E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryeministri Berisha: Zgjidhja sa më shpejt e statusit të Kosovës në përputhje me planin Ahtisaari, një domosdoshmëri për Kosovën dhe stabilitetin në rajon

- “Mungesa e realizmit të Beogradit po i imponon udhëheqjes së Kosovës të vetmin opsion të mbetur, rrugën e njohjes bilaterale të pavarësisë.”

Kryeministri Berisha tha sot, në Samitin e kryetarëve të qeverive të Nismës së Europës Qendrore në Sofje, se zgjidhja sa më shpejt e statusit të Kosovës në përputhje me paketën Ahtisaari është domosdoshmëri që diktohet nga realiteti në Kosovë dhe nga nevojat e stabilitetit dhe sigurisë në rajon.

“Ne mbështesim përpjekjet e komunitetit ndërkombëtar dhe propozimin e Presidentit Ahtisaari si zgjidhja më e mirë që  siguron standardet më të larta për minoritetet që jetojnë atje dhe, njëkohësisht, respekton vullnetin e shumicës së popullsisë në Kosovë për pavarësi, kusht themelor ky për paqe e stabilitet te qëndrueshëm ne rajon,” u shpreh Kryeministri Berisha.  

Kryeministri Berisha e konsideroi zgjatjen e mëtejshme të debatit për statusin të pafrytshëm dhe që mund të shërbejë si një terren për radikalizma.

“Ne jemi të shqetësuar, - u shpreh Kryeministri - sepse blerja e kohës dhe vazhdimi i zgjatur e i pafrytshëm i debatit për statusin e Kosovës mund të shërbejë si një terren për radikalizma dhe rreziqe. Zgjatja e mëtejshme e zgjidhjes së statusit do të sillte risqe të paparashikueshme dhe do të vinte në dyshim të gjitha arritjet e bëra në Kosovë.”  

Kryeministri kërkoi t’i jepej fund status quo-së në Kosovë, të krijuar nga refuzimi i Serbisë për projektin Ahtisaari, sikundër dhe kundërshtimi nga ana e Rusisë e këtij projekti.

 

“Refuzimi i Serbisë për projektin e Presidentit Ahtisaari përbën në vetvete një bllokim të procesit të paqes në rajon, për të cilin edhe vete Serbia ka shume nevojë. Kundërshtimi nga Rusia i këtij projekti dhe mundësia e bllokimit të Këshillit të Sigurimit, nga ana e saj, kanë krijuar një rreth vicioz, i cili largon Serbinë nga qëndrimet realiste, ruan status quo-në e padobishme, kërcënon stabilitetin. Ky rreth vicioz duhet të ndërpritet sa më parë.”

Mungesa e realizmit të Beogradit, vijoi më tej Kryeministri, ka bllokuar perspektivën e një zgjidhjeje të pranuar nga të dy palët dhe po i imponon udhëheqjes së Kosovës të vetmin opsion të mbetur, rrugën e njohjes bilaterale të pavarësisë së vendit të tyre.

Kryeministri Berisha theksoi se Shqipëria vazhdon të inkurajojë udhëheqësit e Kosovës të mos marrin vendime të njëanshme dhe të vazhdojnë bashkëpunimin e ngushtë me komunitetin ndërkombëtar, SHBA-në, BE-në dhe vendet e tjera të Grupit të Kontaktit, që kanë pranuar projektin Ahtisaari, për të koordinuar hapat e mëtejshme pas 10 dhjetorit.

 

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›