Kryeministri Berisha takon Zëvendës Sekretarin e Shtetit të SHBA-ve, zotin Dan Fried
Kryeministri Sali Berisha zhvilloi sot në Dubrovnik një takim me Zëvëndës Sekretarin Amerikan të Shtetit përÇështjet Evropiane, Zotin Dan Fried.
Zoti Fried e falënderoi përzemërsisht Kryeministrin Berisha për marrëdhëniet e shkëlqyera dhe bashkëpunimin e ngushtë të vendosur midis Shqipërisë dhe SHBA-ve.
Ai shprehu vlerësimin e qeverisë amerikane për reformat e rëndësishme që ka ndërmarrë qeveria shqiptare, si dhe për kontributin personal të Kryeministrit Berisha në drejtimin e këtyre reformave. Ai e inkurajoi kryeministrin për thellimin e mëtejshëm të tyre.
Zoti Fried vlerësoi mesazhet e paqes, tolerancës dhe integrimit që Kryeministri Berisha i përcolli popullit dhe udhëheqjes politike të Kosovës gjatë vizitës së tij atje, sikurse vlerësoi në përgjithësi rolin e rëndësishëm moderator të Shqipërisë në rajon. Duke folur për përpjekjet e muajve të ardhshëm për përcaktimin e statusit final të Kosovës, Zoti Ried theksoi se Shqipëria mund të japë një kontribut të rëndësishëm duke nxitur tolerancën, bashkëjetësën dhe mirëkuptimin në Kosovë.
Kryeministri Berisha falënderoi Zotin Fried për ndihmën dhe mbështetjen e jashtëzakonshme që SHBA-të i kanë dhënë Shqipërisë gjatë gjithë këtyre viteve, në veçanti për mbështetjen dhe ndihmesën për anëtarësimin e saj në NATO. Kryeministri u shpreh se takimi i tij me Zëvëndës Presidentin Cheney në muajin maj, sikurse edhe takimi i sotëm, janë shprehje e kësaj mbështetjeje.
Kryeministri theksoi se anëtarësimi i vendit në NATO është një prioritet absolut i qeverisë së Shqipërisë, e cila po ndërmerr çdo ditë reformat e nevojshme strukturore, një pjesë e tyre të ndihmuara nga konsulenca amerikane, për të plotësuar standardet e anëtarësimit. Nga ana e tij, Zoti Fried theksoi se ndonëse në samitin e Rigës nuk do të ketë ftesë për asnjë vend për anëtarësim në NATO, pritet që ky samit të qartësojë se NATO i ka dyert e hapura për vendet e Kartës së Adriatikut,
Kryeministri Berisha e informoi Zotin Fried për reformat dhe arritjet e qeverisë në fushën e luftës kundër krimit të organizuar, në veçanti kundër trafiqeve të drogës dhe qenieve njerëzore, luftën kundër korrupsionit, si dhe reformat në fushën e ekonomisë e vecanërisht përpjekjet për tërheqjen e investimeve të huaja.
Duke folur për marrëdhëniet dypalëshe, kryeministri Berisha dhe Zoti Fried diskutuan mbi asistencën që përfiton Shqipëria në kuadrin e Sfidës së Mijëvjecarit, si dhe për fuqizmin e bashkëpunimit dypalësh në të gjitha fushat.