedhjen me 3/5, siç parashikon ligji", u shpreh kryeministri.