E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha: Shqipëria, potenciale të jashtëzakonshme për thithjen e investimeve të huaja

Kryeministri Berisha mori pjesë sot në ceremoninë e hapjes së ekspozitës së Panairit “Klik Expo Group”, në ambientet e Qendrës Ndërkombëtare të Kulturës “Pjetër Arbnori”.
 
Kryeministri u përcolli pjesëmarrësve në këtë panair përshëndetjet e qeverisë së tij për çeljen e panairit më të madh në Shqipëri, i cili bashkon 800 kompani të huaja dhe vendase në ekspozimin e mallrave dhe produkteve të tyre.

“Prania në Tiranë e përfaqësuesve të rreth 800 kompanive të huaja është një ngjarje shumë e madhe për jetën ekonomike të vendit,  është dëshmi e një besimi të madh dhe në rritje të biznesit ndërkombëtar ndaj potencialeve dhe oportuniteteve të Shqipërisë”, u shpreh Kryeministri.     

Duke përmendur disa nga potencialet që ofron Shqipëria për investime, Kryeministri Berisha iu referua burimeve të mëdha hidrike për prodhimin e energjisë, për të cilat u shpreh se investimet në këtë fushë vetëm gjatë 7 muajve të fundit kapin një kapacitet prej 3.9 miliardë kilovat/orë.

Kryeministri theksoi se  Shqipëria në tërësinë e saj ka mbi 16 miliardë kilovat/orë potencial hidrik për prodhimin e energjisë.     

“Shqipëria është vendi i depozitave të përmasave botërore të kromit, hekur nikelit por edhe depozitave shumë të mëdha të dyoksideve, bakrit, qymyreve dhe mineraleve të tjera”, tha Kryeministri. 

Gjithashtu Kryeministri u ndal edhe në potencialet e shumta që ofron Shqipëria në fushën e turizmit. 

“Shqipëria është vendi i bregut më të virgjër dhe të mrekullueshëm, i bregut për t`u zhvilluar me konceptin më modern të zhvillimit të turizmit”, vlerësoi Kryeministri. 

Më tej, Kryeministri vlerësoi se hapja e këtij panairi përbën një mundësi të veçantë për çdo kompani, jo vetëm për të ekspozuar mallrat dhe prodhimet e tyre, por për t`u njohur edhe me përpjekjet e qeverisë shqiptare, për ta shndërruar Shqipërinë në vendin më tërheqës për investimet e huaja, dhe vendin me barrën fiskale dhe me koston e prodhimit më të ulët në Europë.

Pas përshëndetjes  së bizneseve pjesëmarrëse në panair, Kryeministri vizitoi nga afër stendat e produkteve të kompanive të ndryshme vendase dhe të huaja.

Në këtë vizitë Kryeministri shoqërohej nga bashkëshortja, Znj. Liri Berisha, Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli dhe Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Genc Ruli.         


Më poshtë vijon e plotë fjala e Kryeministrit Berisha në ceremoninë e hapjes së Eskpozitës së Panairit “Klik Expo Group”: 
  

“Në emër të qeverisë ju sjell përshëndetjet më të përzemërta për çeljen e panairit më të madh që Shqipëria ka njohur në tërë kohërat e saj, panairit që bashkon sot 800 kompani në tërësi të huaja, por edhe shumë vendase për të ekspozuar prodhimet e tyre para publikut shqiptar.

Prania në Tiranë e përfaqësuesve të rreth 800 kompanive të huaja është një ngjarje shumë e madhe për jetën ekonomike të vendit, është dëshmi e një besimi të madh dhe në rritje të biznesit ndërkombëtar ndaj potencialeve oportuniteteve të Shqipërisë.

Shqipëria është një vend i vogël. Cilido që hedh sytë në hartën e Ballkanit dhe të Europës shquan një vend me sipërfaqe të vogël, por cilido që ndalet dhe shqyrton më me hollësi përmbajtjen e këtij vendi konstaton se ky është një vend me potenciale të mëdha gjer në potenciale të jashtëzakonshme.

Shqipëria ka një pozicion gjeografik të shkëlqyer potenciale të mëdha energjetike. Sot unë po shqyrtoja dosjet e projekteve të paraqitura për ndërtimin e hidrocentraleve vetëm gjatë 7 muajve të fundit ato kapnin  një kapacitet në total 3.9 miliardë kilovat/orw dhe në këto projekte nuk përfshiheshin asnjëra nga kaskadat e mëdha të vendit. Shqipëria në tërësinë e saj ka mbi 16 miliardë kë potencial ujor për tu shfrytëzuar.

Shqipëria është vendi i depozitave të përmasave botërore të kromit, hekur nikelit, por edhe depozitave shumë të rëndësishme të oksideve, bakrit, qymyreve dhe mineraleve të tjera.

Shqipëria është vendi i bregut më të virgjër dhe të mrekullueshëm, i bregut për t`u zhvilluar me konceptin më modern të zhvillimit të turizmit.

Shqipëria ka një krah pune të mrekullueshëm, të gjallë, dinamik, të ri dhe të shkolluar dhe në një pozicion gjeografik shumë të favorshëm.

Në këtë kontekst prania sot e afro 800 kompanive të huaja në këtë panair është njëkohësisht një mundësi e veçantë për çdo kompani jo vetëm për të ekspozuar mallrat dhe prodhimet e tyre, por për t`u njohur me potencialet e jashtëzakonshme të Shqipërisë për t`u njohur me përpjekjet e qeverisë shqiptare për ta shndërruar Shqipërinë në vendin më tërheqës për investimet e huaja, për të shndërruar Shqipërinë në vendin me barrën fiskale më të ulët në Ballkan dhe Europë; në vendin me koston e prodhimit më të ulët, në vendin më miqësor ndaj tyre dhe kolegëve nga vendet e tyre.

Unë ju uroj të gjithë pjesëmarrësve në këtë panair mbarësi të madhe në bizneset e tyre dhe projektet e tyre për të investuar në Shqipëri”.  
 

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›