Fjala e Kryeministrit Berisha në Samitin e Nismës së Europës Qendrore (NEQ)
“Të nderuar kolegë kryeministra,
Shkëlqesi,
Zonja e zotërinj,
është një privilegj për mua të përshëndes sot Samitin e Nismës së Europës Qendrore, një nismë, e cila, që nga fillimet e saj, ka treguar se është një forum i rëndësishëm për bashkëpunimin politik dhe ekonomik te rajonit dhe që përditë e më shumë po provohet si një katalizator i vërtetë për forcimin e dialogut e bashkëpunimit midis vendeve tona.
Fillimisht, do të doja të falënderoja Kryeministrin e Bullgarisë, z. Sergey Stanishev dhe Presidencën bullgare për kryesimin vërtet të suksesshëm të NEQ-it, si dhe për organizimin dhe mikpritjen e shkëlqyer që na është rezervuar sot ne qytetin e bukur te Sofjes.
Gjate Presidencës bullgare, dy vende të nismës, Bullgaria dhe Rumania u anëtarësuan në BE, kurse vendet e it perëndimor janë ofruar edhe më shumë me BE-në dhe NA-n.
Pjesëmarrja në nivel të lartë e organizatave ndërkombëtare dhe institucioneve financiare në këtë Samit është për ne një tregues domethënës në këtë drejtim.
Për Shqipërinë, forcimi i bashkëpunimit rajonal dhe i marrëdhënieve të fqinjësisë janë shtylla themelore dhe prioritete kryesore të programit të qeverisë për politikën e jashtme të vendit. Qeveria shqiptare është e angazhuar të ruaje dhe konsolidoje një partneritet aktiv me të gjitha organizatat dhe nismat rajonale që i shërbejnë paqes e stabilitetit, proceseve të integrimit dhe nxitjes së zhvillimit ekonomik.
Presidenca e dyfishtë e Shqipërisë vitin e kaluar në NEQ dhe në Nismën Adriatiko- Joniane dhe rezultatet e arritura në këtë kuadër janë një nga treguesit e këtij angazhimi serioz të vendit tim në këtë drejtim.
Gjatë kryesimit të këtyre dy nismave, ne synuam të koordinonim sa më mirë programet në fusha të përbashkëta dhe të përcaktonim ata sektorë ku sinergjia e nismave sjell vlerë të shtuar.
Gjej rastin të falënderoj vendet anëtare dhe Sekretariatin Ndërkombëtar të NEQ-it në Trieste për vlerësimin pozitiv që i bënë punës dhe arritjeve gjatë presidencës shqiptare.
Në këtë kuadër, Samiti Ekonomik (SEF) që u mbajt në Shqipëri dha një kontribut të prekshëm në elaborimin e strategjive të biznesit, të investimeve të huaja dhe reformave ekonomike, duke dëshmuar edhe një herë kontributin real që ka dimensioni ekonomik i NEQ-t.
Për të evidentuar faktin që problemet e energjisë janë të mprehta dhe të vështira jo vetëm për vendin tim, por edhe për vende të tjera të rajonit, si dhe për të koordinuar sa më mirë përpjekjet dhe strategjitë tona në këtë fushë të rëndësishme, unë, personalisht, mora iniciativën e organizimit të Forumi të Energjisë, i cili u mbajt për herë të parë në Shqipëri.
Korridoret e transportit dhe rrugët e naftësjellësve dhe gazsjellësve, si dhe linjat e interkonjeksioneve të rrjeteve elektrike e energjetike në tërësi, janë infrastruktura thelbësore për zhvillimin ekonomik të çdo vendi, në veçanti për vendet e Evropës Juglindore, të cilat, deri në këtë moment, janë shmangur nga infrastrukturat e rëndësishme paneuropiane të energjisë. Këto infrastruktura do te kontribuojnë ndjeshëm jo vetëm në prosperitetin e rajonit, por do të kenë një ndikim të drejtpërdrejtë edhe për stabilitetin në rajon.
Ndaj, ne besojmë fuqishëm se përfshirja e vendeve tona në projektet madhore europiane energjetike është një kusht për forcimin e stabilitetit në rajon, si dhe hap i rëndësishëm në proceset e mëdha të integrimit rajonal dhe euroatlantik, në të cilat vendet tona janë përfshirë.
Sikundër përshëndesim faktin, që krahas prioriteteve të mësipërme, duke filluar nga viti 2008, bashkëpunimi në kuadër të NEQ-it do të shtrihet dhe në fushën e çështjeve të klimës dhe mjedisit. Përditësimi i vazhdueshëm i prioriteteve tona rajonale përbën gjithnjë lajm të mirë dhe është për tu përshëndetur .
Zonja dhe zotërinj,
Rajoni i Europës Qendrore po hedh hapa të reja e solide drejt konsolidimit të demokracisë, shtetit të së drejtës, ekonomisë së tregut dhe arritjes së standardeve europiane.
Nisma e Europës Qendrore po afirmohet si një forum i rëndësishëm rajonal që jep kontribut real në proceset e integrimit europian.
Me bindjen se procesi i zgjerimit të BE-së është proces pa kthim mbrapa, NEQ-i vazhdon të luaje një rol të rëndësishëm për bashkëpunim politik dhe dialogun midis anëtarëve të rinj dhe të vjetër të BE-së, nga njëra anë, dhe vendeve aspirante, nga ana tjetër. Ky rol i NEQ-it, në përafrimin e politikave të vendeve të rajonit me ato të BE-së, vazhdoi edhe gjatë Presidencës bullgare.
E ardhmja europiane e it Perëndimor, ashtu siç u përcaktua në Samitin e Selanikut, përbën një domosdoshmëri jetike për stabilitetin, sigurinë, thellimin e demokracisë dhe zhvillimin e vendeve tona.
Prezenca në NEQ e 9 vendeve anëtare të BE-së duhet të vazhdojë të luaje rolin e një mekanizmi, që nxit bashkëpunimin midis vendeve anëtare të BE-së dhe vendeve të tjera të Nismës që aspirojnë integrimin, duke ofruar mundësi reale me programet e saj rajonale.
Të dashur miq,
Gjatë viteve të fundit Shqipëria ka shënuar arritje në shumë fusha, të cilat u pasqyruan edhe me nënshkrimin e MSA-së me Bashkimin Europian në qershor 2006. Gjej rastin për të kërkuar ratifikimin e shpejtë të MSA-së nga vendet e NEQ-it, anëtare të BE-së, të cilat nuk e kanë përfunduar ende këtë procedurë.
Që nga samiti i fundit i NEQ-it, Shqipëria ka arritur rezultate te rëndësishme në shumë fusha të ndryshme. Ekonomia shqiptare vazhdon të rritet me ritme nga më të lartat në rajon, me një inflacion në nivelet 2-4% dhe deficit buxhetor 2.4%. Lufta me zero tolerancë ndaj krimit ka sjellë një ulje drastike të aktiviteteve kriminale në vend. Në Shqipëri, ne kemi çmontuar rreth 204 grupe e organizata kriminale dhe kemi vendosur përpara ligjit rreth 850 anëtarë dhe drejtues të tyre. Sot, Shqipëria është një vend me indicie kriminaliteti ndër më të ulëtit në rajon. Gjatë kësaj periudhe, ne kemi luftuar korrupsionin me arritje të prekshme. Lufta kundër korrupsionit ka bërë të mundur rritjen e të ardhurave buxhetore me 5% të GDP-së dhe uljen e shpenzimeve operative me rreth 1% të GDP-së. Kemi zvogëluar në mënyrë të ndjeshme barrën burokratike për bizneset. Sot, bizneset në Shqipëri përfitojnë nga barra fiskale më e ulët në Europë, taksa e sheshte 10%, procedura të thjeshtuara e të dixhitalizuara, si e-tax, e-procurement, e-customs dhe mund të regjistrojnë aktivitetin e tyre brenda disa orëve përmes procedurave One Stop Shop në regjistrat dixhitalë të biznesit. Përveç kostos më të ulët të krahut të punës në Europë, bizneset në Shqipëri mund të përfitojnë dhe nga nisma Shqipëria një Euro. Siguria në vend dhe përpjekjet e qeverisë shqiptare kanë bërë që numri i turistëve në Shqipëri të rritet me 70%, gjatë dy viteve të fundit.
Duke ndarë të njëjtat vlera demokratike me Aleancën e Atlantikut te Veriut, Shqipëria, së bashku me Kroacinë dhe Maqedoninë, anëtarë të Kartës se Adriatikut, po demonstrojnë progres të përditshëm në plotësimin e standardeve të kërkuara. Vendi ynë po punon me përkushtim për të përmbushur të gjitha kriteret për marrjen e ftesës në Samitin e ardhshëm të zgjerimit.
Qeveria shqiptare është e vendosur të vazhdojë politikën e paqes, stabilitetit, fqinjësisë së mire dhe prosperitetit në rajon, si dhe integrimit europian e atlantik të rajonit.
Ne mbështesim përpjekjet e Komunitetit Ndërkombëtar dhe propozimin e Presidentit Ahtisaari si zgjidhja më e mirë që siguron standardet më të larta për minoritetet që jetojnë atje dhe, njëkohësisht, respekton vullnetin e shumicës së popullsisë në Kosovë për pavarësi, kusht themelor ky për paqe e stabilitet të qëndrueshëm në rajon.
Ne jemi të shqetësuar, sepse blerja e kohës dhe vazhdimi i zgjatur e i pafrytshëm i debatit për statusin e Kosovës mund të shërbejë si një terren për radikalizma dhe rreziqe. Refuzimi i Serbisë për projektin e Presidentit Ahtisaari përbën në vetvete një bllokim të procesit të paqes në rajon, për të cilin edhe vete Serbia ka shume nevojë. Kundërshtimi nga Rusia i këtij projekti dhe mundësia e bllokimit të Këshillit të Sigurimit, nga ana e saj, kanë krijuar një rreth vicioz, i cili largon Serbinë nga qëndrimet realiste, ruan status quo-në e padobishme, kërcënon stabilitetin. Ky rreth vicioz duhet të ndërpritet sa më parë.
Ne besojmë se zgjidhja sa më shpejt e statusit të Kosovës në përputhje me paketën Ahtisaari është një domosdoshmëri që diktohet nga realiteti në Kosovë dhe nga nevojat e stabilitetit dhe sigurisë në rajon. Zgjatja e mëtejshme e zgjidhjes së statusit do të sillte risqe të paparashikueshme dhe do të vinte në dyshim të gjitha arritjet e bëra në Kosovë.
Mungesa e realizmit të Beogradit ka bllokuar perspektivën e një zgjidhjeje të pranuar nga të dy palët dhe po i imponon udhëheqjes së Kosovës të vetmin opsion të mbetur, rrugën e njohjes bilaterale të pavarësisë së vendit të tyre. Shqipëria vazhdon të inkurajojë udhëheqësit e Kosovës të mos marrin vendime të njëanshme dhe të vazhdojnë bashkëpunimin e ngushtë me komunitetin ndërkombëtar, SHBA-në, BE-në dhe vendet e tjera të Grupit të Kontaktit, të cilat kanë pranuar projektin Ahtisaari, për të koordinuar hapat e mëtejshme pas 10 dhjetorit.
Të nderuar pjesëmarrës.
Duke u nisur edhe nga diskutimet e debatet e shumta të zhvilluara gjatë këtij viti në kuadër të Task Force-s të NEQ-it për ristrukturimin e Nismës, ne jemi pro rekomandimit që, në vitet e ardhshme, të synohet për një mbështetje financiare nga të gjitha vendet anëtare dhe paralelisht edhe nga donatorë të ndryshëm.
Më lejoni dhe një herë ti shpreh përgëzimet më të mira Presidencës Bullgare për performancën e saj të suksesshme gjatë këtij viti. Është e rëndësishme që edhe presidenca e ardhshme e NEQ-it, si dhe Sekretariati Ekzekutiv i tij, të vazhdojnë pa ndërprerje përpjekjet për ngritjen e marrëdhënieve me Brukselin në një shkallë sa më të lartë.
Në fund të fjalës time, do të doja të falënderoja Sekretariatin e Nismës dhe Drejtorin e Përgjithshëm, Ambasadorin Kried për punën e shkëlqyer që kanë bërë gjatë kësaj periudhe, si dhe t’i uroj Presidencës së radhës, Moldavisë, sukses të plotë në këtë vit të ardhshëm.
Ju faleminderit.”